Avni Alija: Shkrimtari dhe Perënditë

Nga Avni Alija

I.

Acentrizmi ideoestetik është një shenjë e veçantë dalluese në prozën e Gëzim Aliut. Kjo shenjë është elaboruar ndër vite me akribi dhe është ngritë në një rregull-antirregull brenda programit letrar të shkrimtarit. Bëhet fjalë për një  acentrizëm rotativ  në kuptimin e shpërbërjes së raporteve normative qendër-periferi, objekt-subjekt, fiksion-faksion, dialog-monolog, histori-aktualitet. Kjo rregull-antirregull e këtij acentrizmi rotativ ndryn potencialitetin e ndërhyrjes në elementët qendrorë kausalë të veprës, aty për aty, përmes një performance inventive të autorit, duke u shërbyer me ligjet e kontratës fiksionale, e duke shtyrë kufijtë e domethënieve deri te një kolabim estetizues të vetë koncepteve të mbarështruara. Është një akt performativ teleologjik inventiv, duke ia dalë kështu të rikrijojë rrafshe të reja intrastrukturore në stadin e tematikës, në dialogë, në paraqitjet skenike, në historikun e figurave.  Është pra, një lloj përthyerje e të shkruarit dhe përshkrimit normativ dhe krijon përshtypjen sikur kjo metodë krijuese ndërlidhet me sprovën e C.G. Jung për të definuar njeriun krijues në referatin “Psikologjia dhe poetika e krijimit” e vitit 1930, kur nënvizon se e fshehta e procesit krijues, sikurse edhe liria e dëshirës, është  problem  transcendent, që  psikologjia nuk mund ta shpjegojë, porse vetëm mund ta përshkruajë. Jung vijon më tutje duke precizuar se njeriu krijues është një dualitet apo një sintezë cilësish paradoksale, dhe se arti është shtysë e brendshme, është dhunti që e ka zënë krijuesin peng dhe e shndërron atë në një lloj instrumenti. Sintetizime paradoksesh të buta e përshkojnë fillim e mbarim brendësinë e tekstit letrar të romanit “Sëmundje dhe Perëndi”, botuar nga “Dukagjini” më 2023.

Megjithëkëtë, lexuesi dëfton se romani është sendërtuar dhe ndjek me përkushtim ligjet e artit të prozës, ashtu sikurse kishte mbarështruar që më 1760 peshkopi Pierre Daniel Huet në traktatin mbi origjinën e romanit: vrojtimin, eksperimentin, objektivitetin, argumentimin, fiksionalitetin, poetikën, fabulën, alegoriken.

Vepra “Sëmundje dhe Perëndi” është, në shikim të parë, një kontinuum i artit universal të të rrëfyerit letrar përmbi pesëmijë vjeçar.

Në një vështrim të dytë, ndërkaq, e, në një rilexim dhe studim të vëmendshëm, romani është një përthurje elementesh heterogjene; është një kompleks perspektivash të izoluara, e njëkohësisht, aty për aty, shpërfaqet tendenca e izolimit të perspektivave me qëllimin e të demitizuarit të artit të rrëfyeshmërisë; e, pos kësaj, me prirjen e shpërbërjes së perceptimit normativ të fakticitetit dhe fiksionalitetit. Më tutje lexuesi përballet me ndërhyrje dhe shpërndarje imanente pikërisht në aktin e të prezantuarit të një skene, të një dialogu a monologu, të një gjendje a një situate. Romani i referohet metodës së antipolaritetit në vetvete. Teksti letrar ngritet në kuadrin e një antianalogjie objekt/subjekt, nocion/opsion, fiksion/faksion.

Romani është i ndarë në dy pjesë. Konceptet, idetë e opsionet e pjesës së parë të romanit do të përplasen pjesërisht me konceptet, hipotezat e opsionet e shtruara në pjesën e dytë. Sinjifikantët në pjesën e dytë të librit zënë të mohojnë mohimin e sinjifikantëve në pjesën e parë.

Në pjesën e parë, protagonisti qendror është shënjues e i shënjuar. Është bartës i ngjarjes dhe rrëfimtar i historisë brenda të cilës ai vetë frymon.

II.

Sara,- dhe Zoti, janë dy nga protagonistët e romanit. Janë personazhe qenësore që i shquan stadi i një vendosjeje të përllogaritur brenda subkontinentit fiksional. Janë dy personazhe të veshura me atribute referenciale e të plotësuara me statusin e një pregnance simbolike brenda diskursit filozofiko-psikologjik. Janë dy figura situative, relacionale, transponuese. E veçanta e këtyre dy personazheve është aktorimi intrapersonal në ngjarjen e rrëfyer.

Midis këtyre dy personazheve relacionalë shtrihet me krejt kompleksitetin e potencialin njerëzor A. Ibrahimi.

Kryeprotagonisti A.Ibrahimi është komponentë e kompozicion, është diskurs dhe introspeksion, është auto-antagonist, është sprovë e të një definuari kompleksesh sikurse edhe kompleks definimesh psiko-socio-filozofike. A. Ibrahimi është rrëfim në veprim dhe veprim në rrëfim. Është një karakter multidimensional neurotik e psikotik, e shquan një empati e, herë pas here edhe një antipati e thellë deri në shkallën e një subversiteti ndaj vetvetes si person, ndaj të dashurës së tij, Sarës e, natyrisht edhe përballë Zotit si koncept.

Një ditë A. Ibrahimi i shkruan letër Gjonit, një mikut të kahershëm, tashmë prift. Letra fillon me konstatimin kategorik se “nuk ka gjë më të pamoralshme se të krijosh diçka, të krijosh yje, jetë, kafshë, njerëz. Të krijosh një njeri si puna e Jezusit nga Nazareti, të cilit i teket të thotë se është i biri i Zotit dhe kryqëzohet me gozhdë, plot dhembje. Apo, njerëz si puna e Muhamedit, të cilit i duket se ka parë Gabrielin teksa i thotë “lexo”. Lexo njeriut që nuk dinte të lexonte! Recito! A është akti i krijimit i moralshëm?”.

A Ibrahimi është i goditur rëndë nga Sara.

Kjo vajzë lëshon dritë nga sytë e saj të gjelbër në të përhimë, ka flokë të gështenja, e hunda e vogël e ngritur paksa përpjetë në majë, ia prekë atij krejt sipërfaqen e jashtme të zemrës dhe gropat e zemrës përbrenda. Ai është i përhumbur në vështrimin e buzëve të Sarës, buzë nga të cilat dilnin fjalët e saj për Zotin. Kjo vajzë nga Prizreni do të shndërrohet ngadalë e me ngulm në një shqetësim ekzistencial, në ankth, në obsesion; Sara do të ngritet në një opsion të të mbijetuarit mental për A. Ibrahimin.

Sara, ndonëse ka shtrirë duart drejt A. Ibrahimit, thelbi i qenies së saj ndërkaq i ishte ‘dorëzuar’ një dikushit, një diçkafit tjetër. Sara është një “e prekur” nga Zoti. E, për A. Ibrahimin, Zoti dhe koncepti për të, kishte pësuar një ndryshim radikal. Ai e kundronte Zotin si një personazh kryesor të historisë së madhe, të përjetshme të njerëzimit. Por, si një substancë, si një entitet, si diçka që gjendej diku, kjo për A. Ibrahimin, kohët e fundit, kishte zgjuar dyshime të mëdha.

III.

Në nji kohë, Arthur Schopenhauer kishte shkruar se Perënditë duhet ta lënë të qetë njeriun; por, edhe njeriu të mos i shqetësojë Perënditë. Shkrimtari Gëzim Aliu në romanin “Sëmundje e Perëndi” tërhiqet me elokuencë e zë një pozicion drejtpërsëdrejti të kundërt me mendimin e filozofit Schopenhauer. Jo vetëm se shkrimtari nuk i lë të qeta Perënditë, ai bile shkon tre hapa tutje: nuk prishë vetëm qetësinë, por, me apo pa pëlqim, ai do të tërheqë në skenë vetë Zotin. Si koncept dhe si entitet. Përmes një riformatimi filozofiko-psikologjik, autori ia tejkalon dimensionin e kontingjentës së vetëllogaridhënies, vetëshpjegimit e vetëqartësimit ontologjik, se përse Zoti është ashtu siç është dhe përse ai është ashtu siç është e, nganjëherë ndjen ta kaplojë habia se përse me gjithë atë ekzistencë e pushtet enorm që ka, nuk e di deri në fund të fundit, se pse është ashtu siç është. Zoti, nën pushtetin e pendës së të shkruarit fiksional-kognitiv, nënvizon se ‘unë jam ai që jam, por nuk e di se përse kështu jam’.

