As shkuma toksike nuk i pengon besimtarët, lahen në lumin e shenjtë

Lumi i shenjtë Yamuna që rrjedh nëpër kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi, është mbuluar me re të mëdha shkume toksike, të cilat sipas aktivistëve vendas, vijnë si pasojë e derdhjes së paligjshme të mbetjeve industriale dhe ujërave të zeza në lumë.

Siç duket edhe në pamjet e Reuters, kjo nuk i ka ndaluar besimtarët që të futen në lumë dhe t’i gëzohen shkumës së bardhë, por vrastare, transmeton ‘a2news.com’.

Sipas aktivistëve, industritë e prodhimit të rrobave, shumica e të cilave janë ngritur ilegalisht në zona të banuara në kryeqytet, po derdhin ujëra të ndotur në impiantet e ujërave të zeza.

—————————————

LEXO EDHE: ÇFARË PËRFAQËSON LUMI GANG, I ADHURUAR NGA MILIONA NJERËZ?

Shumë lumenj kanë ushqyer njerëzit në historinë tonë të pakufishme. Dhe disa nga civilizimet më të mëdha antike kanë lindur pikërisht në brigjet e lumenjve. Por askush prej tyre nuk arriti një famë të tillë si “Goddess Ganga”, lumi Gang.

Lumi Gang për nga fama ai mund të krahasohet vetëm me lumin Nil. Që mbështeti zhvillimin e qytetërimeve të mëdha egjiptiane. 

Lumi Gang shtrihet në 2.510 km gjatësi në territorin e Indisë. Ai rrjedh nga majat e Himalajeve deri në oqeanin Indian në Gjirin e Bengalit.

Në këtë udhëtim të gjatë ky lum i shërben një popullsie prej rreth 400 milionë njerëzish.

Ai rrjedh përmes më shumë se 100 qyteteve, të mëdhenj dhe të vegjël. Dhe disa prej tyre janëqytetet më të vjetra të mbijetuara në planet.

Pse cilësohet i shenjtë?

Po pse ky lum cilësohet i shenjtë? Në besimin Hindu, uji konsiderohet i shenjtë. Pasi ka fuqi pastruese shpirtërore dhe natyrore për të hequr mëkatet nga trupi i njeriut.

Miliona njerëz që lahen çdo vit në ujërat e Gangut, janë të bindur se kjo gjë do t’i pastrojë ata nga mëkatet e tyre. Duke i ndihmuar në rrugën e tyre për tek“moksha” ose shpëtimi i tyre.