Autoportreti i dhimbjes dhe kujtesës së plagosur

Vështrim mbi librin “Autoportreti në zall” të Xheladin Rexhepit

Nga Zyrafete Shala

Letërsia shqiptare e kultivuar përgjatë dekadave të fundit ka dëshmuar një angazhim të vazhdueshëm për të trajtuar përvojat kolektive dhe individuale të luftës në Kosovë, duke u bërë kështu një medium i rëndësishëm i artikulimit të kujtesës historike dhe të vetëdijes për të kaluarën e afërt. Me kalimin e viteve, ndërsa distanca kohore nga ngjarjet e luftës po rritet, këto vepra po fitojnë rëndësi gjithnjë e më të veçantë për rolin e tyre në ruajtjen e përjetimeve dhe bartjen te brezat e rinj, të atyre përvojave që kanë formësuar ndërgjegjen historike të shoqërisë sonë. Brenda këtij horizonti tematik letrar, së fundi ka zënë vend edhe përmbledhja me tregime “Autoportreti në zall” e autorit Xheladin Rexhepi që doli nga shtypi në fund të dhjetorit (Botimet Drini, 2025). Edhe pse, në fillet e krijimtarisë së tij, në vitet ’80, autori është paraqitur para lexuesve edhe me tregime që botoheshin në shtypin e kohës, më pas ai iu përkushtua më tepër krijimtarisë në fushën e poezisë dhe u angazhua në gazetarinë televizive e dokumentare. Mirëpo, në dekadën e pestë të rrugëtimit të tij krijues Rexhepi i kthehet sërish prozës, por kësaj radhe me një vepër që sjell rrëfime të ngjeshura të cilat pasqyrojnë momente kyçe nga përjetimet dhe historia e Kosovës.

Të dymbëdhjetë tregimet e përfshira në këtë vepër janë të strukturuara në tri pjesë, të titulluara: Parastuhia, Stuhia dhe Pastuhia, një ndarje kjo jo vetëm formale, por që pasqyron qartë tri etapa të rëndësishme të historisë së Kosovës, përkatësisht periudhën para luftës, kohën e luftës dhe periudhën kur fillojnë të shfaqen gjithnjë e më tepër pasojat e saj. Pra, secila pjesë e librit përqendrohet në një aspekt tematik të veçantë, duke ndërtuar një panoramë rrëfimore të ngjeshur që shtrihet nga trysnia politike dhe represioni i viteve ’80, në përshkallëzimin e dhunës në luftë armatosur, e deri te përpjekjet për rimëkëmbje dhe shërim të plagëve që lanë pas dy etapat e para me gjithë vrazhdësinë e tyre. Edhe pse te shumica e tregimeve ngjarjet zhvillohen brenda harkut kohor që nis nga fundi i shekullit 20 për të vazhduar deri në kohën tonë, njëri prej tyre nuk e ndjek këtë rend. Është tregimi “Shtëpia në kodër”, me të cilin hapet libri, që përmbledh në mënyrë simbolike historinë shekullore të shqiptarëve në Kosovë, duke vendosur tonin për gjithë vëllimin dhe duke e lidhur të kaluarën e largët me zhvillimet më të reja.

Një veçori që duhet theksuar doemos dhe që e bën këtë libër tejet të rëndësishëm në aspektin historik, është fakti se rrëfimet që përfshihen në të nuk janë thjesht të frymëzuara nga realiteti, por janë rrëfime të ndërtuara mbi ngjarje reale, gjegjësisht, mbi përjetime të njerëzve në rrethana konkrete. Prandaj në fund të librit, jo rastësisht, vetë autori nënvizon se çdo përngjasim me realitetin është i qëllimshëm, një deklaratë kjo që na fton t’i lexojmë tregimet jo vetëm si formë arti, por edhe si dokumentim emocional dhe etik të etapave tragjike të historisë sonë. Struktura e secilit rrëfim është ndërtuar me një përqendrim të veçantë në tensionin dramatik dhe zhvillimin e ngjarjes, gjë që e përafron prozën e Xheladin Rexhepit me gjuhën e kinemasë dhe bën që shumë prej tregimeve të lexohen si embrione të skenarëve filmikë. Kjo mënyrë ndërtimi i jep veprës një ritëm të brendshëm tërheqës dhe një konkretësi që e bën rrëfimin jo vetëm të prekshëm, por edhe lehtësisht të imagjinueshëm në formë pamore.

Tematikisht, tregimet e librit “Autoportretit në zall” ndërtojnë një tablo të shumëfishtë të përvojës shqiptare në Kosovë gjatë dekadave kur po krijohej historia dramatike e saj, duke përfshirë shtypjen politike, traumat e luftës dhe përballjen me dhimbjen në periudhën pas saj. Në pjesën e parë, rrëfime si “Prezenca e zërit të paidentifikuar” dhe “Varreza e të gjallëve” shtjellojnë përvojën e burgut dhe torturës, përjetime këto që e vendosin individin në kufijtë e durimit psikik e fizik. Tortura këtu nuk shfaqet vetëm si akt dhune, por edhe si përpjekje për ta thyer integritetin individual të të burgosurve. Në situata të tilla mbrojtja më e fortë ndaj rrënimit të brendshëm bëhet pikërisht ruajtja e përjetimeve të memorizuara dhe e lidhjeve më të thella njerëzore, kujtimi i fëmijëve, i dashurisë, i të shkuarës. Të vetmuar, brenda qelive të ftohta personazhet shpesh i shohim të luhaten mes delirit dhe realitetit, një turbullim ky që përçohet edhe përmes strukturës narrative, ku zëri i rrëfimit zëvendësohet pahetueshëm me monologun e brendshëm, duke krijuar kështu një atmosferë të përhumbur që reflekton gjendjen e ndërgjegjes së trazuar.

Me kalimin në pjesën e dytë, temat e rrëfimeve zhvendosen në realitetin e drejtpërdrejtë të luftës: nga përballja me armikun dhe vështirësitë ekstreme (“Mullarët e sanës”, “Vrasja e ujkut”), te dhuna ndaj trupit dhe shpirtit (“Frikë nga liria”, “Ditari i humbur”), e deri te pasojat psikologjike të masakrave, si në tregimin “Dritarja dhe terri përtej saj”. Pjesa e tretë, përfshin tregimet që përqendrohen në kërkimin për drejtësi, përballjen me të kaluarën dhe dhimbjen që nuk fashitet. Figura të tilla si gazetari që ndjek gjurmët e një krimi makabër (“Llambadari me trajta të përgjakshme të dritës”) apo ushtari që rrit vajzën e mbijetuar të masakrës (“Engjëlli në borë”) mishërojnë përpjekjen për të mbajtur gjallë të vërtetën në një botë ku harresa dhe dhimbja vazhdojnë të bashkëjetojnë. Edhe pse, kemi të bëjmë me tregime të ngjizura në situata reale të caktuara, ato lehtësisht mund të lexohen edhe si përvoja universale, që përçojnë mesazhe si: cenimi i dinjitetit njerëzor, lufta për mbijetesë, dhimbja e heshtur dhe etja për drejtësi.

Përtej pasqyrimit të dhunës së institucionalizuar dhe traumës së luftës, këto tregime janë të ngarkuara me tensionin e brendshëm të personazheve. Në fakt, përshkallëzimi dramatik i konfliktit, nga rrjedha e ngjarjeve bartet brenda personazheve, aty ku edhe shfaqet ajo çarja e dhimbshme e imazhit që ata kanë për veten, për botën dhe për të ardhmen, duke e vënë kështu në pikëpyetje vetë kuptimin e identitetit dhe ekzistencës. Edhe pse në situata të tilla alternativat e gjetjes së zgjidhjes reduktohen skajshmërisht, duket se, edhe në kushtet më ekstreme, qenies njerëzore i mbetet gjithmonë një thellësi e fshehtë ku veprojnë mekanizma mbrojtës që e shpëtojnë nga rrënimi i plotë: qoftë kujtimi i më të dashurve që e presin, qoftë zëri i tyre nga përtejbota, ndjenja e përgjegjësisë ndaj gjërave të mbetura peng, apo të tjera të ngjashme që vetëm mendja e njeriut që ecën buzë greminës arrin t’i riaktualizojë. Në këtë kontrast që ndërtohet mes vrazhdësisë ekstreme dhe humanes së brishtë, autori ngre pyetje të heshtura mbi kuptimin e jetës, mbi kufijtë e dhembjes dhe fuqinë shëruese të ndjeshmërisë njerëzore. Ngase, edhe aty ku personazhet janë në prag të shpërbërjes, buzë vetëvrasjes, çmendurisë apo dorëzimit total, një fije e brendshme lidhjeje me jetën, shpeshherë i shpëton nga fundi tragjik. Megjithatë, edhe kur fundi i tyre është i paevitueshëm, ata e përballojnë atë duke e ndjekur zërin e brendshëm që i udhëheq drejt të panjohurës që e vulos fatin e tyre. Kjo shumëllojshmëri karakteresh, situatash, fatesh e përballjesh me sfidat e bën veprën jo vetëm dëshmi të së kaluarës tragjike, por edhe një afirmim të heshtur të dinjitetit njerëzor.

Stilistikisht, tregimet e Xheladin Rexhepit dallohen për një gjuhë të matur, të kontrolluar, por edhe të ngarkuar me ndjeshmëri dhe emocion; vërehet në to dukshëm edhe ekonomizimi i shprehjeve që i shërben rritjes së intensitetit të përjetimit. Rrëfimi është i thjeshtë në formë, por i shtresuar në kuptim: frazat janë të zgjedhura, të kursyera, me ritëm të brendshëm që e shtyn lexuesin drejt thellimit të ndjesisë, identifikimit me personazhet dhe jo vetëm ndjekjes së ngjarjes. Në shumë prej tregimeve, sidomos aty ku protagonistët përballen me izolimin, torturën apo luhatjet psikologjike, gjuha e rrëfimit merr ngjyrim vetëvrojtues, duke u afruar me monologun e brendshëm apo rrëfimin fragmentar, që imiton ritmin e mendimeve dhe perceptimeve të turbullta. Kjo vihet re në mënyrë të veçantë në tregimin “Prezenca e zërit të paidentifikuar” dhe “Dritarja dhe terri përtej saj”, ku kufiri mes reales dhe imagjinares zbehet skajshmërisht, për të mos thënë se bëhet pothuajse i padukshëm. Por edhe në këto rrethana, rrëfimi vazhdon të ruajë tensionin emotiv pa e cenuar strukturën narrative. Kjo bën që lexuesi të ndjejë ende atë rendin e pashpjegueshëm racional edhe brenda një strukture apo gjendjeje kaotike mendore.

Në shumë tregime, ndjeshmëria poetike e autorit dhe përvoja e tij si dokumentarist ndërthuren në mënyrë të natyrshme, duke krijuar një gjuhë që është njëkohësisht konkrete dhe simbolike, ndërsa përshkrimet janë të sakta dhe të mprehta, por shpesh mbartin ngarkesë figurative që e tejkalon rrafshin e parë të realitetit. Elementet simbolike, si: dritarja që ndan personazhin nga bota e jashtme, llambadari i ndërtuar nga kafka e një foshnje, shqiponja e vizatuar me gjak e shumë të tjera të ngjashme me to, funksionojnë si nyja ku përplasen e përthithen shtresat më të thella të traumës dhe kujtesës. Këto simbole nuk janë të vendosura në mënyrë artificiale, por duket sikur lindin organikisht nga vetë struktura e rrëfimit dhe përvojat e personazheve. Rrëfimi ndjek shpesh një logjikë vizuale duke krijuar imazhe të fuqishme që nguliten në kujtesë, por edhe drama tronditëse shpirtërore që na bëjnë të reflektojmë mbi angazhimin tonë si shoqëri në mëkimin dhe trajtimin e plagëve psikologjike. Struktura e ngjeshur, ndërtimi dramatik dhe ritmi i brendshëm i rrëfimeve krijojnë një atmosferë emocionalisht të ngarkuar, që nuk i duhen stilizimet për ta arritur efektin. Si i tillë teksti mbështetet vetëm në peshën e ngjarjes dhe në qartësinë e veprimeve, duke e bërë prozën e Xheladin Rexhepit tërheqëse, qoftë me heshtjen apo me përmbajtjen e saj.

“Autoportreti në zall” është një vepër që i flet kujtesës kolektive, por edhe ndërgjegjes personale të lexuesit bashkëkohor. Duke ndërtuar rrëfime intensive, të ndjeshme dhe të mbështetura në ngjarje reale, Xheladin Rexhepi arrin të na përballë me plagët ende të hapura të së kaluarës sonë të afërt, pa rënë në patetizëm apo thjeshtëzim të përvojës. Libri ngre pyetje të thella për humbjen, qëndresën dhe dinjitetin, duke ofruar jo vetëm një dokumentim artistik të së shkuarës, por edhe një mjet reflektimi për të sotmen. Në një kohë kur rreziku i harresës është gjithnjë e më i pranishëm, kjo përmbledhje sjell një zë të matur, të qartë dhe të fuqishëm, që mund të flasë në mënyrë të veçantë për çdo lexues që kërkon të kuptojë përmasat njerëzore të historisë. Me këtë vepër, Rexhepi sjell një kontribut origjinal në prozën shqipe duke e bashkuar ndjeshmërinë poetike me ndërtimin dramatik dhe me ndjenjën e thellë etike ndaj së vërtetës. Me të gjitha ngjarjet që ngërthen, me personazhet që parakalojnë përmes tmerreve, qëndresës, emocioneve dhe luhatjeve psikologjike, libri “Autoportreti në zall” nuk mund të lexohet pa u zhytur në thellësinë e përjetimeve që sjell. Tregimet e tij ndjehen fuqishëm dhe kumbojnë si një ftesë e heshtur, por e qëndrueshme, për të mos harruar.

16.1.2026

ObserverKult


Lexo edhe:

Rekomandime leximi nga Zyrafete Shala