Me 28 gusht të vitit 1924 erdhi në botën shqiptare At Zef Pllumi, pra ai mbush 100 vjeç nesër!
Nga Agron Gjekmarkaj
Nuk e di a do kujtohet ndokush për të por sigurisht nuk pritet shumë sidomos nga administratorët “kryematarë e surratqerep” të kulturës sot të cilët janë të zanë me kapë ndokund ndoj pronë a me mjelë ndonjë tender!
Tani të gjithë vrapojnë me ndukë ndoj lek “dija , kanga e historia thirren dokrra kah Shqipnia”… herët fort e pat nuhatë këtë tendencë At Gjergj Fishta e cila sot valon si flamuri i dreqit të mallkuem në zyrat ku duhet me u rujtë kujtesa, me u njoftë kontributet, me u shumfishu trashigimia, me u ndërtu modelet kombetare, me u shfaqë mirënjohja njerëzore e shtetnore për ata që nuk ishin aspak të zakonshëm në morinë e gjanave të pazakonshmë që na lanë trashigim.
Habitej qysh në 1945 Ati ynë Pllumi atëbotë 21 vjeçar sesi një popull kaq i vogel mundej me qitë kaq shumë rrugaça teksa peshtyheshin duarlidhun ata që ma shumë se kushdo u perpoqen “me ba Shqipninë e shqiptarët”.
Kesi rrugaçash të verbet në çdo shqisë që dinë çmimin e gjithçkaje e vleren e kurrgjajë ka boll edhe sot e natyrisht nuk presim as na duhen nderimet e tyne! Tjetër asht shoqnia tjetër janë ata, paçka se koston e paguan e para e derisa ajo të njohë pergjegjësinë e vet kësaj farë kopukesh ka me i ecë kungulli mbi ujë si transoqeanik. Çdo bihude e tillë ka me u pa tu na krypë mënd qysh asht mirë e qysh asht keq, qysh asht bukur e qysh asht shemtuet e qysh fati i madh nuk na ka lanë pa ta për me ba dallimin historik mes kesaj kotille e burrave si At Zef Pllumi.
Fratin e shkrimtarin e të vertetave të mëdha, “të dëshmive historike”, “të lirisë kunder tiranisë” burrin e llogoreve per “identitetin europian të shqiptarve”, “misionarin e rebeluar”, të përkthyerin në gjuhët e mëdha me bestsellirin e modernitetit, antropologjinë kulturore e historike të kombit tonë “Rrno vetem per me tregue”, nxënësin e Fishtës, At Anton Harapit e At Gjon Shllakut që doli të çojë tek bashkëkohesit amanetin e tyre atë të një Shqipërie “të vjetër” që dëshmohet si e tillë qysh me ”Mesharin” e Buzukut e cila u mbyt dhunshëm, dhe u zëvendesu me të “renë” e “njeriun e ri” pastaj me interesa pragmatiste e pasione zhbërëse, po e bëjme një me fjalët e njërit prej mësuesve, të atij që u pushkatua sapo tirania shkeli, të filozofit At Gjon Shllaku, të atij që e konkludonte përvojën e tij jetësore me maksimën “Shka u kà detyrë Shqypnija Françeskanvet? Kurrgjà. Pse Françeskant janë të Shqypnis”
Portreti i At Zef Pllumit i Françeskanit shqiptar bash është ky, i njëjti që skaliti Shllaku në fund të kohës për të gjithë parardhësit e tij ndër shekuj qysh nga Barleti, Bogdani, Budi, Bardhi, De Martino, Zarishi e shumë e shumë asketë të binomit “Atmë e Fe”, të një Shqipërie që mbetet, që nuk tjetërsohet, që di ka vjen e di ku shkon, që di kush janë “guret e themelit të asaj binaje që e thërrasim Shqipni”!
Secili prej mësuesve e po kaq secili prej nxënësve nën provat e moteve e meritoi këtë skicim karakterial të ngjyer në gjakun e brezave që shqipja të mbetet që shqiptarët të jenë, që Shqipnia të kthehet “zojë e randë e burrat e dheut ti thërrasin nanë” mes kombeve e civilizimit që e i perket prej gjenezes, atij europian!
“Në daç me butsìn e shèjtit, në daç me urtìn e diplomatit, në daç edhe me hovin e ushtarit t’egër e fatos. P. Pal Matja hidhet në luftë, e, tuj u perleshun fyta-fyt me turk, rrxon prej kështjellit flamurin e gjysë hanës e në vend të tij ngulë atè të Lirìs. Frati matjan del prej qytetit të dorzuem me flamur nën sjetull e zhduket. Por ka lanë shokë mbas vetit. Këta kan me mësy kurdoherë qi flamuri të jetë në rrezik. Plumbi e salvimet janë shpërblimi i dèjë qi presin prej armikut. Konopi, hùni e skreditimet janë nderimi qi u bàn vllau i çoroditun. Nder stuhi të ndrrimeve politike janë këta qi i han furra mà të parët. Flamurtarë desin, flamurtarë zhduken; por flamurtarët françeskan Shqypnìn “edhè në vorr do t’a permendin”. Kan me e permendë edhè kur vorri të jetë ndo’i muranë e stolisun.
Për me e dashtë nji popull, duhet me e njoftë. Nuk mjafton por as me e njoftë. Duhet me pasë lè, me u pasë rritë me at popull. Lypet qi për vuajtje e deka t’i kenë shkrì s’bashku zemrat. Kur dy vetë duhen fort, të dekmen njani, des edhe tjetri. Historija e Shqypnìs e historija françeskane në vendin t’onë ndjekin shoqa shoqen. Janë dy histori qi shkojnë paralel: të njillojta në të çueme, të njillojta në të rrxueme, të njillojta në humbje. Por gurgullimi i termegëshem i gjakut të fisit t’ynë shfren rregullisht ndër perioda të shkurta, veç të lumnueshme, qi làn jeh të kumbueshëm për perioda të gjata heshtimi”!/Top Channel
ObserverKult
Lexo edhe:
AT ZEF PLLUMI: E KEQJA NEVE NA VJEN PREJ VETVEDIT, PREJ NJANI – TJETRIT, PREJ SHQIPTARËVE…