Fillimi i pjesës së dytë të romanit paraqet një provisorium të instancës shënjuese gjatë shtjellimit të rrëfimit në pjesën e parë. Është pra një provisorium i Zotit e për Zotin.

Zoti, Kryekontraktuesi i një pakti sferash të larta, krijues i Lojës, ndonëse i përpiktë deri në obsesion, pranon haptazi se, megjithatë, nganjëherë gjatë historisë kozmike, i ka ngjarë t’i rrëshqasë nga dora ndonjë detaj. Disa klientë të tij kishin këmbëngulë aq shumë ta ndryshonin fatin-do të thotë t’i bënin ndërhyrje tekstit të kontratës kozmike në terren. E Loja në terren quhej Jetë. E, duke u rrëfye shkurt për të qenmen e vet, Zoti shprehë me subtilitet një lloj brenge përzier me trembje, kundruall potencialitetit të pahetueshem që mund të fshihej në detajet e Lojës në terren. Se, mos vallë, ai, Zoti, mund të bëhej vetë pjesë e Lojës, pa e pasur në dijeni këtë fakt. Duke qenë autor e bashkautor i të gjitha kontratave, në rolin auktorial të një instance dhe evidence të përgjithëdijshme, në romanin “Sëmundje dhe Perëndi”, të përgatitur nga vetë dora e tij, e Zotit, e të parashtruar në tavolinë për ta rishikuar së bashku e për ta nënshkruar ko-autorësinë në sferat e larta, Zotit ia kishte tërheqë vëmendjen një buzëqeshje cinike e autorit në terren. Gëzim Aliu kishte buzëqeshur pak më ndryshe në një moment të caktuar. Dhe Zoti kishte dyshuar se mos vallë romani do të shfaqej si një lojë me Kryekontraktuesin. Se, mos, vallë,-dhe këtu binte alarmi-‘unë do ta luaja lojën dhe madje do të luhej me mua, pa qenë unë i vetëdijshëm për aktin e faktin e të qenit personazh brenda një fiksioni të pambikëqyrur … do ta luaja lojën, por edhe do të luhej me mua … për një moment Kryekontraktuesi humbë fillin e rrëfimit, duke vijuar se ai është rrëfimtari, porse si të këtillë, lexuesi në rrjedhën e rrëfimit do ta harrojë këtë fakt … harrohet gjithmonë në terren, akti i paktit në mes të njëshit të parë dhe njëshave të tjerë jo krejt të parë, se ai njëshi i parë edhe vetë është i habitur e i goditur nga të qenmit i tillë, dhe se goditjet si ajo që i ka ngjarë Sarës, ishin pjesë e natyrshme e kontratës kozmike, me një dallim shumë të vogël, se ishte vetëm kryekontraktuesi ai që mbikëqyrte gjithçka. Bashkëkontraktuesit, për të mos humbë shijen e euforisë ekzaltuese të të qenit afër kryekontraktuesit, dhe gati të barabartë me të, i zinte harresa, i zinte amnezia e përkohshme. Një ilaç i atillë kishte rolin qendror në terren. Ky ilaç mandej në botën e manifestimit material, në botën e substancialitetit, bënte që njerëzit ta donin njëri-tjetrit, ta donin jetën e botën, të prekeshin nga e qenmja, e të ekzaltoheshin nga e me  Zotin. Dhe, natyrisht-e si të ngjante ndryshe – të shkruheshin romane si “Sëmundje dhe Perëndi“ i autorit Gëzim Aliu.

IV.

Diçka që nuk mund ta emërtoj, më bën të paqetë, ndiej të tundohem, shkruante filozofi Martin Heidegger.

