Nga Aziz Mustafa
(ese-triptik në një të diele të vrerët)
1. Pyetja antologjike miliondollarëshe, që në sipërfaqe duket krejt budallaqe
Këtu e dhjetë vite më herët, pasi botova librin tim të parë me tregime “Toka ime është në dashuri” (rrëfime për njerëz, ujq dhe qenie të tjera); Sh.B. “Olymp” Prishtinë, 2014, një gazetar i një portali të atëhershëm, që emrin ia kam harruar me qëllim, edhe gazetarit edhe portalit, më ka pasë marrë një intervistë, një lloj bashkëbisedimi për librin të cilin as atëherë e as më vonë nuk e kishte lexuar.
Gazetar i kronikave rozë, ku lajmet më të rëndësishme janë cila këngëtare u nda nga burri dhe sa kushton vetura e filan reperit, ku teksti më i pëlqyer i krijimit artistik që e quajnë këngë është: “U çka e paske b… e mirë, shumë mirë p’e dridhë, zemër, shumë mirë p’e dridhë”, pra ai gazetari, mes pyetjeve tjera, më ka pasë bërë një pyetje të budallme:
– Për çka do t’ju shërbejë ky libër lexuesve?
Përgjigja ime, sa më kujtohet, ka qenë me një humor të zi apo lloj burleske, që dorën në zemër nuk është mjet as armë imja. U pata përgjigjur se me këtë libër lexuesit mund të fotografohen, se i ka kapakët e bukur, mund ta vendosin mbi televizor me tentene, mund ta vendosin nën njërën këmbë të pabarabartë të kredenacit (ata ormanët e këtyrehershëm, kujt i kujtohen), që ta balancojë e të mos rrëzohet e të shkaktojë fatalitet; mësuesit mund t’i godasin me këtë libër në kokë nxënësit e padëgjueshëm e problematikë, se nuk është i rëndë e të shkaktojë lëndime trupore, etj. etj.
Gazetari u pat hidhëruar pak kur e pat lexuar, por përgjigjen bashkë me pyetjen e patëm ndryshuar, e patëm përshtatur disi dhe intervista ishte botuar, shpërndarë dhe ishte harruar, si është harruar edhe libri, se në Kosovë 99% të librave botohen për tu harruar, por pyetja, sa do pa lidhje, autosugjestive, e pakuptimtë dhe e budallme të duket, në vetvete ngërthen një dilemë hamletiane, një dilemë që është si një krimb në mollën (kokën) e shkrimtarit. Çka duhet ky libër?
2. Çka i shërben libri autorit?
Qe një listë autorësh dhe dobish nga librat e tyre. Dobia për autorët. Dobia për lexuesit, kujt po i kërset.
Një goce pesë-gjashtë vjeçe, që nxjerr librin e parë pa lexuar asnjë libër, pa ditur të shkruaj as emrin e vet mirë, librin ia boton babai i saj për ti siguruar vajzës së tij të shtrenjtë një të ardhme të lumtur, që vajza e tij të mburret para klasës, shkollës e mëhallës se është një gjeni dhe me statusin e gjeniut të notojë nëpër dallgët e jetës. Babai nuk mendon fare se kur të bëhet vajza e tij të mendojë me kokë të vet, nëse bëhet ndonjëherë, duke notuar do të gjendet në një breg të vetmuar, si peshku në zalle.
Një djali a vajze adoleshente i shërben për të ngritë zërin e të ndjehet sa më shumë te gjinia e kundërt, që të bëhet i/e dashur, i/e pëlqyer, të ndjehet i/e kulturuar dhe mbi të gjitha të ndjehet poet/e, si shumica e popullsisë në këtij vendi, që ka më së shumti shkrimtarë për kokë banori, e në statistikat botërore të arsimimit dhe edukimit zen vendet e fundit, që përkthyer nga shqipja në shqip i bie se nën këtë qiell poetësh, më shumë shkruhet e botohet se sa lexohet.
Një asistenti e profesori të Fakultetit të Letërsisë shkrimi i librave artistikë dhe botimi i tyre u shërben që pos pasurimit të autobiografisë, të bëhet idhulli i studenteve të bukura që e “lajkojnë” në rrjete sociale, që e ngritin në qiell dhe nuk e lëshojnë kurrë në tokë; fotografinë e tij me shikimin e paturpshëm e depërtues e mbajnë në telefonat e mençur të edicionit më të ri, që i bie se fotografinë e tij studentet e bartin mes gjinjsh të fryrë ose në xhepat e pantallonave të puthitura për vithet e bëshme. Honorarët dhe shpërblimet e pamerituara që merr për ato libra falë miqve e kolegëve që janë në juri, janë krejt qelepir, krejt belesh. “Nuk ka bërë të mos i jepet shpërblimi, se po na hidhërohet, se helbete koleg e kemi”, ka qenë përgjigja e një pjesëtari të jurisë njëherë, kur i patën dhënë një shpërblim të pamerituar këtij farë shkrimtarucit. Dëshmitarët janë gjallë.
Një politikani të rënë nga pushteti, shkrimi dhe botimi i librave artistikë është kërkimi kohës së humbur, kohës që e ka kaluar duke mjelë popullin e varfër, e tani me disa pallavra që tregon mundohet të tregojë atë që nuk e ka treguar në dekadat e zeza të karrierës politike.
Një shkrimtari të njohur një vepër artistike i shërben edhe për të pastruar figurën e një paraardhësi të tij, që bota e di mirë kush ka qenë. Të mos flasim këtu për heronj e anti-heronj, për libra të paguar me qime të kokës, ku autori-fantazmë është bërë i pasur duke ngatërruar opinionin dhe duke futur të vërtetën në qorrsokak.
Një profesionisti të mirë që shkruan libra kur del në pension, ato i shërbejnë që ai të ndjehet i dobishëm për familjen, për nipat që ia lëmojnë mjekrën e shkrimtarit.
Mirë do të ishte që këto libra të botoheshin me ndonjë projekt të ministrisë, ku me dy recensentë, një redaktor dhe një botues që blihen lehtë, para se të paraliza t’ia marrë njërën dorë ose para se vdekja të dërgojë në panteonin e poetëve të vdekur. Të vdekur prej së vërteti, se ka edhe të vdekur të rrejshëm, mos harroni.
Lista e dobive që sjell libri si për autorin është e gjatë, sa është e gjatë edhe lista e lloj-llojshmërisë së autorëve, duke filluar nga ai që shkruan poezi për vizitën në zyrën e kryetarit të komunës e deri te ata të cilët propozohen për çmim Nobel.
Mos harrova të them se një autori i duhet të shkruajë për të treguar se është gjallë?
3. Çka vërtetë i duhet një libër një lexuesi?
Nuk ka një aktivitet të shoqërisë njerëzore më njerëzor se shkrim-leximi. Të vetmit njerëzit janë në botë që shkruajnë dhe lexojnë. Kafshët hanë, pinë, çiftohen, lindin e kujdesen për pasardhës, luftojnë, vrasin njëri-tjetrin dhe kanë jetë sociale (jo rrjete sociale) dhe emocione, por asnjë nuk shkruan as lexon.
Nuk ka aktivitet më fisnikërues se shkrimi e leximi. Historia njerëzore fillon me shkrimet. Një popull që nuk ka lënë shkrime, çfarëdo qofshin, nuk ka ekzistuar.
Nuk ka aktivitet as fenomen më të përsosur në këtë botë nga të menduarit që krijohet në kokën e autorit, e pastaj nga pjesa e korës së trurit të përparmë shkon në pjesët e trurit që komandojnë muskujt e duarve e gishtave, njëjtë si violinisti a pianisti, dhe me trokitje të sakta në tastierë a letër të bardhë me laps të zi krijon simfoninë e shkronjave, shkronjave që bëhen tekst, që bëhen pasus, bëhen faqe shkrimi, faqe interneti, faqe libri që dikush e merr dhe duke marrë sinjale vizuale nga ai tekst, i dërgon në rrugën nervore të shikimit në pjesët e pasme të kores së trurit dhe pastaj me anë të lidhjeve që janë miliona herë më të përsosura se secili kompjuter, arrijnë në pjesën e përparme të kores së trurit, aty ku lindin mendimet dhe emocionet.
Lexojmë një tekst dhe bashkë-ndjejmë me personazhin, qeshim e qajmë me te, ndjejmë emocion dhe e bëjmë pjesë të kimisë trunore të mendimit tonë.
Ja pse njerëzit shkruajnë, edhe kur e dinë se nuk kanë asnjë fitim material, asnjë shpërblim, asnjë post, asnjë femër, asgjë pos asaj ndjenjës së frymëzimit, asaj ndjenjës së që sinapsat e trurit tonë na i mbushë me ndjenjën e së mirës dhe artistikes.
E kjo nuk ka çmim. Është si çmimi i Mona Lizës në Muzeun e Luvrit në Paris.
ObserverKult
Lexo edhe:
BUQETË POETIKE NGA AZIZ MUSTAFA: LIRIA, A ËSHTË ËNDËRR?
Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Aziz Mustafa:
Kam njohur njeriun
Kam njohur njeriun që zbuste ujq
E çartej nga qenë të rreckosur
Që mbillte fusha me dritë
Në net të errëta me mjegull
Kam njohur njeriun që vetëvritej çdo ditë
E ringjallej për të treguar sa e ëmbël është jeta
Këpuste lule dhe derdhte lot mbi petale
Deri sa të tjera i mbinin mes gishtash
Kam njohur njeriun që shtrihej në kopsht krizantemash
Dhe ëndërronte diej të ri në galaktika të vjetra
Pastaj dilte e mblidhte copa buke në plehra
Dhe ushqente urinë e pangopur të botës virtuale
Kam njohur njeriun që vuante dhembjet e të tjerëve
Dhe fshihej nën hije të buzëqeshjeve
Në një përroskë pinte ujë të freskët
E qeshte me zemër kur përmendej amshimi
Flinte mbi ferra dyshimesh e mospajtimesh
Me ndërgjegje të pastër kristal
Kam njohur njeriun…
Më ndodhë
Më ndodhë rrallë
Të mendoj se jam dikush tjetër
Më merr malli për veten
Dhe shpejt kthehem
Në gjendjen e vjetër
Mungon Musa Ramadani
Hera e parë pas sa muajsh
Hyj te “Edi-2”
Asgjë nuk ka ndryshuar
Pos një fantazme e zezë
Që po sillet rrotull
Me maskë e me dorëza
Me një emër të bukur
Si kurorë e Diellit
Mbetet një zbrazëti e amshuar
Mungon Musa Ramadani
Nuk nxezë më cigaren
As vizatime kroki nuk bën
E vera po vjen te “Edi-2”
A do të ketë kush të na kujtojë
Kur të mungojmë edhe unë e ti
Poezitë e tjera mund t’i lexoni KËTU:
ObserverKult