Nga Mërgim Bekteshi
Në shumë salla të gjykatave, kur i pandehuri ngrihet për t’u deklaruar mbi fajësinë, në të shumtën e rasteve ndihet i pafajshëm, së paku nga ana sugjestive, në mënyrë që të marrë një mbështetje morale, herë me ndikim e herë duke e prapësuar tërë procesin në fillim. Ndoshta kjo është pjesa më e vështirë e së drejtës që iu kanë qasur edhe shkrimtarët, për të rrëfyer ngjarje që në veçanti kanë ngjallur kureshtje për vrasjet enigmatike shoqërore e sidomos ato brenda familjes. Një romancier klasik rus, i cili zuri të shkoqiste këto tabularasa që kanë zanafillë të hershme shoqërore kur flasim për atëvrasjen, Dostojevski, e sjell krejt këtë temë me një epilog më ndryshe, që vë në dyshim edhe vrasjen brenda familjes, thënë pak më ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë nga Eskili apo Shekspiri në tragjeditë e tyre.
Më jep provat, të jap të drejtën (Da mihi factum, dabo tibi ius) do të thonë romakët përmes gjuhës latine, një postulat që ndoshta më së miri e gjeni te Dostojevski, në veprën e tij “Vëllezërit Karamazov”. Është kënaqësi pakës “torturuese” që të lexohet apo rilexohet ky klasik i madhërishëm i artit të shkruar letrar dhe njohës i përpiktë i normave shoqërore, por që kur futesh në rrjedhë të romaneve të tij, përballemi me atë lehtësinë e padurueshme të qenies, siç do të thoshte Kundera. Tani enigma e shoqërisë ‘për të drejtën’ aq merr në thua sa edhe e humb konceptin e qenies, bëhet barrë e parëndësishme për hapësirat gjyqësore: Dua drejtësi, dëgjohet diku një zë në sallat e gjyqit, por sa mund të arrijë ky zë i vobektë deri tek ai që manifeston me provat, është krejt argument në vete, here me bazë dyshimi.
Shekuj më parë, një shkrimtar aspak karizmatik, do të gjente motivet për të vënë në sprovë vetveten në shtjellimin e atëvrasjes dhe shtytjen në familjen Karamazov drejt një ngjarje mizore – vrasja e babës nga i biri. I gjendur vetë brenda këtyre mureve ku zhvillohej gjyqi, punë për fenomenologjinë e kriminologjinë, por me një guxim dhe intelekt do të shqyrtonte çdo detaj si në aspektin e narracionit prej një shkrimtari të talentuar, po ashtu edhe si njohës i normave shoqërore. Vdekja që ushqehet me mishin e freskët, siç do ta quante Kadare, është një koncept që ngjall kureshtjen njerëzore e aq më shumë te popujt e mëdhenj si rusët, që deri me ardhjen në pushtet të bolshevikëve, duket se kishin një trajtë interesante të organizimit shoqëror, së paku nga ajo që përshkruan Fjodori, kur flasim për sallën e gjyqit, manifestimin e provave rrethanore, peshën e deklaratës, besueshmërinë e provës, rrethanat e turbullta duke i ndriçuar me përpikëri që të duken të vërteta etj.
Shtytja që disa e ngatërrojnë me nxitjen, është një dukuri e kamotshme, them edhe biblike, ndoshta gjuha nganjëherë edhe pa dashje shkakton pasoja të mëdha, duke mos u përdorur me vend, me dije, si në rastin e Ivan Karamazovit. Pra, shumë incidente janë prirë të ndodhin kur kumtuesi ose kishte paqartësi ose dashja rridhte nga brendia e mjegullt që krijonte motiv për të tjerët, si në personazhin e Smerdiakovit. Por, Fjodori do ta këmbëzonte edhe këtë tipar të njeriut me barrën e provës. Nuk është vetëm fati i Dimitrie Karamazov që mund të marrë dënimin për veprën që nuk e kishte bërë, ‘atëvrasjen’ apo kur thotë i vëllai i tij Aliosha se është fajtor për fajin që nuk e ka bërë! Rrjedhimisht, edhe në ditët e sotme, me gjithë njohuritë e përgjithshme, avancimin e procedurës penale dhe asaj kriminalistike, të pandehurit pas disa vitesh nxirren të pafajshëm, në mungesë të provave apo edhe ato më të frikshme, kur zbulohet dorasi.
E gjithë enigma Karamazov që Dostojevski e paraqet në strukturën e rrëfimit romanor, e që disa e quajnë roman psikologjik e analitik, ndoshta me të drejtë, është aq e ngjeshur sa është për lavdërim edhe në ditët e sotme, me një sens ndaj të drejtës dhe sallave të gjyqit që trumbetojnë për të drejtën. Por, cili ishte motivi që është sa pyetje kriminalistike (e më e thellë, kjo pyetje gjendet edhe te zanafilla biblike): epshi, pasuria apo të dyja bashkë? Këto hulumtime nganjëherë janë çudibërëse kur kumtohet e vërteta, por është më se e vështirë kur mungon barra e provës. Në mes të një gjyqi romak turma vendosi të lironte Barabanë, vrasësin e kohës dhe të dënonte Jezusin: ky ishte vullneti i popullit. Fajësia e Dimitri Karamazovit është e plogësht, por aq e motivuar nga turma sa duhet të rëndojë mbi supet e tij. Fajtor për një vepër që nuk e ka bërë: Është turma ajo që vendos.
ObserverKult
Lexo edhe:
MËRGIM BEKTESHI: LINDUR SË PRAPTHI, PËR TË PRISHUR MAGJITË E SHOQËRISË