Institucionet kulturore në Kosovë, sidomos ato që aplikojnë artet skenike, duke luajtur në grupe apo formacione më të mëdha artistësh, janë përballur me një varg sfidash gjatë pandemisë së koronavirusit.
Qysh nga mesi i muajit mars të këtij viti, shumica e këtyre institucioneve pushuan aktivitetet e tyre të përditshme publike artistike, për shkak të masave kufizuese, të cilat i futën në fuqi autoritetet e Kosovës.
Artistët që ishin pjesë e këtyre institucioneve kulturore, por edhe drejtuesit e tyre, nisën të kërkojnë dhe zbatojnë forma alternative të kontaktimit me publikun.
Prej teatrit online te salla me publik të paktë
Në fillim të muajit shkurt, Teatri Kombëtar i Kosovës kishte publikuar repertorin e saj për skenën e madhe dhe atë të vogël të këtij teatri, ndërkaq premiera e parë e këtij viti “Zgjimi i pranverës” ishte planifikuar për 19 mars. Më 13 mars, autoritetet e Kosovës vendosën masat kufizuese.
Ushtruesi i detyrës së udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Adrian Morina, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kjo premierë ishte realizuar në muajin qershor, kur masat kufizuese tashmë ishin lehtësuar. Por, siç thotë ai, për të mos ndërprerë tërësisht punën, menjëherë në fillim të prillit, me nismën e Teatrit Kombëtar i Kosovës dhe në bashkëpunim me teatrot e qyteteve tjera të vendit, kishin nisur të organizonin shfaqjet teatrore online.
“Përgjatë muajit prill dhe muajit maj kemi dhënë gjithsej 56 shfaqje të një kalendari teatror të të gjitha teatrove të qyteteve në Kosovë, duke përcjellë trendin e teatrove të rajonit dhe të Evropës, të cilat në atë kohë jepnin shfaqje online. Por, natyrisht edhe asaj i erdhi fundi dikur dhe ai entuziazëm dhe ajo dashuri që të jesh në komunikim me publikun sa vjen edhe zbehet. Mandej, kah fundi i muajit t’i vazhdojmë provat në teatër, gjithmonë nisur nga vullneti i madh. Premierën e parë kemi arritur ta kemi më 12 qershor, që besoj që është premiera e parë në gjithë rajonin”, theksoi Morina.
Ai shtoi se këtë shfaqje e kishin përcjellë në teatër vetëm rreth 40 persona, për shkak të masave kufizuese. Në fund të muajit shtator kjo premierë ishte shfaqur po ashtu në teatër, por me mundësinë e shfrytëzimit të 40 për qind të hapësirës së teatrit.
“Nuk është ndjenjë shumë e mirë. Por, vullneti shumë i madh i aktorëve që të mos e ndalin punën dhe të kthejnë një lloj optimizmi, na ka shtyrë që të performojmë edhe për numër të vogël të publikut”, theksoi Morina.
Aktualisht, siç thotë Morina, për shkak të shtrëngimit të masave kufizuese, kur lëvizja e njerëzve është e kufizuar që nga ora 19:00 e deri në 5:00, shfaqjet janë organizuar në orët e pasdites, ndonëse me publik shumë të kufizuar edhe për shkak të terminit, si dhe shpeshherë të sfiduar për shkak se disa nga aktorët kanë qenë të infektuar nga koronavirusi.
Megjithatë, gjatë këtij viti, Teatri Kombëtar ka realizuar pesë premiera, dy në skenën e madhe dhe tri të tjera në skenën e vogël të këtij teatri, që nënkupton se ka realizuar gjysmën e planit të paraparë për këtë vit.
Filharmonia, koncerte nën masa të kufizimit
Filharmonia e Kosovës, e cila sivjet, më 19 nëntor, shënon 20-vjetorin e themelimit të saj, gjatë muajit shkurt ka realizuar tri koncerte, ndërkaq në fillim të marsit dy të tjera. Më 10 mars, ka qenë koncerti i fundit para fillimit të masave kufizuese, të cilat në Kosovë kanë nisur të zbatohen që nga 13 marsi.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, i cili edhe vet më pas ishte prekur nga sëmundja COVID-19 dhe të cilën e kishte tejkaluar me mjaft vështirësi, thotë për Radion Evropa e Lirë që Filharmonia i ishte kthyer përgatitjeve vetëm në muajin qershor. Në atë kohë masat kufizuese ishin lehtësuar nga Qeveria e Kosovës, por më pas ishin ashpërsuar sërish. Siç thotë ai, Filharmonia e Kosovës arriti që në kohë pandemie të dalë në skenë për koncert,, më 22 tetor, në Sallën e e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, e cila ka 400 ulëse. Por, koncerti u mbajt duke respektuar masat e kufizimit.
“Kanë qenë vetëm 50 dashamirë të muzikës, të cilët janë lejuar ta përcjellin koncertin, meqë vetë orkestra kishte mbi 50 instrumentistë. Ka qenë shumë interesante, kur ne pas shtatë muajsh jemi rikthyer para publikut, por para një publiku që ishte në numër shumë të vogël. Ishte një ndjesi e përzier, një melankoli. Mund të them që nuk ishte me atë entuziazmin që ne absolutisht e kemi në koncertet kur numri i publikut ‘vlon’, ku kemi problem që ta mbyllim edhe derën e sallës sepse edhe nga korridori janë munduar ta shohin koncertin”, tha Jashari.
Ai shtoi se që atëherë, brenda më pak se dy muajve, Filharmonia e Kosovës ka realizuar shtatë koncerte. Por, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, në atëkohë ka qenë e lejuar shfrytëzimi i vetëm 40 për qind të kapaciteteve hapësinore, ndërkaq më pas, vetëm 30 për qind e këtyre kapaciteteve.
“Shota”, jubileu me koncert televiziv
Nën kushte dhe masa kufizuese të ngjashme gjatë pandemisë është sfiduar edhe Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”. Ky ansambël kishte planifikuar mbi 25 paraqitje brenda vitit, përfshirë edhe disa festivale ndërkombëtare. Por, pas dy paraqitjeve, në muajin shkurt dhe në fillim të marsit, kishte ndërprerë aktivitetet artistike, përfshirë edhe përgatitjet për shënimin e 70-vjetorit të krijimit të ansamblit, më 27 shtator.
Rikthimi i ansamblit “Shota” në skenë, siç thotë për Radion Evropa e Lirë drejtori i këtij ansambli, Shefqet Gjocaj, u bë më 26 nëntor, në Teatrin Kombëtar, ku numri i atyre që kanë ndjekur koncertin nën masa kufizuese, ishte 100.
“Është dashur t’i shkrijmë tre koncerte, të parapara si premiera, në një koncert. Absolutisht është e vështirë për artistët sepse koncertet mbahen për publikun. Në qoftë se shfaqja nuk arrin te publiku, nuk ka efekt edhe nëse shfaqet. Sidoqoftë, ne për shkak të përvjetorëve të rëndësishëm, ishim të obliguar ta realizojmë koncertin edhe me shpresën që i njëjti do të transmetohej (në televizion). Unë shpresoj që do të transmetohet në ditë në vijim, por janë shumë gjëra që nuk varen nga ne. Praktikisht, neve na kanë mbetur shumë projekte të këtij viti që t’i bartim në vitin e ardhshëm”, theksoi Gjocaj.
Ai gjithashtu shtoi se në muajin prill, artistët dhe bashkëpunëtorët e ansamblit “Shota” realizuan një koncert online, i cili u shfaq në një nga televizionet vendore.
Art në periudhë traume
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, thotë se të gjitha institucionet kulturore, të cilat funksionojnë në kuadër të kësaj ministrie, por edhe të tjerat, janë ballafaquar me mjaft sfida gjatë pandemisë së koronavirusit.
Në kuadër të ministrisë funksionojnë, Tetari Kombëtar i Kosovës, Filharmonia e Kosovës, Ansambli i këngëve dhe valleve “Shota”, Galeria e Ministrisë së Kulturës, Galeria Kombëtare e Kosovës, Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Kosovafilmi.
Por, sipas saj, kjo ministri dhe ajo vetë personalisht, bashkë me të gjitha institucionet kulturore, të cilat janë në kuadër të kësaj ministrie, kanë punuar ngushtë.
“Ne me institucionet, mendoj që kemi bërë një punë të shkëlqyeshme, duke filluar nga teatri, galeritë, muzetë, ku kemi prezantuar në atë kohë traumatike një program të larmishëm në rrjetet sociale, duke pasur drama, komedi, pastaj filma nga Qendra Kinematografike, si dhe prezentimin e koncerteve të ‘Shotës’”, tha Dumoshi.
Megjithatë, ajo që sipas ministres Dumoshi mbetet e rëndësishme gjatë kohës së pandemisë, është fakti që këtyre institucioneve dhe artistëve të tyre, pavarësisht ndërprerjes së punës për disa muaj, nuk u janë ndërprerë burimet financiare.
“Secili institucion, si Filharmonia, si Teatri dhe gjithë të tjerat, e kanë buxhetin e vet. Këtë vit, me marrjen e detyrës sime, e kam rritur buxhetin. Sa i përket aspektit financiar, ata e kanë pasur komplet këtë pjesë, e cila nuk është prekur dhe nuk është atakuar. I kanë marrë pagat për çdo muaj, si dhe programet që i kanë pasur dhe i kanë shfaqur, sigurisht që ato programe unë i kam nënshkruar, të gjitha ato të cilat ata i kanë pruar në tavolinën time”, theksoi Dumoshi.
Sipas saj, lajmi i mirë për institucionet kulturore gjatë kësaj pandemie, është vendimi i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për pavarësimin e këtyre institucioneve, të cilat kanë qenë mjaft të centralizuara dhe të gjitha vendimet lidhur me menaxhimin e tyre, kanë kaluar edhe përmes zyrtarëve të ministrisë. Që nga fillimi i vitit 2021, të gjitha këto institucione kulturore, do të veprojnë si të pavarura./RadioEvropaeLirë