Artisti nga Kosova në “Tape Art Festival” risjell pikturën e 1905-s

Artisti nga Kosova, Berat Hasani, do ta risjellë në një version të modifikuar veprën e njohur të vitit 1905 “Harvesters”, mjeshtres daneze, Anna Ancher. Pikturën impresioniste do ta realizojë me shirit ngjitës.

Qëkur pandemia filloi, ai është dhënë pas “Tape art” (Artit me shirit ngjitës), që është zhvilluar nga arti urban në vitin 1960. Hasani, me veprën “Harvesters”, do të bëhet pjesë e edicionit të parë të festivalit “Tape Art Festival” që do të mbahet në Køge, rreth 39 kilometra në jugperëndim të Kopenhagës, që mbahet prej 12 deri më 19 shtator, shkruan ‘Koha’.

Vepra vaj në pëlhurë “Harvesters” shfaq një burrë dhe dy gra në rrugën e tyre për punën e kositjes në një fushë rreth Skagen. Fshati në pjesën veriore të Danimarkës ishte destinacion veror për shumë artistë skandinavë që realizuan pikturat e tyre që njihen si “Skagen Painters”. Ani pse artistët kishin stile të ndryshme, qasja në pikturë ishte gati e ngjashme. Ata pikturonin skena nga takimet e tyre dhe hapësirat që i rrethonte. Në mesin e tyre ishte edhe Anna Ancher, që konsiderohet një nga artistet me të mira të artit pamor në Danimarkë.

“Tape Art Festival” ka nisur si iniciativë e një grupi të artistëve që e kanë për zemër realizmin e veprave me shirit ngjitës. E quajnë veten “Tape Over”, e janë një grup i artistëve ndërkombëtarë të vendosur në Berlin që nga vitit 2011.

“Rrënjët janë në subkulturën e Berlinit, ku anëtarët krijonin vepra me ngjitës nëpër qytete si dekorim me shumë ngjyra për klubet tekno, e që kanë funksionuar edhe si një shesh kreativ lojërash. Arti i krijuar nga ky grup i artistëve përfshin elemente të artit të rrugës, e po ashtu edhe të artit urban dhe është i karakterizuar edhe nga detaje të artit të rafinuar. Arti reflekton ato që i inspirojnë më së shumti pjesëtarët e grupit”, është përshkrimi që ky grup i bën vetes në faqen e vet zyrtare. Aty kanë ndarë detajet edhe për edicionin e sivjetmë të Festivalit që e kanë nisur edhe me ndihmën e Komunës së Køges, transmeton ‘koha.net’.

Pesëmbëdhjetë artistë nga Evropa do t’i mbulojnë hapësirat urbane të qytetit me art, e do të hapet edhe një ekspozitë me veprat e artistëve. Njëkohësisht, do të ketë edhe punëtori dhe biseda me artistë. Tema e sivjetme e festivalit është “Fuqia e gruas”. Me veprën e tij, artisti që posa i ka hyrë këtij stili, videografi e regjisori Berat Hasani, synon që ta theksojë këtë fuqi.