Artistja përlotet gjatë intervistës: Ajo godinë simbolizonte rrënjët e identitetit shqiptar

Aktores Ermira Bahiti-Gjata dje fokusi i aparatit ia ka fiksuar një moment dhimbjeje të madhe të shpërfaqur në fytyrë, në pamundësi për të bërë asgjë për Teatrin Kombëtar që po shembej.

Lidhur me dhimbjen e saj për shembjen e godinës së Teatrit, aktorja bahiti-Gjata ka folur sot e emocionuar në një intervistë për “ABC e Mëngjesit”.

Duke ju dridhur zëri ajo tha se me atë vendim ditën e djeshme janë shembur rrënjët e identitetit.

“Kur më thanë se vërtet teatri po shembej, shkova dhe kur pash se ajo fadroma po i binte mureve të teatrit ku kam luajtur unë dhe aktorë të shquar, me erdhi keq edhe për diçka tjetër… çfarë do t’u themi të rinjve që kanë një ëndërr, që duan të bëhen aktor?
Nuk është e lehtë të bëhesh aktor, të jetosh si aktor me profesionin e aktorit, e megjithatë ata e dinë këtë gjë, e kanë marrë parasysh dhe po e bëjnë.
Çfarë do t’u themi studentëve, atyre që ju kam thënë se është faltorja më e madhe, tempulli më i shenjtë i aktorëve?
Por ajo godinë, nuk e ka vetëm anën emocionale të aktorëve. Ajo godinë bart me vete një histori të fortë, rrënjë të identitetit shqiptar, për mendimin tim, sepse aty është historia e një kulture që është trashëguar prej 70 vjetësh dhe kjo nuk është pak.
Është themeluar për herë të parë aty teatri profesionist në Shqipëri”, u shpreh ajo e emocionuar.

E pyetur nga moderatori se a mendon se kjo është bërë me paramendim, duke e ditur se pikërisht me datë 17 maj të vitit 1945 është hapur zyrtarisht Teatri Kombëtar, Ermira theksoi se po, mund të jetë bërë me paramendim sepse sipas saj, maliniteti i këtyre njerëzve  është kaq arrogant, nihilist dhe prepotent që ta dërmon çdo lloj emocioni.
“Dhe nuk duan t’ja dinë fare që ekzistojnë këta njerëzit e tjerë që e mbajnë me thonjë e dhëmbë atë godinë…”, tha për fund aktorja Gjata./ ObserverKult