E humbi gruan dhe vajzën, por tmerri i të arrestuarit nuk u ndal me kaq…

astrit ...

Ishte kthyer nga Bolonja në vitin 1943, i diplomuar atje si mjek kirurg. Astrit Delvina kishte nisur ndërkohë të spikaste si shkrimtar i talentuar, kishte bashkëpunuar me disa gazeta në gjuhën shqipe në revistën “Bleta”, ku kishte botuar një sërë tregimesh, novelash, me pseudonimet Lek Copa, Astor apo edhe zoti Kaçija.

Më pas, do të vijonte te revista Kritika e A. Pipës me esenë “Shkenca dhe arti”, për të vazhduar më pas në të tjera media shqiptare me artikuj të ndryshëm.

Ishte kthyer në Shqipëri dhe ishte caktuar të punonte si ndihmësmjek në Ishëm. Pikërisht në këtë kohë, Astrit Delvina u arrestua nga Sigurimi i Shtetit, i akuzuar për agjitacion e propagandë, në këtë kohë, ai arriti të shkruajë nëpër birucat e burgjeve komuniste, romanin “Sykuqi”, ku tipizohet një informator i Sigurimit që përndjek intelektualët.

Do të vazhdonte më tej me të tjera romane e vepra letrare me shumë vlerë, shumë prej të cilave sekuestroheshin e shkatërroheshin nga xhelatët komunistë, e rrëfen kushëriri i tij Sherif Delvina, i cili ka mbledhur me sa ka mundur veprën e Astrit Delvinës, pas viteve 90.

“Libri “Humnera e Plutonit” është i përbërë nga tri pjesë. Kur e mora unë si dorëshkrim, pjesa e tretë mungonte, nga materialet që kam gjetur në arkivat e shtetit, në ekspertizën letraro-ligjore që i është bërë veprës, kam mundur ta rindërtoj pjesën e dytë. Në atë ekspertizë që i është bërë veprës, Astrit Delvina del hapur kundër diktaturës, kundër luftës së klasave.

Ky është një rast i rrallë i dokumentuar në arkivat e shtetit. Në vitin 1951, kur Astriti hyri në burg, shkrimtarët e tjerë bënin vjersha për Stalinin, sepse ai doli hapur kundër regjimit të kohës, veç këtyre ai ishte një njeri që spiunohej nga shumë persona”, rrëfen Sherif Delvina në një intervistë në tv Shijak.

Astrit Delivina u lirua nga burgu në vitin 1956 dhe më pas u caktua si punëtor krahu. Kalvari i vuajtjeve vazhdon me internimin në Libofshë e Levan të Myzeqesë, për të mbërritur në arrestimin e dytë në vitin 1969.

Është pikërisht ky momenti, kur ai sapo kishte pëfunduar romanin “Dhe në varreza nuk ka qetësi”, të cilin ia sekuestroi Sigurimi i Shtetit, Astrit Delvina u dënua me 10 vjet burg: 1967 – 1976 dhe dënimin e kreu në burgun e Spaçit.

Vijoi më pas persekutimin në fshatin Shtyllas të Myzeqesë, ku punoi deri në fund si punëtor krahu, deri në maj të vitit 1990, kur u kthye në Tiranë i sëmurë rëndë, pak muaj më pas, vdiq në vetmi.

Qysh kur u arrestua për herë të parë, Astrit Delvina humbi edhe familjen e tij, ai u nda nga bashkëshortja dhe vajza e tyre, Manila. Pas vitit 1990, e bija Manila Delvina, ka botuar në media disa kujtime të saj për të atin.

“Kujtimet e mia për babain tim janë shumë të pakta, sepse fati e deshi që unë të mos rritesha me të, ai u arrestua për tentativë arratisjeje dhe propagandë kundër regjimit, kam disa kujtime nga fëmijëria.

Më kujtohet kur vinte në Durrës të më merrte, kishte dhe një dajë atje. Ai më thoshte se, kur unë flija. Babai rrinte zgjuar e më shihte, mbaj mend pak dhe kohën kur punonte si mjek në Libofshë dhe unë kam shkuar dhe kam ndenjur atje 2-3 javë, këto kanë qenë kohët ku kam ndenjur më gjatë me të.

Rastet e tjera kanë qenë sporadike, pasi vetë jeta na ndau. Ai ka qenë jashtë rrethit të Durrësit, në Libofshë, pastaj në Levan, ndërsa unë ndenja në Durrës. Më ka munguar shumë, këtë mungesë e kam ndier sidomos në moshën e fëmijërisë”, shkruan e bija Manila Delvina.

Fati e desh që ajo të mos qëndronte me të atin Astrit Delvinën, pasi për shkak të persekutimit, ai u detyrua të ndahet nga bashkëshortja e nga vajza Manila./kujto.al

Përgatiti: Luljeta Progni

—————–

Lexo edhe:

Tmerret e komunizmit: E kishte shkruar me gjak në muret e burgut: “Amanet fëmijët, nesër pushkatohem”

ObserverKult