

Nga Alma Dema
Shkollat tona, në vend që të jenë hapësira formimi për qytetarë të lirë, kritikë dhe empatikë, funksionojnë shpesh si institucione të bindjes. Ato mësojnë autoritetin, jo si përgjegjësi morale apo udhëheqje përmes shembullit, por si forcë, ndonjëherë arbitrare, që duhet pranuar pa pyetje, të bindesh se kështu bëjnë të gjithë, të dëgjosh se e them unë.
Nuk kultivohet vetëvlerësimi, nuk nxitet gjykimi empirik dhe as imagjinata e shëndetshme; përkundrazi, ndërtohet një sistem që mbështetet te frika, sanksioni dhe ndëshkimi. Ky realitet përbën një problem serioz edukativ dhe një alarm shoqëror, sepse në këtë terren, prindërimi efektiv sabotohet dhe bullizmi lulëzon.
Në shumë shkolla, autoriteti i mësuesit apo i institucionit nuk fitohet përmes kompetencës, drejtësisë apo koherencës morale, por imponohet përmes pozitës. Nxënësi i diktohet që herët autoriteti se pyetja mund të interpretohet si sfidë, mendimi ndryshe si mungesë respekti dhe gabimi si faj.
Shembujt janë të shumtë e të njohur: një nxënës që kundërshton një vlerësim të padrejtë etiketohet si “problematik”. Një fëmijë që reagon ndaj talljes në klasë qortohet për “mungesë disipline”, ndërsa provokimi fillestar injorohet. Kështu, autoriteti nuk shërben për të mbrojtur të dobëtin, por për të ruajtur hierarkinë. Nxënësit nuk mësojnë drejtësinë, por strategjinë e mbijetesës, hesht, përshtatu, mos u veço!
Frika është valuta e përditshme e këtij sistemi. Frikë nga nota, nga turpërimi publik (në klasë), nga etiketa, nga ndëshkimi arbitrar. Këto mekanizma, të justifikuara shpesh si “disiplinë”, krijojnë një klimë psikologjike toksike.
Nxënësit sillen “mirë”, jo sepse e kuptojnë kuptimin etik të sjelljes, por sepse i tremben pasojave. Në vend të autonomisë morale, prodhohet konformizëm. Në vend të vetëvlerësimit, varësi patologjike nga vlerësimi i autoritetit. Një fëmijë i rritur në frikë nuk bëhet qytetar i përgjegjshëm; ai bëhet ose i nënshtruar kronik, ose rebel pa busull morale.
Mungesa e shembujve të mirë dhe hipokrizia institucionale si pedagogji e heshtur
Shkolla kërkon respekt, por shpesh nuk e demonstron atë në marrëdhëniet e përditshme me nxënësit. Ajo flet për etikë, rregulla dhe vlera qytetare, por toleron padrejtësinë sa herë që kjo i shërben ruajtjes së rendit formal apo imazhit institucional. Predikon kundër dhunës, ndërkohë që mbyll sytë ndaj formave të saj simbolike, verbale dhe psikologjike, të cilat janë po aq dëmtuese sa dhuna fizike. Nxënësit nuk janë spektatorë pasivë të këtij paradoksi, ata e përjetojnë dhe e lexojnë atë çdo ditë, duke nxjerrë përfundimet e tyre morale.
Kur një mësues ofendon ose ironizon një nxënës para klasës, duke e justifikuar këtë si “metodë edukative” apo “shaka”, kur një drejtues shkolle minimizon ankesat për bullizëm për të “mos prishur imazhin e institucionit”, kur rregullat zbatohen me rreptësi ndaj disa nxënësve, ndërsa për të tjerë relativizohen apo anashkalohen, atëherë mesazhi edukativ është brutal në thjeshtësinë e tij: pushteti është mbi drejtësinë, autoriteti mbi etikën, dhe forca mbi të drejtën. Në këtë moment, shkolla pushon së qeni institucion edukativ dhe shndërrohet në një strukturë që riprodhon hipokrizi morale.