Romani “Sëmundje dhe Perëndi” është një vepër arti e paemërtueshme në kuptimin koncepcional. Sprovat për ta vënë romanin brenda një rryme, tendence, drejtimi, mode, shpijnë në ngatërrim përkufizimesh. Autori shtyn kufijtë e filozofisë së kreacionit, shtyn kornizat e potencialitetit logjik përmes tendencës së kalkuluar të një estetizimi negacional. Libri herë na shfaqet si një makrodiagnozë e njeriut, herë sikur një filozofemë letrare; gërsheton përpjekje ekzistencialiste a la Camus me sintezat faustiane. Është një sprovë artikulimi godotian. Është madje edhe një sprovë për të optimuar gropëzat e mjegullat ambivalente në univerzalizmin e Librave të Shpallur. Është, përveç tjerash, një përpjekje për të vështruar gjithënajën nga asgjëkundi.

Kjo vepër natyrisht që në radhë të parë është shkruar për diçka; porse, duke iu referuar këtu Samuel Beckettit, kjo vepër në vetvete është një Diçka.

Gëzim Aliu markon mes rreshtave të librit dy fenomene thellësisht shqetësuese për mendjen e njeriut: Vetëdijen dhe Paparashikueshmërinë e Universit. Dhe se, Gëzim Aliu markon mes rreshtave argumentin mbi pamundësinë e një pafundësie aktuale. Vetë Aristoteli kishte shënuar se nuk mund të ekzistonte një madhësi aktuale e pafundme as në kuptimin matematikor. Koncepti i të pafundshmes, të cilin kaq shpesh lexuesi e ndesh në roman, është megjithatë një koncept dinamik. Lexuesit i kujtohet të eksperimentuarit mental të David Hilbertit me hotelin me dhoma të pafundme.

Edhe se, Gëzim Aliu markon problematikën e thellë të njeriut modern në përballje me faktumin shkencor se Universi kishte një fillim. Zbulimet e Alexander Friedman dhe Georges Lemaitre kishin tronditur botën dhe plasaritë njohjet shkencore. Ndodhia e universumit simbas modelit Friedman-Lamaitre ishte një parandodhi absolute ex nihilio. Jo vetëm masa dhe energjia, porse edhe koha e hapësira vijnë në ekzistencë në momentin e Big Bangut. Mandej Teorema e Borde-Guths-Vilenkins i vë vulë përfundimisht konceptit shkencor se universi është krijuar prej asgjësë.

Mirëpo, tashti, çfarë është Nihilio?

Është kjo një pyetje filozofemë që përshkon tërthorazi gjithë pneumën e romanit. Në frymën e romanit ndihet dhembja e madhe e të qenit në botë. Mund të ekzistonte diçka e atillë si Hiç, si hiçësi, dhe se kjo gjendje sado paradoksale, t’i ketë prirë ekzistencës së universit? Mund të ketë ekzistuar mundësia e të qenit ndonjëherë të një hiçi të kulluar? Martin Heidegger shkruan në ligjëratën “Çfarë është metafizika?”, se në thelb kurdo që shtrohet pyetja se çfarë është e Qenmja, në qendër pra është e Qenmja si e atillë. Përfytyrimi metafizik mbi të qenmen, vijon Heidegger, mbështetet faktikisht dhe i falënderohet kushtimisht dritës së të vërtetës mbi ekzistencën e të qenmes si e atillë. Simbas Martin Heideger: “në të qenmen e qenies ndodh asgjësimi i hiçit“.

William Line Craige shkruan se Shkaku i parë duhet të mos ketë fillim. Shkaku i parë duhet të ketë pandryshueshmëri. Një regres ndryshimesh të pafund nuk mund të ketë. Është një faktum i habitshëm, shkruan W.L. Craige. Shkaku i krijimit të universit është i amshueshëm. Por efekti i krijimit të universit është i përkohshëm. Shkaku i parë nuk mund të lejojë të jetë i shkaktuar, ngaqë nuk mund të ketë një regres të pafund shkaqesh.

