Atentati i pazbuluar ndaj Agim Shukes, misteri i madh i ndarjes së tij nga jeta

Agim Shuke

Pse është harruar vrasja misterioze e aktorit të shquar Agim Shuke, në vitin 1992. Ai jetoi edhe disa ditë pas atentatit, i dërguar me urgjencë në një spital të Romës, në Itali.

Doli nga koma, por nuk mbijetoi. A e pyeti njeri si ngjau? Si është mundur që shteti ynë prej vitesh nuk ka marrë masa për zbardhjen e këtij krimi? Agim Shuke duhet ta ketë parë ose ditur diçka se kush e vrau.

A u ndoqën pistat e dyshuara të krimit që u publikuan në shtypin e kohës? Pse kaq heshtje, kur dihet që pas vdekjes së tij në vitin 1992 është protestuar me arkivolin në krah para Ministrisë së Rendit për zbulimin e kriminelit?

Agim Shuke nuk i kishte bërë askujt keq në këtë botë. Madje ishte një natyrë e butë dhe mjaft zemërgjerë, punëtor dhe i talentuar. Çfarë kërkonte vrasësi prej tij?!

Policia heshti. Aktorët e kolegët e tij artistë ende janë të habitur. Të mbledhur kohë më parë në Arkivin Qendror të Filmit për të kujtuar karrierën e tij, një aktivitet ku u dhanë fragmente të zgjedhura me role interesante nga filmat e Artistit të Merituar Agim Shuke, nga miqtë, artistë “Shqiptarja.com” mblodhi disa kujtime mbi rrethanat e vrasjes misterioze. Ata nuk mund të hamendësojnë dot asgjë që ka të bëjë me hakmarrjen ndaj këtij personi.

Aktorja Elvira Diamanti, tregoi, kohë më parë, se nuk ishte në Shqipëri, kur ndodhi ngjarja, por e njihte si pedagog dhe si aktor, me të cilin luajti edhe tek “Shi në plazh”. Nga ajo periudhë sjell kujtimet e tij edhe regjisori Saimir Kumbaro.

Ndërsa bashkëqytetari i tij nga Kuçova, Shkëlqim Ago, gazetar lokal, bashkëpunëtor i medias së shkruar në Tiranë, tha se kishte ardhur dje vetëm nga dashuria që ruante për Artistin e Merituar, Agim Shuke.

“Më vjen keq që këtu familja e tij sot mungon, por unë e ndjej veten pjesë të familjes së tij, sepse i kam bërë vullnetarisht një monografi të vogël, prej së cilës më ka mbetur vetëm një kopje”.

Monografia është shitur. Sa shumë interes paska pasur publiku shqiptar për jetën e artistit! Dhe është pikërisht Shkëlqim Ago ai, që zbardh disa nga enigmat dhe pistat për kërkimin e vrasësit të artistit, ndërsa shteti shqiptar prej vitesh i ka mbyllur dosjet.

ObserverKult

—————–

Lexo edhe:

KUR ENVER HOXHA I DËRGONTE NJË LETËR KRYETARIT TË PARTISË KOMUNISTE FRANCEZE PAS ATENTATIT “FASHIST” NË QYTETIN AUCH