Prej një jave Turqia është mbërthyer nga zjarri. Aktualisht janë 112 vatra zjarri aktive në shumë qytete, pjesa më e madhe bregdetare.
Fatkeqësisht kanë humbur jetën 8 persona. Janë shkatërruar totalisht 1482 ndërtesa të ndryshme, 605 shtëpi dhe 3097 njerëz u prekën nga këto zjarre. Qindra mijëra kafshë janë djegur të gjalla, mijëra hektarë tokë janë përvëluar nga flakët. Turqia i ka humbur shpresat dhe tanimë edhe mundësitë që kishte në duar shpejt po mbarojnë. Ndaj të gjitha personalitetet, njerëzit më me ndikimin në Turqi janë bërë bashkë dhe i kërkojnë ndihmë botës. Aktorë, këngëtarë, personalitete nga bota e televizionit dhe jo vetëm kërkojnë nga Kombet e Bashkuara, Këshilli i Evropës, UNESCO që të ndihmojnë Turqinë në këto ditë të vështira.
“Po thërrasim të gjitha vendet që mund të na ndihmojnë. Ne jemi të shkatërruar dhe të shkretuar nga 112 zjarre. Ato që ne nuk mund t’i ndalojmë janë akoma shumë të forta. Ne nuk kemi mjaftueshëm avionë zjarrfikës për ta fikur zjarrin. Kemi humbur 8 persona, kaq shumë kafshë dhe pyjet tona. Ju lutemi na ndihmoni!!!!! Ne kemi nevojë për aeroplanë urgjentisht. Ne kemi vetëm 1 Botë. Ndihmojeni Turqinë!”, kjo është thirrja që kanë shpërndarë personalitetet e njohura në Turqi./dritare.net