“Knife to Gun fight” është titulli që ka zgjedhur fotografi Hans Madsen për njërën nga tri fotografitë e tij të shpalosura në një ekspozitë virtuale. Piktura natyrash të qeta të Diane O’Hern e të Heather Walkerit, si dhe dy fotografi të Eric Andersonit përbëjnë repertorin e ekspozitës “Art as Medicine: Artists react to present state” të hapur në faqen e “Blanden Memorial Art Museum” në Fort Dodge të Iowa.
Përderisa ky muze është mbyllur për shkak të pandemisë së virusit COVID-19, stafi vazhdon të punojë edhe prapa skenave, e bashkë me ta edhe artistët.
Në një situatë si kjo – kur jeta publike është pezulluar – hapësira digjitale është bërë mënyra e re që muzetë të ofrojnë shërbime arsimore për anëtarët, studentët dhe dashamirët e artit.
Siç shpjegohet në faqen zyrtare të Blandenit, veprat artistike mund të jenë ilaç për mendjen dhe shpirtin.
“Kjo ekspozitë është një përpjekje për të ofruar hapësirë, ku zërat kreativë mund të shihen e të ndahen. Gjendja e tanishme e botës duket mbytëse dhe kaotike, por edhe në këto kohë ende mund të shprehet një dashuri dhe bukuri e madhe. Arti është thelbësor, veçmas gjatë kohërave me përplot stres dhe ankth”, thuhet në përshkrimin e ekspozitës.
Ekspozita tashmë është e hapur për vepra të çfarëdo mediumi. Gjer më tani, janë plasuar 15 vepra në zhanre e teknika të ndryshme.
Për drejtorin e Blandenit, Eric Anderson, kjo ekspozitë është një mundësi që artistët të krijojnë kundrejt gjendjes aktuale.
“Është për të ofruar një hapësirë për artistët që t’i kumtojnë frustrimet, frikërat dhe optimizmin e tyre”, ka thënë ai. “Për shumë artistë, kjo është koha kur ata pyesin nëse vepra e tyre është e rëndësishme. Ne shpresojmë që njerëzit të krijojnë diçka që flet për këtë”.
Por, kjo ekspozitë pritet të begatohet edhe me krijime të artistëve nga Kosova. Këtë e ka konfirmuar për KOHËN edhe vetë drejtori i muzeut, Eric Anderson.
Në një prononcim për gazetën, ai ka thënë se ekspozita “Art as Medicine…” është e hapur për gjithsecilin që është mbi 18 vjeç.
“Blandeni po provon të arrijë sa më shumë artistë që është e mundur, dhe do të ishte mirë që kjo ekspozitë të përfshinte edhe artistë ndërkombëtarë. ‘Blanden Art Museum’ dhe qyteti i Fort Dodges janë të përkushtuar të zhvillojnë dhe vazhdojnë partneritetin dhe bashkëpunimin me miqtë tanë në Kosovë”, ka thënë Anderson.
Sipas tij, ky muze tashmë u ka nisur ftesa në adresë të artistëve Sehida Miftari, Lulzim Hoti dhe Arjeta Miftari.
“Blandeni ende nuk ka pranuar asgjë nga këta artistë të Kosovës”, ka shtuar ai.
Plasimet në këtë ekspozitë virtuale nuk kushtojnë fare dhe ajo nuk ka afat të mbylljes.
“’Blandeni’ është i përkushtuar t’i mbajë këto imazhe derisa ne vazhdojmë të kemi interes për to”, ka thënë Anderson.
Ndërkohë, mbyllja e muzeut për publikun i ka mundësuar stafit që të përfshihet në disa projekte që ndryshe do të ishin të vështira për t’u realizuar në rast se do të ishte i hapur.
Kështu ata i janë përveshur punës për t’i pastruar muret dhe t’i bëjnë disa projekte në piktura./koha