“Artisti dhe natyra” e hapur për publikun deri më 10 nëntor

“Artisti dhe natyra” titullohet ekspozita në galerinë e artit “Kalo”, që vjen për publikun me punime të skulptorit Emanuel Koko dhe piktores Blegina Hasko. Në këtë ekspozitë prezantohen për publikun 22 punime.

Ekspozita përmban punë të këtij viti dhe është kuruar nga Blegina Hasko. Nga përsosmëria dhe lakonizmi i larmishëm, që të ofron natyra, artistët e arteve pamore/plastike, piktorët e skulptorët kanë mjaft për të shijuar e për të përvetësuar, thuhet në tekstin kuratorial.

“Askund tjetër më mirë se në natyrë nuk mund të gjejmë dritën me spektrin e saj magjepsës, hijen, ngjyrat, format, profilet, siluetat, linjat. Por, në natyrë, krahas përsosmërisë funksionale ekzistojnë edhe një sërë formash fragmentare e kombinacionesh spontane, befasuese të cilat, pa hezitim mund ti quajmë metafora të natyrës, gjuha e saj e simboleve, mesazhet e saj artistike të dërguara për ne për ti deshifruar, për ti kuptuar e përmirësuar më tej si në një situate dialogimi mes miqsh. Dhe dy artistët, piktorja dhe skulptori i kanë kapur më së miri këto metafora të natyrës”, vijon materiali.

Në tekstin kuratorial, thuhet se artistët e kanë kuptuar e dekodifikuar gjuhën e saj të veçantë, duke e sjellë nëpër dhjetëra punime, sikurse janë në ekspozitë. “Ndërhyrjet e dy artistëve ndaj pamjeve e sendeve të natyrës së gjallë, ndaj një guri ose një druri me formë të çrregullt, ndaj një peizazhi a trilli vizual të natyrës së gjallë, kanë synuar t’i shtojnë botës materiale shpirt, mendim, humanizëm, kontraste domethënëse, thellësi mendimi, atribute e kategori ekzistenciale të shoqërisë njerëzore”, thuhet në tekst.

Përfytyrimi i një figure njeriu, kafshë a shpendi dhe modelimi mbi të, duke filluar nga kompozimet e skulptorit Emanuel Koko, vetëm sa e zgjeron kuptimisht fragmentin lëndor të gjetur në gjendje gjysmë të përpunuar në natyrë, prej guri a druri qoftë ai. Duke e çuar edhe më tej punën e nisur nga natyra, skulptori ndërhyn me kujdes si bashkëpunëtor i ndërgjegjshëm, me koncepte të qarta për të bukurën e kategoritë e tjera estetike, me delikatesën dhe përpikërinë instiktive prej krijuesi me përvojë. Edhe më i ndërlikuar është procesi i asimilimit e rikrijimit të natyrës në punimet e piktores. Ajo e ka asimiluar më së miri lëndën e pafundme ofruar nga natyra dhe ka mundur ta konvertojë në figura të fuqishme vizuale, në tablotë me peizazhe ku mbizotëron enigma, simbolizmi, polivalenca semantike, dramaticiteti.

“Arti dhe natyra” do të jetë deri e hapur për publikun deri më datë 10 nëntor. /atsh