Astrit Delvina: Ti s’kishe nevojë për një dashuri të madhe…

lamtumirë jane austen teodor fontan guxim

“E kuqja”- nga Astrit Delvina

Kur e dashurova ishte veshur me një fustan të kuq. Të kuqe i kishte dhe buzët mishtake. Nuk lyhej kurrë.

Lulëkuqja, koralet ma kujtonin shpesh. Shoqërim idesh. Planeti i kuq, Marsi i egër, ma sillte ndërmend gjaku… ma binte përpara syve.

Erdhi me një fustan të kuq. Dhe iku me rroba të zeza. Një ditë pashke plot vezë të kuqe. Nuk e di nga erdhi. Nuk e di ku shkoi. Nuk e di nëse do të kthehet ndonjëherë. Erdhi me përdredhjet e një zvarraniku dhe iku me furinë e një demi.
Pse demat e urrejnë ngjyrën e kuqe? Po sikur të ishte i tërë qielli i kuq, a do ta pëlqenim më shumë qiellin e kaltërt?
Pirati i kuq! Lëkurëkuqët!

E kuqja më ka pëlqyer e s’më ka pëlqyer. Një dhomë me mure të kuq do të më peshonte shumë. Thonë shkencëtarët se e kuqja ka qindra nuanca.

Çiklaminë, trëndafili, e kuqe ngjyrë gjaku etj.
Rubini i kuq. Gur i çmuar.
Rubini që të pëlqente aq shumë ty, o fustankuqe! Një kordele çiklaminë në mes të flokëve. Re të kuqe në perëndim.

Duken sikur i ka ndezur dielli me ëndrrat e tij. Hënë e kuqe si një petale e skuqur më zjarrin e skëterrës. Zjarr! Flakë të kuqe! Sy të kuq të sarhoshëve dhe të vrasësve që dalin nga cepat e errta të natës! Djersë e kuqe e histerikëve.coude kind of saimer!
Borë e kuqe – vullkanike.

Ngjyra e parë e spektrit diellor. Përtej, infra të kuqet, që nuk i shohim. Ç’ngjyrë kanë vallë ato? Kam ndejtur me ditë e netë të tëra për të imagjinuar ngjyrën e valëve infra të kuqe. Më kot. Nihil in intell ectu, quid prius non fuorit in senior?
Kufizim i shqisave tona.

“E kuqja dhe e zeza”, romani i Stendalit, që të pëlqente aq shumë ty. Të kujtohet? Unë të dukesha si Zhylien Soreli. Sa të doja atëherë!


Ne dashurojmë gjithmonë një fantazëm. Brenda teje jetonte një shtrigë. Më mirë të të veshja me rroba të çmuara se sa me poezi. Me atë fustan të kuq më dukeshe sikur ishe pështjellë prej flakësh. Flokë të kuqe rreth një statuje të akullt.

Sa bukur më gënjeje. Më gënjeje me vetë poezinë me të cilën të kisha veshur. Poezia është petku më i çmuar i dashurisë që e ngre femrën në fronin e Madonës!

Nuk e di: A janë vallë poetët që kanë krijuar dashurinë e madhe apo është dashuria që ka krijuar poetët?
Deti i kuq! Moisiu, Josifi dhe gruaja e Putifarit! Deti i kuq dhe romani “Djujmi i fundit” i Olldrixhit. Sa të pëlqente romani “Dipllomati”.

Ketrini me të dashurin në shkretëtirën e Iranit. Natën ai i pëshpërit poezitë e ëmbla të Hazif Shirazit.

“Kur dëgjoj lirikat e Shirazit, më thoje, më duket sikur më shtohen rruazat e kuqe të gjakut, një jetë e re futet në shpirtin tim”.
Shpirti yt? Shpirti yt, i fshehur nga një trup i bukur! Trupi i bukur, i fshehur nga një fustan i kuq! “Byzylyku me gurë të kuq”. Të pëlqente dhe kjo novelë e Kuprinit. Një dashuri e madhe! Të pëlqenin filmat, qaje për fatin e zi të protagonistëve dhe shtrëngoheshe pas meje si të kishe frikë se mos treteshe ndër duar! Dhe unë isha i lumtur. I gënjyer, po i lumtur.

Dhe e doja shumë atë ngjyrën e fustanit tënd! Tani e kuqja më çmend, më bën të më kalojnë mornica në zemër. Feneri i kuq! Sy qikllopi që të josh për t’u kredhur në përkëdheljet e blerta. Sinjali i kuq. Makinat ndalojnë. Efekti Doppler.

Shpejtësia e madhe, një dritë të kuqe e kthen në të gjelbër. Po të vija drejt teje me shpejtësi fotonike, ti do më dilje përpara e veshur me të gjelbër.

Me çfarë shpejtësie duhet të sulem drejt teje që të më dukesh e mirë dhe e dashur si më parë?

Vera e kuqe. Çmendeshe pas kësaj pije.
Me një gotë bëheshe gjysmë e dehur. Çakërqejf. Harroje çdo qëndrim serioz. Nderi i grave është shumë i tretshëm në alkool, mendoja unë pak i frikësuar.

Nganjëherë më dukeshe sikur do të bije në krahët e cilitdo qoftë, pasi të pije dy gota verë. Pastaj të dhimbte koka, rrije si e trullosur dhe bije në një gjumë të thellë.

Rouge-noire. E kuqja fiton. Montekarlo. Kazino. Vendi i kumarit ndërkombëtar. Hyn i varfër e del milioner. Ose anasjelltas.

Unë hyra në shpirtin tënd i pasur dhe dola i varfër. I mjerë. M’i gllabërove ëndërrimet. Po shpirti im fabrikon të reja si banka që nxjerr kartmonedha të reja fringo! Ti më braktise kur unë rashë në humnerë. Vrave një shpirt që dashuronte shumë. Ti s’kishe nevojë për një dashuri të madhe si në të tjera të seksit tënd. Dhe unë tani kam vetëm epsh, epsh e asgjë tjetër. Bashkëjetesa me një femër më është e pamundur. Fustani yt i kuq, ëndrrat e mia të kaltërta, syri yt i zi.

*Shkëputur nga romani: “Ëndrra me ngjyra”

*Marrë nga profili në “Facebook” i Beti Njumës

ObserverKult


Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

Lexo edhe:

PAS ARRESTIMIT, ASTRIT DELVINA, MBETI EDHE PA FAMILJE- U NDA NGA GRUAJA DHE VAJZA

Shkrimtari disident që u persekutua nga regjimi komunist, vuajtjet e tij në burgjet komuniste, ndarja nga familja dhe kujtimet e vajzës së tij, Manila Delvina…

Ishte kthyer nga Bolonja në vitin 1943, i diplomuar atje si mjek kirurg. Astrit Delvina kishte nisur ndërkohë të spikaste si shkrimtar i talentuar.

Kishte bashkëpunuar me disa gazeta në gjuhën shqipe në revistën “Bleta”, ku kishte botuar një sërë tregimesh, novelash. Krejt këto me pseudonimet Lek Copa, Astor apo edhe zoti Kaçija.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult