Avni Behluli: Artistët e mirëfilltë po denigrohen, margjinalizohen, nëpërkëmben!

Skulptori Avni Behluli, i cili me origjinë është nga Breznica e Bujanocit  fillet e para si artist i nisi qysh para 40 viteve  në vendlindjen e tij ndërsa deri më tash numëron shumë  punime, ekspozita personale e kolektive dhe shumë çmime.

Intervistoi: Lindita Canolli-Fejzullahi /ObserverKult

Njiheni  si “mjeshtër” i skulpturës, por  realizoni edhe piktura,  punime në grafikë…  Si nisi krejt ky rrugëtim?

Avni Behluli: Arti është sfidë në rrugëtimin e një artisti. Fillet e mia si artist datojnë para  40 viteve, kur u regjistrova në Akademinë e Arteve, dega e skulpturës në Prishtinë. Unë si  vokacion e kam skulpturën, por me të njëjtin intensitet e kultivoj  vizatimin, grafikën e pikturën.

Skulptura, rëndësia e saj, ndjesia kur e realizoni një skulpturë. Si e përkufizoni këtë afinitet?

Avni Behluli: Arti i skulpturës është më delikatja ndër të gjitha gjinitë figurative, duke filluar nga sigurimi i materialit, puna në të dhe transporti për ta ekspozuar atë. Skulptura në raport me degët e tjera figurative, të bënë për vete, atë e ndjen dhe e përjeton sepse është tridimensionale dhe e prekshme. Skulptura është objekt (materie) që përjetohet, ka shpirt, dashuri, dhembshuri, pa zë por ka mimikë.

Me prejardhje jeni nga Breznica e Kosovës Lindore. Sa ishit në vendlindje sa keni arritur ta promovoni punën tuaj krijuese , a keni realizuar ndonjë punim sa ishit atje, apo jo?

Avni Behluli: Origjina ime është Breznica e Bujanocit- Kosova Lindore, unë isha i vetmi nga kjo lëmi artistike dhe nuk kisha ndonjë përkrahje të madhe morale,  aq më pak profesionale. Por,  asnjëherë  nuk ndalova së punuari me art, ku krijimtaria ime artistike në frymën e realizmit pikërisht shtrihet në periudhën e viteve 80-90 ta, sa isha duke jetuar ne fshatin Breznicë.

Jeni autor i shumë ekspozitave në grupe dhe ekspozitave personale në Kosovë dhe jashtë vendit. Cila nga ekspozitat personale ju ka dhënë më shumë emocion?

Avni Behluli: Gjatë gjithë jetës sime jam aktiv, si me ekspozita personale në vend dhe jashtë saj, po ashtu edhe atyre kolektive. Secila ekspozitë zgjon emocion tek artisti, por do të veçoja ekspozitën time personale ne Galerinë ”Shtabuk” në Split në vitin 1990, ku u prezentova me një cikël të skulpturave në dru dhe vizatime të titulluar ”Drama shqiptare”. Përshtypjet e vizitorëve nga kjo ekspozitë ishin shumë profesionale dhe reale, ku shiheshin karakteret e personazheve të një drame(shqiptare). Apo edhe ekspozita personale në Galerinë Kombëtare në Tiranë 2003, me 25 skulptura dhe 30 vizatime.

Në mesin e shumë shpërblimeve që keni  po ndalemi  pak tek njëra. Bëhet fjalë për ‘Shpërblimi për skulpturë ( shpërngulja plagë shekullore e popullit tonë). Mund të na flisni për peshën e këtij punimi, dhe vlerësimin/shpërblimin që morët?

Avni Behluli: Për punën krijuese jam vlerësuar nga kritikë të artit dhe institucione kulturore në Kosovë dhe jashtë saj, në konkursin e shpallur për një ekspozitë 1994 ( shpërngulja plagë shekullore e popullit tonë). Unë e dorëzova një skulturë në dru diku 50 cm, ku përshkruhej një njeri i kërrusur duke ecur. Unë nuk isha në hapje të ekspozites, pasi që mungonin mjetet e informimit në atë kohë. Këtë informatë e mora kur shkova për ta tërhequr punimin në shoqatën e artistëve figurativë të Kosovës, gjegjësisht personi zyrtar duke ma dhënë punimin ma dha edhe një zarf dhe më tha se jeni shpërblyer edhe më të holla, mbaj mend  kanë qenë 140 marka.

E unë as që e kisha njohur kush ishin personat e shoqatës për të shpërngulurit, këtë informatë e kam kuptuar pas shumë viteve. Konkretisht, pas luftës në një ngjarje në Prishtinë më afrohet një person dhe më thotë kështu, po e citoj: A e keni marr një çmim në ekspozitën (shpërngulja plagë shekullore e popullit tonë ) në vitin 1994 dhe mjete në këtë shumë…., unë i them po. Ai më prezantohet se është Jahja Lluka dhe më tregon se  janë për çmimin për skulpturë. I jam mirënjohës.

Me cilin material punoni më shumë … ?   

Avni Behluli: Që nga studimet e deri në një peridhë më vonë kam punuar më shumë në material druri, ngase këtë mundësi ma ofronte vendi ku jetoja dhe njerëzit përrreth, pastaj kam përdorur gurin, metalin e deri te materialet e ricikluara.

Përveç punës suaj si skulptor  ju njiheni edhe si bashkëthemelues i shkollës së mesme ‘Kursi profesional i artit figurativ”.  Në vitin 2008 zgjidheni kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativ të Gjilanit, një ndër themeluesit e Shkollës së Mesme Publike të Artit Pamor në Gjilan e të tjera pozita.  Si është shpërblyer krejt kjo punë e juaja që ndryshon nga ajo e krijimit të skulpturave.

Avni Behluli: Pas viteve të 80-ta në Gjilan dalin kuadro të artit figurativ, ku me angazhimin e tyre nëpër shkolla fillore e të mesme, vërehej interesimi i talentëve të rinj për këtë zeje. Ne, artistët të tubuar në shoqatë shtruam idenë që të kërkojmë në institucionet komunale që ta themelojmë një shkollë të mesme të artit figurativ. Por në atë kohë kjo nismë e jona nuk ndodhi dhe ne u detyruam ta hapnim një shkollë jo publike të artit për talentë të rinj. Më 2007 në Kuvendin e shoqatës me shumicë votash zgjidhem kryetar i Shoqatës së arteve pamore në Gjilan.

Pastaj në 2011 u themelua Shkolla e mesme e Arteve Pamore në Gjilan, drejtori i D.K.A së më emron për kordinator të shkollës. Më 2012 shkolla e arteve pamore regjistrohet në M.A.SH.T, dka dhe shpallë konkurs për drejtor, ku unë zgjedhem drejtor i parë i shkollës së mesme të lartë të Arteve Pamore në Gjilan. E gjithë kjo punë është kurorëzim i një angazhimi shumë të madh shoqëror, vetëm e vetëm që të krijojmë kushte të mira për të rinjtë dhe profesionalizëm. Vërtet puna me aktivite të lira të merr kohë dhe të largon nga krijimtaria, por duke e ditur se po kontribuojë në aspektin e përgjithshëm, ia vlen të sakrifikoj edhe nga arti. Për këtë jam krenar që në Gjilan kemi bërë për të rinjtë dhe artin në përgjithësi, ku ky aktivitet i shoqatës tonë me shokë është kurorëzuar me hapjen e Shkollës së mesme të lartë të arteve pamore ”Adem Kastrati” dhe Galerisë së Arteve.

Shumë herë hasim skulptura/buste në vendin tonë  që nuk janë as të përafërta me figurën që mban atë emër?

Avni Behluli: Skulptura si degë me rëndësi e artit dhe kulturës kombëtare, është aset në vete, si për nga specifikat e punës, po ashtu trajtimi i saj profesional dhe aq më shumë kujt i dedikohet dhe ku vendoset. Por në Kosovë pothuajse të gjitha këto kritere nuk janë respektuar, fajtor për këto pa rregullësi ka shume. Në rend të parë institucionet që nuk kanë sjelle njerez kredibil në vende udhëheqese, pastaj artistë dhe grupet e interesit. Marrë parasysh këto komponente skulptura urbane në Kosovë është e dështuar, nuk i ofron vizitorit mesazh të kohës e shumë më pak si skulpturë e punuar në mënyrë profesionale. Këto përzgjedhje që bëhen për vendosjen e skulpturave publike, ndodhin me porosia nga të fortit dhe juri apo panel”artistë” me karakter të ulët, prandaj edhe dështimi është i garantuar.

Ju keni një rrugëtim të gjatë si skulptor, piktor. Si e pranoni kritikën nga profesionistët, apo  nga joprofesionistët kur e shikojnë punën tuaj?

Avni Behluli: Kritika për një artist është e mirëseardhur, kur vjen nga profesionistët, por mjerisht në Kosovë nuk kemi kritikë të mirëfilltë. Për të dhënë një mendim vlerësues, mbi punën e një artisti do të thotë duhet mjaft përgjegjësi, ngase kritiku duhet vlerësuar punën krijuese  të X-it, e jo të niset nga simpatia ndaj tij apo nga ana materiale. Unë i pranoj kritikat pavarësisht çka shprehin ato.

Cila është sfida më e madhe, më e shpeshtë që ju e keni hasur deri më sot si skulptor?

Avni Behluli: Pos krijimit të një vepre apo cikël veprash, skulptura është një diversitet në vete. Por sfidë të cilën artistët sot e përjetojnë është qasja e ulët e vlerësimit nga ana e institucioneve ndaj artistëve, klaneve të krijuar të cilët mendojnë  se tani nga ta po fillon arti në Kosovë duke i nënvlerësuar ata të cilët i mësuan se si kapet lapsi e peneli. Po krijohet një fenomen – mendësi shumë e dëmshme në këtë aspekt, ku nuk duan të flasin për historikun e zhvillimit të artit nëpër etapa kohore, çka do të krijojë një zbrazëti në trashëgiminë tonë kulturore.    

Sa është e vështirë të jesh profesionist, pra të kryeni një punim, projekt në bazë të krejt kritereve që duhet dhe bëhet në mënyrë profesionale, në theks të veçantë në ditët e sotme?

Avni Behluli: Në Kosovë, të jesh profesionalist të kësaj fushe do të thotë të përballesh me shumë vështirësi nga disa aspekte. Artistët përballen me mungesë të hapësirave profesionale (atele), mjete financiare, puna e përditshme në një institucion etj.

Cila prej skulpturave tuaja mendoni se dërgon mesazhin më të qartë dhe më të fortë te publiku?

Avni Behluli: Arti – skulptura, nëse krijohet në mënyrë profesionale, duke respektuar kriteret profesionale, trajtimi i duhur, format shprehëse, atëhere edhe mesazhi për publikun është shumë i qartë dhe i kuptueshëm.

Sa vlerësohen punimet e skulpturës në vendin tonë?

Avni Behluli: Në përgjithësi arti dhe kultura në vendin tonë, nuk vlerësohet në masë të duhur, vetëm t’ia hedhim një sy se sa përqind e buxhetit të shtetit ndahet për kulturë, shumë lehtë e kupton se sa përkrahet arti. Artistët e mirëfillt po denigrohen, janë të margjinalizuar, të nëpërkëmbur nën mëshirën e zotit dhe vetëvetes.

A jeni duke punuar në ndonjë projekt të ri?

Avni Behluli: Unë po vazhdoj të punoj pandërprerë, kohën pas punës në shkollë që bëjë e shrytëzoj në atele për krijime të reja. Vjeshtën e kam shfytëzuar duke punuar në skulpturë , ndërsa tani kur është ftohur moti punoj brenda në atele tema të ndryshme. Kam projekte për vitin e ardhshëm që të shpërfaqë krijimet e mia nëpër vende të ndryshme, në ndonjë ekspozitë personale dhe më shumë kolektive.

Porosia juaj për skulptorët…artistët e rinj

Avni Behluli: Porosia apo mesazhi im për artistë të rinj është: punë, punë dhe vetëm punë, sepse arti nuk do shumë fjalë dhe e ka edhe një të mirë- nuk i skadon afati!/ ObserverKult


Lexo edhe:

EKSPOZITË NË OBSERVERKULT: SHKURTE RAMUSHI, PIKTORE (FOTO)

Në rubrikën EXPO në ObserverKult, kemi zgjedhur për ta prezentuar me punimet e saj artistike, piktoren Shkurte Ramushi.

Shkurte Ramushi lindi 07.03.1992 në Verban të Vitisë, Kosovë. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindjen e saj, të mesmen në Gjimnazin “Kuvendi i Lezhës” në Viti ndërsa e përfundoi në Prishtinë, në degën e artit të aplikuar, drejtimi i dizajnit grafik në Shkollën e Mesme Teknike “28 Nëntori”. 

Studimet Bachelor i mbaroi në vitin 2014 ndërsa studimet Master në vitin 2016 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, degën e Artit figurativ, drejtimi i pikturës në klasën e Profesor Nagip Berishës.

Shkurta është piktore, fotografe dhe mësuese e artit. Ka punuar si kuratore, fotografe dhe koordinatore në “Unique Art Gallery”, si mësuese në institucionin arsimor “Creative Center” dhe “LET Center”.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


ANDREW FABER: KTHEHU NË TË SHKUARËN VETËM PËR TË KUJTUAR KUSH JE

Kujtohu të ngrihesh herët”, poezi nga Andrew Faber

Është një energji misterioze, e mahnitshme
që jeton vetëm për disa orë
kur lind dita.
Është takimi yt me universin
Bëhu gati.
Të bën të ndihesh jashtë kohës
teksa në lutje falesh

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult