Artan Fuga për Ronela Hajatin: Turma është e rrezikshme!

Nga Artan Fuga

Me rastin e paraqitjes të performancës të grupit nga Shqipëria në Eurovizion, si edhe të paraqitjes atje të Ronela Hajatit, e cila bëri artin e vet me gjithë mundësitë e saj, natyrshëm që opinioni publik do të debatonte.

Gjendja normale e opinionit publik nuk është uniformiteti, por diferencimi, ndarja, çarja në dy ose disa pozicione.
Turma është e një mendjeje. Turma është e rrezikshme, jo opinioni publik i çarë.
Aq më shumë kur opinioni publik është edhe publik i skenës.
Shoqëria jonë është e etur për të debatuar, sepse qytetarin nuk e pyet kush për ndonjë gjë. Sapo gjen të çarën vrundujt e ajrit dhe dallgët e heshtjes të imponuar vërshojnë atje ku nuk ka qeder. Për çështje të tjera matet mirë, hesht, fsheh kokën se edhe e pëson!
Nuk ka faj.
Sigurisht shijet artistike janë të ndryshme, mënyra e përqasjes së asaj performance mund të ishte me nuanca të ndryshme, këtu nuk ka rregulla universale.
Kritikët janë po aq në të drejtën e tyre sa edhe mbështetësit.

Ajo që është serioze është shpërthimi i maçizmit, i seksizmit, i bullizmit, i gjuhës të urrejtjes në disa segmente të opinionit.

Por, ata nuk janë i gjithë opinioni. Me qindra mijëra persona e kanë vlerësuar me gjithë dëshirat. Për më shumë, përpjekjen e artistëve nga Shqipëria. Por kanë heshtur. Me dhjetra mijë kanë përqafuar qëndrime pozitive. Me dhjetra mijë nuk e kanë pëlqyer dhe kjo është fareeee e natyrshme.

Këtu e kam fjalën vetëm për atë pjesë që absolutizon gjykimin e vet, që urren, fyen, që nuk le gjë pa sharë artistët e skenës.
Pastaj tmerri është kur seksizmin, maçizmin, maskilizmin, e shprehin edhe ata njerëz që vuajnë prej tyre.

Kur ka femra maskiliste.

Të zhytura nën sundimin e mashkullit, nuk mund të pranojnë një art që del nga ai kuadër skllavërues. Kur ka artistë antiart, që nën efektet e zilisë apo realizimeve të parealizuara vrasin çdo qënie që ngrihet me performancën e vet në një horizont diku.

Ndërsa ka individë, burra dhe gra që ngatërrojnë performancën në skenë me ngjarje reale. Kur trupin në skenë po e panë të shfaqur si element artistik e quajnë pornografi. Po ashtu sikur dikush duke parë një film me vrasje të ngatërrojë lojën e aktorit duke e quajtur vrasës.

Derisa edukata esteike e vlerësimit të performancave në art, është në nivele ku të vjen të pyesësh: A kanë bërë këta njerëz estetikë në shkollimin e mesëm?

Për aq sa gjykimet mbi të bukurën dhe të shëmtuarën i formulojnë si gjykime objektive dhe universale. Sepse nuk mund t’u kërkosh të kenë njohuri as nga estetika e Platonit, Kantit, Niçes, nuk po flas për të tjerë më të stërholluar.
Si nuk relativizojnë duke shprehur mendimin e tyre dhe lënë të tjerët të thonë të kundërtën, por shajnë, zprazin të gjithë karrikatorët e urrejtjes mbi këdo që është i ndryshëm.

Kërkojnë art të vlerësuar sipas shumicës. Kur kërkojnë art plebishitar, kur kërkojnë llogari artistëve në emër të taksapaguesve. Kur nuk kërkojnë as më shumë dhe as më pak por që trupa artistike ta fitonte Eurovizionin, të kualifikohej, mirë do ishte. Po çfarë është kualifikuar nga ajo që bëjmë ne sot? Cfarë bëjnë ata vetë për t’u kualifikuar diku në Evropë?

Opinioni në gjendjen e vet normale është sigurisht i ndarë dhe i përçarë. Ndryshe do të ishte turmë. Ka arsye për këtë. Por, kur kritikat paraqiten me një seksizëm mesjetar, me një maskilizëm prej eunukësh. Me zili dhe urrejtje. Atëhere mendon se çfarë frustrimi mblidhet në një shoqëri, ku individi nuk dëgjohet, nuk vlerësohet, është i braktisur.

Në këto kushte ka jo pak që gjithçka ndryshe u duket si fyerje e qenies së tyre, kur thonë : na përfaqëso!

Bëj artin, filozofinë, shkencën, modën që dua unë!

Dhe kur sheh ndonjë artist që fshihet pas urrejtjes të grupeve sociale të frustruara drama është edhe më e madhe.
Nënteksti: Në skenë duhet të jem unë, dhe jo ti! Ose më imito mua, ose vdis!

Është problem edukata estetike në shkolla!

Sa për Ronela Hajatin, pastaj, kush e pëlqen e duartroket, kush nuk e pëlqen shpreh kritikat e veta sipas shijes së vet.

ObserverKult

Lexo edhe:

ARTAN FUGA: PO MASAKROJMË AFTËSITË MENDORE TË RINISË MOOOOO, A DËGJONI APO JO! O…