Arta Gashi-Loxha qysh se e mban veten në mend thotë se arti vizual ka qenë gjithnjë i pranishëm tek ajo. Kur kishte nisur klasën e parë në Manhattan të New Yorkut, në detyrat e shkollës, shkrimi i fjalive zinte vetëm një pjesë në krye të faqes ku shkruante.
Pjesën tjetër e rezervonte për ta përcjellë me ilustrime. Kështu vazhdon edhe sot. Me laps dhe stilolaps lëviz në fletën e bardhë për të krijuar forma të ndryshme të figurave.
Ditët e karantinës për shkak të masave për parandalimin e koronavirusit, veçse i kanë dhënë më shumë hapësirë t’i dedikohet vizatimit, shkruan Koha Ditore.
Seria e letrave të realizuara në karantinë
Kultura e tradita si në shumicën e punimeve të saj janë shkas edhe për serinë që është duke e realizuar këto ditë. Imazhet në letrat që përdoren për të zhvilluar lojëra të ndryshme – ndër to edhe atë që njihet si xhandar – janë inspirimi për punimet e fundit të saj. Do të realizojë mbi 50 punime, ku do të vendosë ndonjë figurë që ka motive shqiptare.
Arta Gashi-Loxha, që e kishte luajtur si fëmijë këtë lojë me gjyshen tashmë të ndjerë, kujtimet e malli për të i kanë shërbyer për të bërë bashkë dy elemente të rëndësishme nga fëmijëria dhe prejardhja e saj.
“Ideja pas këtyre letrave është e thjeshtë, por e rëndësishme: secila letër ka një imazh që i përket kulturës shqiptare. Për shembull, mbretëresha është veshur me teshat tradicionale nga Medvegja, në të cilën kam përfshirë spathi. Një tjetër mbretëreshë është e veshur me teshat nga Tropoja, tjetra në teshat e Korçës. Në këtë mënyrë e përfshij dashurinë për veshjet tona në veprat e artit tim”, shpjegon Gashi-Loxha për serinë e fundit që është duke realizuar.
Edhe pse e lindur dhe e rritur në qendër të New Yorkut, dhe në klasë ka qenë e vetmja nxënëse shqiptare, vazhdon të jetë fort e lidhur me rrënjët. Kjo lidhje do të reflektohej vazhdimisht në veprat e saj artistike.