Ky lloj edukimi nuk transmetohet përmes kurrikulës së shkruar, por përmes asaj që mund të quhet “kurrikula e fshehur”, sjelljet, reagimet dhe heshtjet e të rriturve. Fëmijët nuk mësojnë nga fjalët e bukura në pankarta apo nga orët formale të edukimit qytetar. Ata mësojnë nga mënyra se si trajtohen, nga mënyra se si shohin të trajtohen të tjerët dhe nga ajo që lejohet të ndodhë pa pasoja. Në këtë kuptim, shkolla dështon si model moral, sepse nuk arrin të përfaqësojë vlerat që pretendon të mësojë.
Në këto kushte, bullizmi nuk mund të reduktohet në devijim individual apo në “sjellje problematike” të disa fëmijëve. Ai është simptomë sistematike e një kulture shkollore që normalizon dominimin dhe hierarkinë e padrejtë. Në një mjedis ku pushteti ushtrohet nga lart-poshtë pa transparencë dhe pa llogaridhënie, nxënësit riprodhojnë të njëjtat modele në mikro-shoqërinë e tyre. Ata mësojnë shpejt se kush ka të drejtë të flasë, kush duhet të heshtë dhe kush mund të poshtërohet pa pasoja.
Nxënësi më i fortë, më popullor apo më i mbrojtur nga autoriteti kthehet natyrshëm në agresor, sepse sistemi i ka treguar se forca dhe statusi sjellin imunitet. Nxënësi tjetër, ai ndryshe, më i ndjeshmi, më i heshturi, më pak i mbështeturi, shndërrohet në viktimë, sepse sistemi i ka mësuar se mbrojtja nuk është e garantuar për të gjithë.
Bullizmi merr forma të shumta dhe të sofistikuara, tallje të vazhdueshme që maskohen si humor, përjashtim social që justifikohet si “zgjedhje grupi”, etiketime që ngjiten si identitete të përhershme, shantazh emocional, dhunë fizike dhe, gjithnjë e më shpesh, dhunë kibernetike që ndjek fëmijën edhe jashtë mureve të shkollës.
Heshtja e mësuesit, indiferenca e drejtuesve dhe relativizimi institucional i këtyre fenomeneve (“janë gjëra fëmijësh”, “do t’u kalojë”, “mos e bëni të madhe”) nuk janë neutralë. Ato janë forma bashkëfajësie. Me këtë heshtje, shkolla i jep dhunës një legjitimitet të heshtur dhe i mëson nxënësit një mësim të rrezikshëm se padrejtësia është e pranueshme, për sa kohë që nuk sfidon autoritetin.
Në këtë mënyrë, mungesa e shembujve të mirë nuk është thjesht dështim etik individual i disa mësuesve apo drejtuesve, por shndërrohet në pedagogji të heshtur, që formëson breza nxënësish. Dhe një shkollë që edukon përmes hipokrizisë nuk mund të pretendojë se po lufton bullizmin, ajo, në mënyrë të pashmangshme, e prodhon dhe e riprodhon atë.
Dilema prindërore mes edukimit dhe mbrojtjes, kur familja mbetet e vetme
Në këtë kontekst shkollor të ndërtuar mbi frikë, autoritet arbitrar dhe mungesë shembujsh moralë, prindërimi efektiv vendoset përballë një dileme të thellë dhe të dhimbshme. Prindërit përpiqen të rrisin fëmijë të ndershëm, empatikë, të aftë për të dalluar të drejtën nga e gabuara dhe, mbi të gjitha, të guximshëm për të thënë të vërtetën. Ata u mësojnë fëmijëve të respektojnë veten dhe tjetrin, të reagojnë ndaj padrejtësisë dhe të mos e normalizojnë dhunën. Por paradoksi tragjik qëndron në faktin se shkolla, në shumë raste, i ndëshkon pikërisht këto cilësi.
