Artan Gjyzel Hasani: Dashuri pa mbiemër

Poezi nga Artan Gjyzel Hasani

nëse sonte ti kupton diçka
që nuk të ndodh shpesh ta kuptosh
dhe dashuri të re për mua do ta quash nesër
kur mendimet e tua të fshehta
do m’i tregosh me zë
për hir të përëndisë mos e bëj;
ka ndodhur dhe më parë mes nesh
por nuk do të ndodhë më…

eja të flasim përsëri së bashku fjalë pa kuptim,
si atëherë kur unë pas teje isha i çmendur
e ti vërtet ndjeheshe femër
dhe të na duket se duhemi përsëri…
ashtu pakuptim…
pa kuptuar…
pakuptueshëm…
dhe çka humbëm të gjejmë
me dashurinë anonime
me dashurinë pa mbiemër…
në dashurinë pa faj e pa fajtorë
në dashurinë pa “si” dhe “sa”
në dashurinë pa “sa dhashë, nuk më dhanë…”
më madhështoret e të gjitha dashurive
të dikurshmet janë…

dhe paska vetëm një dikur
dhe ajo je ti…
të tjerat janë të sotme që mbrritën para kohe…
e nesërmja nuk vjen kurrë…
pra eja ta vazhdojmë ku e kishim lënë…
ashtu pakuptueshëm…
pakuptueshëm përsëri…
vetëm dështakët duan t’i japin dashurisë së vjetër
një bibël tjetër…
një kuptim të ri…

ObserverKult


Lexo edhe

ARTAN GJYZEL HASANI: IKA… PO TË LË…