Romani “Sëmundje dhe Perëndi”, përveç tjerash, mund të lexohet edhe si një sprove e radhës e “përplasjes” së njeriut me konceptin Zot.

Kronologjia e “prekjes dhe përplasjes” së Njeriut me Zotin është e gjatë. Emra impresionues në kulturën e përbotshme kanë qenë “të prekur e të goditur” nga koncepti Zot. Nga treshja e famshme e Antikitetit Sokrati-Platoni-Aristoteli e duke u ngjitë tek të argumentuarit ontologjik të Anselm von Canterbury, Thomas Aquin, Descartes, Baruch Spinoza, Leibniz, Hegel, Schelling, Kurt Gëdel, Norman Malcolm, Dawid Lewis, Alwin Pantinga, Richard Swinborn.

Të përkujtojmë megjithatë një thënie të Simone Weil se “për Zotin ne mund të dimë vetëm se çfarë nuk është, dhe jo se çfarë është“.

Duke u shërbyer me ligjet e teknografisë narrative, në romanin “Sëmundje dhe Perëndi” teksti letrar ia del ta katapultojë rrëfimin në duart e dy Autorëve në sferat e mistershme të së qenmes; autorin Gëzim Aliu dhe Perëndinë, kryekontraktor i historive kozmike. Autorët vijnë nga jashtëbota dhe i nënshtrohen të modifikuarit narrativ. Është një Autorësi multiperspektive duke shtyrë tekstin narrativ deri në një kolaps të dyfishtë të ideve të shtruara. Një kolabim duploid do ta gjejë lexuesin në stadiumin e të verifikuarit të variabëlve kompozicionale të kontratës fiksionale. Në pjesën e dytë të librit shpërfaqet tendenca e autorit për thyerjen e të gjitha konvencave narrative duke iu afruar kufirit të një absolutizmi fenomenologjik e duke testuar hapësirën e filozofisë së kreacionit.

V.

Ku e si ta dimë: ndoshta në fillesë ishte rrëfimi. Në fillesë ndoshta ishte veprimi. E rrëfimi e veprimi ndoshta së bashku ishin te Zoti. E, Zoti ishte rrëfimi e veprimi. Rrëfim dhe veprim i përnjëhershëm. Zoti krijon universet. E, vonë dikur, ngjizen romane për të rrëfyer rrëfimin e parë, pa fillim, pa shkak, pa përbërje … sikur romani “Sëmundje dhe Perëndi”.

Ky është një libër për të dyshuar në të. Është për të gjithë ata që nuk janë të devotshëm. Për ata të cilët nuk ndjekin një ide, ideologji, modë kohe e dogmatizëm. Ky është libër që nuk udhëzon askënd. Është një libër për mendjet e lira. Ky është një libër padyshim i rëndë. Është shpalim i shumëfishtë i temave që tronditin thellësitë e qenies njerëzore: dashurinë si e qenme dhe besimin e dyshimin në të qenmen si të atillë.

Romani “Sëmundje dhe Perëndi“ preket nga humnera, por nuk joshet të bie në greminë.

Romani jep e ngjitet në sferat e larta e rrathët e përtejmë, por i ngjyer e i ndryrë me idenë fillestare të dëshirës së lirë për t’u rikthyer prapë në botën e njeriut.

Në libër që me mbylljen e kopertinave do të zë e të ndikojë e të veprojë në mendjen e ndjesitë e lexuesit, porse pesha e të cilit, paradoksalisht, me zgjatimin e rrugëtimit, zë e pakësohet deri në përhumbje. Është një rrëfim për të gjitha rrëfimet.

Fausti i Goethes do të thoshte: krejt në fillesë ishte veprimi.

Ku e si ta dimë: ndoshta romani “Sëmundje dhe Perëndi” në një dimension enigmatik të së qenmes është një Letër e gjatë që Perëndia mund t’ia ketë dërguar Shkrimtarit! Duke qenë ai, shkrimtari, pjesëmarrës pa dijeninë e tij, në lojën e pafund kozmike.

Gusht, 2025

ObserverKult

Avni Alija

Lexo edhe:

“SËMUNDJE DHE PERËNDI”: PASQYRË MBI MULTIVERSIN ONTIK TË QENIES