Nga Arti Lushi
Duhet të ishte njëfarë promovimi libri sepse u neverita nga lavdet dhe fjalët e mira. Do duroja edhe ca, s’kisha ç’të bëja.
Ktheva kryet prapa dhe nja dy fytyra të dyshimta më dhanë të njohur. Medet, i përkas edhe unë kësaj bote. Së largu, ma ndolli nepsin një tryezë e shtruar për merak me ushqime dhe pije. A ishte kjo arsyeja përse njerëzit mbanin radhë për të thënë fjalë kaq të sheqerosura?
Kur u sosën duartrokitjet përmbyllëse, të pranishmit u ngritën gjithë drojë e përtesë. Sytë më zunë atë që duhet të ishte ish gruaja ime. Si në panair, i merrte me vete të dashurit e rinj. Po më shmangte. Donte që të shkoja ta përshëndesja unë. Ndërkohë frika se mos mbaronte ushqimi i shtruar rritej. Po i afrohesha tryezës, veç kur ndjeva dikë që më gjuajti nga vithet. Portreti i saj qe i hareshëm, lozonjar. Me siguri e njihja këtë grua. Më shumë se duhet.
M’u hodh në qafë. Pastaj më puthi në qafë. Ndezi një cigare, mënjanoi pak flokët dhe më pyeti “Ç’mendon për librin?”
-Nuk e kam idenë, i thashë. Unë vij vetëm për të flirtuar.
Doja t’i thoja për të ngrënë, por s’e di përse u shpreha ashtu.
Gruaja përballë meje vazhdonte të fliste për realitete të përbashkëta. Unë mendjen e kisha te ushqimi. Më duhet të gjeja një mënyrë për ta shmangur këtë njeri me hire dhe virtyte të zhurmshme. Sidomos tani që ish gruaja, me një pjatë në dorë, po bënte kërdinë pak më tutje.
Sajova një gënjeshtër aty për aty por nga goja ime doli me një vrazhdësi të thatë “Kam uri”.
Sapo mora pirunin dhe pjatën të merrja edhe unë ushqimin tim, më zgjoi me bezdi një zile telefoni.
E pashë veten sërish brenda trupit të një burri me stomakun bosh. Ktheu në gjumë, e urdhërova veten. Ti nuk je njeri, ti nuk je njeri, ti nuk je njeri…
ObserverKult
Lexo edhe: