Arton Humolli fiton në garën e madhe të revistës prestigjioze “PHOTO”

Arton Humolli

Nga Fahredin Spahija


Në një konkurencë jashtëzakonisht të madhe ku thuhet se kanë konkuruar mbi 50.000 fotografë nga i gjithë Globi, në edicionin e 39 të Konkursit ‘Le plus Grand Concours Photo du Monde 2019’ që organizohet nga revista e famshme me nam botëror ‘PHOTO’ (edicioni francez), fotografi i njohur shqiptar, Arton Humolli, u shpall fitues në kategorinë ‘Beauty’ me fotografinë ‘Mystic eyes’ – një portret fort impresiv i modeles Gresa Hoti. Në postimin e këtij lajmi të rëndësishëm për fotografinë shqiptare, autori Humolli shkruan: ‘Me këtë rast dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit në realizimin e fotografisë fituese ‘Mystic eyes’ duke filluar nga modelja Gresa Hoti, stilistja Njomëza Luci si dhe grimerja e flokëtari Sellma dhe Kaci.
Njëkohësisht dua t’i falënderoj të gjithë ata që i besuan dhe vazhdojnë t’i besojnë punës time tash e 15 vite.’

Në njoftimin që organizatori i Konkursit ia ka dërguar fotografit Arton Humolli, shkruan: ‘Përshëndetje Arton, jam i nderuar të të njoftoj se ti je njëri nga fituesit e ‘Le plus Grand Concours Photo du Monde 2019’. Partneri ynë, marka e njohur botërore ‘Fujifilm’ ka zgjedhur njërën nga fotografitë tua, fituese në temën ‘Beauty’. Për këtë arsye ju fitoni një publikim në revistën ‘PHOTO’, në numrin janar-shkurt si dhe një çmim të veçantë nga ‘Fujifilm’ (që do të publikohet në të njëjtin numër të revistës ‘PHOTO’).’

Revista ‘PHOTO’ duke e komentuar fotografinë fituese por edhe punën e Artonit në përgjithësi, shkruan: ‘Çdo vit, pa marrë parasysh a janë publikuar apo jo, fotografitë e Arton Humollit kanë tërhequr vëmendjen tonë. Sytë janë tema e serisë së tij personale të cilës i takon edhe ky portret, i titulluar ‘Mystic eyes’.

‘Me Njomza Lucin si stiliste dhe Kacin si floktar, vendosa që modelen Gresa Hoti ta mbuloja me një vello të zezë e të tejdukshme duke ia lënë të zbuluar vetëm pjesën e syve duke i fokusuar ata, që për mua simbolizojnë bukurinë femërore, pasionin dhe misterin.’

E realizuar në gushtin e vitit të kaluar në studion e tij në Prishtinë, kjo është njëra nga fotografitë e fundit të fotografit që modën dhe bukurinë e ka shndërruar në profesionin e tij tash e 15 vite. Adhurues i Helmut Newton dhe i Patrick Demarchelier, e pranon se është ndikuar edhe nga revista ‘PHOTO’ të cilën e koleksionon dhe në të cilën tashmë i janë publikuar fotografitë disa herë. ‘Mund të them se ‘PHOTO’ deri tani ka ndikuar shumë në karrierën time. Unë e dashuroj revistën ‘PHOTO’!

Revista ‘PHOTO’ në një nga numrat e saj të vitit 2017, fotografit shqiptar Arton Humollit ia publikon disa fotografi dhe për talentin e tij fotografik shkruan në superlativ. ‘Arton Humolli është një fotograf shqiptar nga Prishtina e Republikës së Kosovës. Në fotografitë e tij vend të veçantë zënë, moda dhe nudoja. Në bardh e zi a po në ngjyra duken për mrekulli figurat publike që i trajton me kujdes, ai. Inskenimet klasike të Arton Humollit janë publikuar në revista të ndryshme dhe s’ka dyshim se ato përbëjnë një tërësi të përkryer të fotografive të modes. Artoni ka qenë pjesë e disa ekspozitave të përbashkëta ndërkombëtare. Disa herë është publikuar në faqet e revistës ‘PHOTO’ duke iu falënderuar talentit të tij të padiskutueshëm i cili lehtësisht kalon çdo kufi.

Revista ‘PHOTO’ ka filluar botimin e saj në vitin 1967 dhe koncepti i saj redaktorial përfshin popullarizimin e artit fotografik si dhe prezantimin e fotografëve që kanë lanë gjurmë të dukshme në historinë e fotografisë por edhe zbulimin e emrave të rinj me vokacion të veçantë. Mund të thuhet me shumë siguri se Arton Humolli është fotografi i parë shqiptar në gjithë historinë e fotografisë shqiptare i cili trajtohet nga kjo revistë me përkushtim të vërtetë dhe fotografitë e të cilit kanë zënë vend në faqet e kësaj reviste në disa numra të saj.

Pavarësisht që Arton Humolli tashmë njihet ndërkombëtarisht dhe se talenti i tij i veçantë është konfirmuar edhe nga revista me nam botëror ‘PHOTO’, ai në qytetin e tij të lindjes vazhdon të anashkalohet dhe kërkesat e tij për një ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Kosovës janë refuzuar vazhdimisht. Fundja, ai nuk ka fort nevojë për një ekspozitë të tillë në Prishtinë sa do të kishte nevojë vet Galeria për të e cila do të duhej që Artonit t’i bënte një ftesë për një paraqitje më të gjërë me fotografitë e zgjedhura të tij, të cilat janë të shumta.
Në vitin 2015, Arton Humolli kishte ekspozitë personale në Galerinë Kombëtare të Tiranës (e vetmja paraqitje e tij personale deri tani) e cila u mirëprit dhe u vlerësua shumë nga mediet dhe kritika shqiptare. Në një prononcim timin për ‘Gazeta Shqiptare’ lidhur me fotografinë e Artonit, jam shprehur afërsisht kështu: ‘Ka me ardhë dita kur ju që po e shijoni këtë ekspozitë të këtij fotografi shumë të veçantë keni me u krenu që ishit të pranishëm në paraqitjen e artit të tij, në këtë Galeri.’

Ballina e revistës në të cilën është shpall fitorja e Artonit
Ballina e revistës në të cilën është shpallë fitorja e Artonit
Fotografia fituese e Artonit ‘Mystic eyes’