As grekërit nuk ia prishën shtëpinë Faik Beut…

Faik Bej Konica

Nga: Auron Tare

Sot më 15 të marsit të 1875-ës, lindi në Konicë të vilajetit të Janinës, një nga shqiptarët më brilantë të Rilindjes Kombëtare, Faik Beu.

Pinjoll i fundit i Oxhakut të Konicës, studioi në një sërë shkollash perëndimore, ku më e rëndësishmja për formimin e tij ishte shkolla e priftërinjve jezuitë në Shkodër, si dhe Instituti Frëng në Gallatasaraj të Stambollit. Udhëtar i përjetshëm, aristorat i rafinuar, englez më shumë se inglezerit, frëng më shumë se frengjërit, kritik dhe eseist brilant; jetoi në disa kryeqytete europiane ku jetën ia dedikoi Shqipërisë edhe pse shkruante për një komb që më së shumti nuk lexonte. Mbrojtësi më i madh i Kulturës shqiptare në Europë, por edhe kritikuesi më i ashpër i saj brenda vendit, Faik Beu kudo që shkoi shkëlqeu nga kultura dhe eksentricizmi i tij.

Mjeshtër i shqipes, zbulues i flamurit të Arbrit, mbajtës i qiririt të ndezur të shkrimit shqip, kalorës i pavarësisë – Kombi i shqiptarëve, rrallë mund të nxjerrë figura të tilla që ndriçojnë dhe çudisin njëkohësisht bashkohësit e tyre.

Faik Konica

Në kryeqytetin e Amerikës së largët, shpesh i mërzitur nga padija gjeografike e amerikanëve, bridhte bulevardit të Washingtonit i veshur me rroba kombëtare shqiptare, për të tërhequr vëmendjen e publikut për këtë vend e komb të harruar. Dashuria e tij e madhe për identitetin kulturor shqiptar e bënte atë, një kritik therës të pasanikëve dhe injorantëve të rinj, që mbushën shtetin e brishtë, të cilët, nuk e kuptuan kurrë shpirtin e aristokracisë shqiptare që Faik Beu e përfaqësoi aq denjësisht.

Shkrimet e tij therëse lexohen me ëndje sot, sikur t’i ketë shkruar enkas për injorancën shqiptare postkomuniste. “Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë zënë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mend mirë këtë që po ju thom: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa ishim”

Gjithe jetën, Luftoi për një Shqipëri më të mirë, vdiq i vetmuar në një dhomë hoteli me faturat ende të papaguara, pasi nuk kishte më asnjë mjet jetese.

Shtëpia e Faik Konicës në Konicë.

Disa vite të shkuara, shkova në Konicë për të parë shtëpinë e tij.

E rrënuar, sigurisht, por çuditërisht, grekërit, të cilët Faik Beu i kishte kritikuar gjithë jetën për zullumet kundër shqiptarëve, nuk ia kishin prishur shtëpinë Beut të letrave të shqiptarëve. Nuk ia kishin marrë qoshet e mureve, të gdhendura aq bukur. Nuk ia kishin shkulur portën madhështore dhe t’ia shisnin, as baçenë nuk ia kishte marrë ndonjë i fortë nga Konica. Çudi e madhe! Grekët e kishin respektuar shenjtërinë e shtëpisë së Beut të Konicës. Të kishte qenë kësaj ane të kufirit, shtëpisë së Faik Beut, me siguri nuk do t’i kishte mbetur asnjë gjurmë, se do t’ia kishin vjedhur gurët e shtëpisë ata që Faiku u këndoi dhe i mbrojti gjithë jetën e tij.

Grekërit që ne i shajmë gjithë kohën, në fakt, me mençuri kanë mundur të restaurojnë çdo gjurmë të tyre, apo që pretendojnë se është e tyrja në Shqipëri.

Shteti i shqiptarëve, nuk i doli dot për zot, jo shenjave të rëndësishme kombëtare, siç është shtëpia e Faik Beut në Konicë, për shembull, por as ato që ka këtej kufirit të vet. Sa bukur do ishte sikur ne shqiptarët e kësaj epoke, të mundemi si të barabartë me grekërit, të tregojmë fisnikërinë dhe të mundemi të restaurojmë shenjat tona të rëndësishme të kulturës sonë, përpara se t’i humbim ato përfundimisht dhe pas një, shekulli të jenë tretur si shumë e shumë figura që sot nuk u dihet as varri.

Eh, sa ëndërr e bukur, por siç do të thoshte Faik Beu, kur mërzitej me Shqipërinë e tij dhe Peshkop Noli, i Bostonit, e kritikonte se nuk kishte shkruar prej kohës për mëmëdhenë “Hirësi, ja i shkrova unë, po kush do t’i lexojë?”/konica.al

ObserverKult

Lexo edhe:

FAIK KONICA, MINISTRI I PARË SHQIPTAR QË VIZITOI SHTËPINË E BARDHË NË SHBA