Fëmija që flet, që kundërshton, që denoncon bullizmin ose që refuzon të pranojë poshtërimin, shpesh etiketohet si “problem”, “i vështirë”, “i papërshtatshëm”. Ndërsa fëmija që hesht, që përshtatet dhe që duron padrejtësinë, shpërblehet me qetësi institucionale dhe me statusin e nxënësit “të mirë”. Kështu, mesazhi që shkolla i dërgon familjes është i qartë dhe thellësisht demoralizues, virtyti nuk është vlerë, por rrezik.
Pikërisht këtu lind dilema prindërore: çfarë duhet të bëjë prindi në këtë situatë? A duhet t’i mësojë fëmijës të mbrojë veten, të flasë dhe të mos pranojë padrejtësinë, duke rrezikuar që shkolla ta etiketojë, ta izolojë ose ta ndëshkojë në mënyra të drejtpërdrejta apo të tërthorta? Apo duhet ta këshillojë të heshtë, të përshtatet, të mos dallohet dhe të “kalojë pa u vënë re”, duke sakrifikuar integritetin moral për hir të mbijetesës institucionale?
Kjo nuk është një dilemë teorike apo abstrakte; ajo përjetohet çdo ditë në familje, në biseda të heshtura pas mbylljes së derës së shkollës. Çdo kompromis i imponuar nga kjo situatë e minon autoritetin prindëror, sepse prindi gjendet përballë pamundësisë për të harmonizuar vlerat që mëson në shtëpi me realitetin që fëmija përjeton në shkollë. Familja vihet në konflikt të vazhdueshëm me institucionin arsimor dhe, në shumë raste, detyrohet të zgjedhë mes edukimit për dinjitet dhe mbrojtjes minimale nga dëmi.
Situata përkeqësohet edhe më tej kur prindërit kërkojnë ndërhyrje konkrete për raste bullizmi, padrejtësie apo dhune. Ata shpesh përballen me mohime sistematike, me burokraci paralizuese dhe me transferim faji. Problemi relativizohet, minimizohet ose individualizohet, duke u paraqitur si “çështje karakteri” e vetë fëmijës. Në vend që të mbrohet viktima, kërkohet përshtatja e saj. Në këtë proces, fëmija jo vetëm që nuk mbrohet, por mëson një mësim të rrezikshëm dhe afatgjatë, se drejtësia është e paarritshme dhe se institucionet nuk janë vende ku gjen mbrojtje, por struktura që duhet t’i shmangësh.
Një shkollë që edukon përmes frikës dhe autoritetit arbitrar nuk prodhon qytetarë aktivë, kritikë dhe të përgjegjshëm, por individë të thyer emocionalisht ose, në anën tjetër, individë agresivë që riprodhojnë të njëjtat modele pushteti që kanë përjetuar. Ajo mbjell cinizëm, mosbesim të thellë ndaj institucioneve dhe normalizon dhunën si mjet marrëdhënieje dhe zgjidhjeje konfliktesh.
Në këtë kuptim, pasojat e saj shkojnë shumë përtej mureve të shkollës. Problemi i shkollave tona nuk është mungesa e rregullit apo disiplinës, por mungesa e drejtësisë, empatisë dhe shembullit moral. Pa një rikonceptim rrënjësor të autoritetit si përgjegjësi dhe dialog, pa një kulturë shkollore që mbron dinjitetin e fëmijës dhe bashkëpunon realisht me familjen, çdo fushatë kundër bullizmit mbetet një fasadë retorike, pa ndikim real në jetën e nxënësve.
Nëse shkolla vazhdon të funksionojë si institucion frike dhe jo si hapësirë edukimi moral, prindërit do të mbeten të vetëm në përpjekjen për të rritur fëmijë të shëndetshëm emocionalisht dhe etikisht. Dhe fëmijët, të kapur mes dy botëve me vlera kontradiktore, asaj që u mësohet në shtëpi dhe asaj që u imponohet në shkollë, do të vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë të këtij dështimi kolektiv.
ObserverKult
Lexo edhe:






