Artan Fuga: Përse e lëshuan nervat Skënder Gjinushin?

Nga Artan Fuga

Skënder Gjinushi, sot, nga Shkodra, në një sallë pa lidhje me problemet e rënda të Akademisë të Shkencave, lëshoi një lumë sharjesh dhe fyerjesh kundër meje.

Po ashtu kundër deputetes Ina Zhupa, studiueses së njohur dhe kritikes të mprehtë të dogmës në shkencat albanologjike Ledi Shamku, indirekt edhe ndaj akademikut Apollon Baçe.

As më shumë e as më pak më quajti “njeri i keq”, “jo përfaqësues i komunitetit”, “injorant”, që nuk njoh matematikën, sikurse nuk kurseu as zonjat e nderuara!

E paskan lëshuar nervat – thashë duke buzëqeshur. Kjo sepse si mund të shpjegohet ndryshe që dikush që përfaqëson një institucion, Akademinë e Shkencave, sulmon me fyerje dhe sharje të denja për t’i çuar në gjykatë një anëtar të Akademisë të Shkencave vetëm sepse ai nuk mendon si Skënder Gjinushi.

Në respekt të statusit tim të akademikut, në respekt të akademikëve të tjerë, të etikës të institucionit, në respekt të opinionit publik theksoj se nuk do t’i përgjigjem kurrë Skënder Gjinushit me asnjë fyerje dhe sharje. Madje do t’i botoj këtu plot gas të gjitha fyerjet dhe sharjet që vijnë prej tij si edhe prej kryesisë të Akademisë së Shkencave, e cila pasi u njoh me dëshirën time për të kandiduar për vendin e punës të kryetarit, çka ma siguron ligji, bëri një deklaratë në shtyp kundër meje dhe mendimeve të mia.

Pa sharje, por e siguroj Skënder Gjinushin se tre objektivat e shpallura tashmë do t’i realizoj me sukses sikurse kam premtuar publikisht:

1. Ligji në fuqi për akademinë e shkencave nuk mund të ndryshohet para zgjedhjeve sado që ashtu i intereson kujtdo që do pushtet. Dhe do të luftoj me argumente kundër nismës ligjore të konceptuar në kundërshtim me procedurat ligjore nga ana e deputetëve Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj. Përse mërzitet dhe shqetësohet Skënder Gjinushi për këtë kundërshtim që u bëj deputetëve? Këtë të drejtë ligji ja lejon çdo qytetari, përse jo mua?

Pse jam i keq, sikundër i dukem Skënder Gjinushit apo sepse ushtroj të drejtat e mia qytetare sikundër ligji ma lejon?

2. Do të shpalos me argumente dhe fakte se Akademia e Shkencave nuk është në shinat e ligjit, nuk është e orientuar si duhet dhe se ka abuzime me financimet publike duke i përdorur ato jo sikundër publiku pret.

3. Do të argumentoj se modeli për Akademinë e Shkencave, i propozuar nga unë, i hedhur në kosh katër vjet më parë me arbitraritetin e dy a tre deputetëve që sot nuk e di se ku janë, ishte dhe është modeli që duhet.

A nuk kam të drejtë ta paraqes vizionin tim për këtë çështje?

Po sikur të jem injorant, Skënder, a mund ta paraqes injorancën time?

A më lejon?

Nervat nuk duhen prishur!

Prisni, unë ende nuk kam filluar ende të shpalos argumentet, provat, faktet e mia. Do të bëhet kjo gjë në momentin e duhur. Ka kohë. Jam i qetë, i sigurtë, i pajisur me gjithçka duhet për t’i ndarë idetë dhe propozimet e mia, kritikat gjithashtu, me të gjithë akademikët, pa sharje dhe fyerje, me të gjithë komunitetin shkencor të vendit që nuk rresht së mbështeturi.

Çdo gjë në kohën e vet! Sa për sharjet dhe fyerjet vetëm më gudulisin, më tregojnë se jam në rrugën e duhur, dhe më motivojnë të jem në lartësinë e dinjitetit dhe detyrës sime.

Pse e kanë lëshuar nervat Skënder Gjnushin saqë shpërthen në një korr sharjesh dhe fyerjesh ndaj meje?

Qesh pa vend, hidhet nga Akademia e Shkencave te vendimi i gjykatës të Tiranës për partinë demokratike, e quan opozitën injorante, çështje pa pikë lidhjeje me njëra tjetrën. Pse ky ligjërim që ka humbur koherencën tematike si edhe në vend të argumenteve sjell veç sharje?

Gazetari e pyet dhe e vendos para një fakti të pakundërshtueshëm. Ai është në kolltukun e kryetarit pa aprovimin e Presidentit të Republikës, pra jo në përputhje me ligjin me të cilin u bënë zgjedhjet në Akademinë e Shkencave.

Skënder Gjinushi përgjigjet: Dakord, por pastaj Presidenti erdhi për vizitë tre herë në Akademinë e Shkencave (!).

A thua se Presidenti nuk vajti në një institucion që i takon kombit, por shkoi të pranonte me përulje gabimin e bërë kur kishte refuzuar Skënder Gjinushin!

Sikur Akademia është e njehsuar me të! Çfarë mentaliteti!

Mua më vjen keq që ligji në fuqi nuk mund të ndryshohet as për Skënder Gjinushin, as për Vasil Tolen, as për mua as për njeri! Është e pamundur. Kur do t’i shpjegohet kjo deputetëve Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj, gjithçka do të dalë në dritë qartë. Por ka kohë! Punët e mira nuk bëhen shpejt, as avash, por në kohën e duhur. Nisma e tyre është në kundërshtim me ligjin dhe kodin etik të deputetit.

Çfarë të bëj unë? Nuk mund ta siguroj Skënder Gjinushin se vetëm ai ja vlen të qendrojë 40 vjet në drejtim të shkencës shqiptare! Sikundër ka bërë. Sado të dua!

Nuk mund ta siguroj që të qëndrojë në krye të një partie prej 30 e ca vjetësh! Sikundër ka bërë duke përjashtuar shokët e kolegët që andej. Sado që dua!

Nuk mund ta siguroj se mund të qëndrojë gjithë jetën shef, ministër kryetar! Sado të dua!

Nuk e siguroj dot se jam aq i mirë sa të pranoj këtë fiksim të tijin për të qëndruar për jetë në krye të ndonjë gjëje!

Pse ky lumë sharjesh që tregojnë lëshim nervash? Më vjen keq. Unë me individin Skënder Gjinushi nuk kam asgjë. Po fare! As do të merrem ndonjëherë sado që shumë më këshillojnë të kundërtën.

Mirëpo posti i kryetarit nuk është e mirë private!

Unë e justifikova në sharjet ndaj meje, por ndaj dy zonjave të nderuara nuk ka bërë mirë! Nuk është në delikatesën e duhur!

Thashë se kur nuk ka argumente, e vetmja mundësi mbetet ta zhvendosësh çështjen drejt sharjeve reciproke. Por mua kurrë nuk më tërheq dot njeri atje! Kam aq prova dhe ide sa nuk do të ketë vend për sharje dhe fyerje në ato që do të shpalos.

Thashë se ndofta e ka kuptuar që deputeti Petro Koçi dhe deputeti Ismet Beqiraj nuk kanë asnjë mundësi ta mbrojnë nismën e tyre ligjore për ta rrënuar ligjin për Akademinë e Shkencave dhe vetë Akademinë e Shkencave, prandaj sharësi im nga Shkodra doli vetë ballazi me atë fjalor që nuk do t’ja kisha zili askujt!

Ndofta ra në grackën e pyetjeve disi djallëzore të gazetarit inteligjent shkodran që e shëtiste sa nga Ismeti, te Artani, sa nga Ina te Petrua, sa nga akademia te gjykata e faktit Tiranë, sa te opozita te karakteri im i keq, te injoranca ime. Gazetari e ka provokuar me zgjuarësi cinike!

Ndofta ka qenë nën ndikimin e gjuhës politike që është ajo e urrejtjes, e sharjeve dhe fyerjeve reciproke. Mirëpo etika akademike ka klas tjetër, ka tjetër nivel!

Unë dua ta besoj Skënder Gjinushin kur thotë se ndryshimi i ligjit nuk është një orvajtje për ta zgjatur qendrimin e tij si kryetar akademie. Prandaj i propozoj që të deklarojë se nuk do të kandidojë për kryetar. Edhe unë deklaroj të njëjtën gjë. Dhe pastaj debatojmë ku dhe kur të dëshirojë ai për këtë nismë ligjore që e çimenton në krye si dhe për vetë Akademinë e Shkencave!

Kjo është sfida që unë bëj! T’i lemë sharjet si çiliminj! Përse të bëhen sharje dhe fyerje ndaj meje diku në një sallë ku nuk jam edhe unë i pranishëm?

Nuk është etike Skënder! Të ftoj në çdo kohë në televizion të vish në debat! Merr me vete edhe Vasil Tolen, edhe të gjithë kryesinë, madje edhe deputetin Petro Koçi dhe deputetin Ismet Beqiraj po deshe, unë ju pres me padurim! I vetëm.

Palé të jenë edhe zonja Ina Zhupa, zonja Ledi Shamku, akademiku i nderuar Apollon Baçe dhe të tjerë që do të të shkaktojnë habi me qendrimet e tyre të shëndosha kritike!

Pse me sharje? Hajdeni në debat! Dhe do të shihni sa i keq jam, sa injorant jam, etj.

Unë kam frikë se Skënder Gjinushi ka marrë seriozisht edhe komplimentet e kryeministrit kur ka ardhur në Akademinë e Shkencave.

Ai ka thënë për Skënderin se është i paoksidueshëm! Por, zoti Rama njihet për batutat e tij fine plot humor, jo të gjitha besoj i thotë seriozisht. Metafora është mirësjellje!

Për opinionin e gjerë publik po paraqes edhe videon që miqtë e mi në Shkodër, pjesëmarrës në atë sallë ma sollën për informacion.

Ishin të indinjuar. Pasi i qetësova, u thashë: Unë nuk e njoh këtë gjuhë sharjesh! Nuk është në edukatën time! Unë nuk aspiroj për poste. Objektivave të mi do t’u shkoj deri në fund. Besnikërisht! Argumentet e mia, provat, dëshmitë, ende nuk kanë nisur!

I kam ndarë vetëm me një rreth kolegësh brenda asamblesë të Akademisë të Shkencave. Ato do të dalin në publik!

Janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë. Do të paraqiten edhe në media.

Kurse sharjet dhe fyerjet janë nën nivelin e etikës akademike!

ObserverKult  


Lexo edhe:

ARTAN FUGA PUBLIKON DOKUMENTIN DHE I PËRGJIGJET AKADEMISË SË SHKENCAVE: VËRTETOHEN NDRYSHIMET E LIGJIT…

Debati në distancë mes Akademisë së Shkencave dhe akademik  Artan Fugës vijon me akuza dhe kundërakuza.

Fuga, në vijim të përgjigjes së tij pas deklaratës së Akademisë së Shkencave, ka publikuar dokumentet ku sipas tij vërteton deklaratën për të cilën është akuzuar për pavërtetësi nga ASHSH.

 “Në paragrafin e fundit të deklaratës pretendon krejt pa bazë se qenka e gënjeshtër ajo që them unë, pra se deputetë po ndërmarrin nismë ligjore për…

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult