Nga Gent Çela
Vendthi ku jeton, ky terren diellor, ku fuqia pacak e bukurisë, si një dëshmi e absolutes, sot e gjithë ditën, të thërret për ndihmë. Lypet gjithëprania jote.
Prania dhe zëri yt, i njerëzve të zakonshëm, të ndershëm, zëri i shumicës së pafund e të heshtur, të pagojë e të pazë, të kësaj mahnie të quajtur Shqipëri.
Atdheu i vërtetë i njeriut është ajo orbe puro, toka e pastër.
Për këtë, duhet cytur një fije lirie, mbi e përballë, zuzullimit të veshëve nga trishtimi rravgues i vorbullës së paqëndrueshmërive. Përballë padrejtësive të pakapërdishme që ndodhin përditë mu para syve dëshmues të të gjithëve.
Mbi këtë hendek të pakapërcyeshëm në dukje, nga kërrusja e çdoditshme që i bëhet Atdheut.
Nga reja e pluhurit që përplaset keqas mbi fisnikërinë e fytyrave të pafuqishme, që tingëllzojnë si fjalë sublime të pafajshmen.
E pandjeshmja ndaj dhimbjes së tjetrit, ndaj së bukurës që dhunohet, shuhet nga humnera ku rrezikon të përpijë në një zbrazëti të pangijshme të mpirjes angështuese e kolektive së indeve.
Humbja e vlerës së fjalës, inflacioni i saj, i mbytur televizivisht në boshësinë e një rrokopuje, zbon bujtjen e humanes ku banaliteti zhurmues i ekraneve, ku shpesh kalbet e vërteta, e fismja, e ku jeta vlen më pak se një hapësirë publicitare, degradon Vendin, në një karikaturë vulgu ofiqeve të sulltaneteve tërë fodullizëm, krijuar nga e pavetëdijshmja jonë.
Shpërfillja, arroganca shpenzuese e regjimeve që krijojmë me gatishmërinë skllavëruese për të qenë të përdorur, ka ligështuar shpirtin e shumicës së pabza, nga kjo peshë shtypëse e nënshtruese.
Çshenjtërimi i idealeve, rrafshimi i parimeve dhe vlerave të humbura e prostituuara, ka balsamosur e burgosur lirinë për të ëndërruar.
Të përjashtuarit përbindshëm nga banketi përbuzës sulltanor, përballen me malin e heshtjes së frikës sonë.
Koha është t’i kundërvihemi kësaj frike, t’i kundërvihemi varfërimit shpirtëror, kulturor, mental dhe ekonomik.
Për ëndrrat dhe shpresën e pafat të deri më sot.
Lypet gjithëprania jote, jonë. Si një vokacion shpirtëror e detyrim i ethshëm ndaj Atdheut.
Lypen përpjekje të çdoditshme të dashurisë për jetën, veten.
Koha që nuk soset, nuk mund të jetë e gjitha e tashme, koha sheh nga e ardhmja.
Për ty që meriton një të tillë e këdo që ndihet përgjegjës sadopak për dhimbjen e tjetrit.
Për dhimbjen e mijërave burrave dhe grave me dëshpërimin e përditshëm në kërkim të një pune për të mbrojtur dinjitetin e mbajtur familjen.
Për ty që mendon se rifitimi i lirisë së humbur, është i vetmi burim shprese, i dashurisë së pashtershme për të nesërmen.
Territori i rreckosur ku jetojmë, vuajmë, dashurojmë ka nevojë për zërin tënd.
Për një famulli idealesh e vlerash.
Për një yrysh drejt bashkimit të zemrave në hapësirat e lira të këtij rajoni të ndërmjetëm tokësor të shpirtit. Në këtë pjesëzën tonë të tokës.
Jemi të gjithë të dënuar për shugurimin e një shprese të re.
Pa ndrydhjen e paqetë brenda mureve të parehatisë, por reagimi dhe protesta e secilit kudo, në çdo shesh të qyteteve të populluara gjithmonë e më pak nga hemorragjia. Në çdo sheh virtual.
Kjo shpresë gati gandeske, është kaq e mezipritur gjithsaherë për liri, e, duhet të jetë angazhimi i të gjithëve. Liria duhet të jetë misioni ynë.
Kumbimi i saj do të na çlirojë nga molepsja e maskave të buzëqeshjeve servile dhe hipokrite të kohës fasadë e plot patetizëm.
Vetëm jehona e lirisë do të pulsojë shpresë dhe kënga e saj plot dritë do të vijë. Ajo do të na çlirojë.
Atdheu është një dhimbje emrin e së cilës nuk e di – shkruan L. Morecal.
Dhe liria është e paapelueshme.
ObserverKult
Lexo edhe:
FATOS BAXHAKU: ATDHEU ËSHTË GJUHA, RRUGICAT, ËNDRRAT, DASHURITË E PARA…ATO TË MUNGUARA