Babai im në gjyqin special. Isha aty kur bërtisnin: “Në litar, tradhtarë!”

Lekë Tasi ishte djalosh 15 vjeç kur ia arrestuan babanë, në  ditët e para sapo komunistët shkelën në Tiranë. Ai i kujton me dhimbje ditët kur e mbanin të izoluar dhe më tej nxjerrjen e tij në Gjyqin Special, ku Leka ishte vetë dëshmitar, ndërsa jashtë turmat e indoktrinuara bërtisnin: “Në litar, tradhtarë”. Prej asaj dite ato skena kanë mbetur të pashlyera në kujtesën e tij. Ja si e dëshmon ai arrestmin e të atit Koço Tasi ditët e gjyqit special në Teatrin “Kosova” dhe dënimin e tij.

Leka dëshmon:

“Që ditën e parë që shkelën partizanët në Tiranë, neve na arrestuan babanë. Unë dola nga një shtëpi miku, në afërsi të “Rrugës së Kavajës”, ku ishim zhvendosur kur plasi lufta, na hoqën partizanët nga pallatet e Lanës, edhe vajtëm te një mik atje, nga Përmeti. Edhe unë mbaj mend që isha me babanë në dhomë. Ai shëtiste nëpër dhomë, i preokupuar se si do të ishte e nesërmja, kurse unë po lexoja. D.m.th. isha 15 vjeç atëherë. Dola edhe pashë sheshin “Skënderbej”, me ata gjermanët e vrarë aty. Edhe kur u ktheva nuk e gjeta më babanë, por gjeta mamanë dhe dajën që bisedonin mes tyre.

blank

Ne foto: KOÇO TASI 

Babanë e çuan te “Rruga e Dibrës”, aty ku është njëfarë kishe, nga ana e hotelit, se ana tjetër është prishur, te shtëpia e Obdarëve. Edhe atje i çonim ushqimet. Pak ditë, pastaj e çuan në burgun e ri, që është tani Reparti 314, në Vrakë. Atje shkonim dhe prisnim te dera. Hapej ajo dera e madhe dhe pastaj me vrap, të ngarkuar me ushqime, shkonim rrotull e rrotull te telat. Takoheshim në intervale të caktuara me ata”.

 ***

“Më 1945 u bë një gjyq, gjyqi special. Neve nuk na lejonin të hynim brenda. Ne rrinim jashtë dhe dëgjonim prokurorin Bedri Spahiu, që i akuzonte dhe i binte tavolinës. Ishte shumë i egër, shumë agresiv në akuzat e tij, d.m.th. që “tradhtarë”. Kurse të gjithë të akuzuarit ishin njerëz me shkollë dhe paraqitën tezën që “ne nuk kemi bërë ndonjë tradhti, por ne kemi bërë një kompromis, meqë ishim shtet pa ushtri dhe nuk mund të reagonim ndaj okupacionit gjerman, ne pranuam një formë bashkëqeverisjeje, d.m.th. ata na lanë si qeveri të administronim vendin në mënyrë që të mos vinin okupacion, d.m.th. status pushtimi ushtarak, siç e kanë bërë në vende të tjera”, si në Poloni p.sh., që vlente gjyqi ushtarak. Edhe ishte komplet e pushtuar Polonia e të gjitha shtetet. Ne e kishim një lloj autonomie dhe vetëqeveriseshim. Në këtë mënyrë u mbrojtën edhe hebrenjtë te ne. Një meritë e asaj qeverie.

Jashtë ishte një masë e madhe nga ata që bërtisnin: “Në litar, tradhtarë!”. Edhe kishin marrë edhe djem të rinj, i njihja unë, nga Përmeti, që i kisha parë, që bërtisnin në mënyrë fanatike: “Në litar!”, pa ditur se si ishte puna. D.m.th., filloi qysh atëherë ai indoktrinimi i popullit dhe armiqësia, siç kishte qenë edhe gjatë luftës. P.sh., nëpër fshatra ishin edhe nacionalistët, edhe ata që donin luftën partizane ishin farefis. Edhe donin të luftonin bashkë. Por, udhëzimi nga qendra komuniste ishte: armiqësi ndaj tyre. Edhe këshillat nacional-lirimtare të bëheshin vetëm prej atyre që porosiste qendra. E kështu filloi përçarja. Kjo ishte gjendja edhe në fushën jashtë kinema Kosovës. Ata ishin të frymëzuar”.

***

Leka kujton se në ato ditë të Gjyqit Special, aty brenda nuk kishte vetëm të atin që po gjykohej e pristet  dënimin prej komunistëve, por kishte edhe xhaxhanë Akile Tasin, po ashtu i arrestuar që në ditët e para të regjimit.

blank

“Xhaxhanë e arrestuan po ato ditë se ai kishte shkuar në Shkodër dhe mund të shkonte në Gjermani, meqë ishte bërë ministër i Kulturës. Përveç gazetar dhe editor i “Bashkimit të Kombit”, kohët e fundit u bë ministër i Kulturës sepse është ajo logjika që vendi, atdheu ka nevojë, ne duhet t’i dalim zot, pavarësisht rrezikut që vjen. Dhe ky sens përgjegjësie bëri që ai të dënohej. U arrestua në Shkodër dhe e sollën në Tiranë. Mund të them që ishte i vetmi rast që dy vëllezër u dënuan në atë gjyq.

“Babai u dënua dhe e dërguan në kampin e Jubës, në fillim. Pastaj e çuan në Burrel, bashkë me të vëllanë. Babai u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa xhaxhai, Akile Tasi, drejtori i “Bashkimit të Kombit”, u dënua me 30 vite por ai u sëmur atje dhe vdiq pas 17 vitesh burgimi, në Burrel.

“Kur u dënuan, në prill 1945, i hoqën pas pak dhe unë e pashë babanë prapa kamionit, i lidhur, që po i çonin në fushën e Jubës, në Durrës….

 ***

Pas një periudhe vuajtjesh në kampet e tmerrshme të punës si Maliq, Jubë etj., dy vëllezërit Tasi dërgohen në burgun e Burrelit.

“Babai dhe xhaxhai shkuan në Burrel. Vitet e para Burreli ka qenë një burg shumë i rëndë, pasi ata kishin një pus për të marrë ujë. Edhe mënyra se si merrej uji nga pusi ishte primitive. Fusnin enët, d.m.th. ndotej. Mehmet Shehu kur vajti një herë për vizitë atje dha urdhër që të bëhej uji i rrjedhshëm. Edhe që atëherë shpëtuan nga ana e ujit, por ushqimi ishte i racionuar, kaq peshë në muaj. Edhe e drejta për të komunikuar me shtëpinë ishte një letër në muaj, një faqe. Por vendi i mbyllur, shumë veta në një dhomë. Babai u sëmur nga një diarre kronike. Edhe kështu që u detyrua të kërkonte izolim më vete, që të mos bezdiste shokët. I çonim ilaçe, por mezi u shërua. Kurse xhaxhai vuajti nga çiroza epatike, sëmundja e mëlçisë dhe vdiq atje, pas 17 vitesh burg. I kanë shërbyer ata të rinjtë, por me atë spital primitiv, ku s’kishte ndonjë kurë dhe vdiq. Na lajmëruan që vdiq edhe unë shkova për të parë varrin e tij, por nuk më lejuan. Dhe siç dihet, asnjë burg në Shqipëri nuk ka evidenca dhe nuk ka lejuar familjarët që të shohin varret. Kështu që edhe pas rënies së komunizmit, ne nuk e dimë se ku i kanë varret. Nuk i gjendet. Dhe është një çështje që, si shumë çështje të tjera, duhet të zgjidhet.

Babai nuk ishte në Burrel në momentin që vdiq xhaxhai sepse ishte në Tiranë për të bërë operacionin e kataraktit në sy. Kur u kthye e gjeti të varrosur. Nuk ia kishin treguar se ku e kishin varrosur.

Kur u lirua babai, shkoi vëllai i madh e mori, e solli me autobus në shtëpi. Babai nuk tregonte gjëra për burgun. Donte që të na linte një trashëgim ideor, na fliste për gjëra të tjera. Na fliste për historinë e Shqipërisë, për perspektivat e Shqipërisë, na pyeste për gjendjen dhe, nga ana tjetër, ai nuk qëndroi mirë me shëndet, por u sëmur… erdhi këtu u operua dhe vdiq në operacion, në vitin 1966.”

Shkëputur nga rrëfimet e Lekë Tasit në emisionin “Dosja K”/kujto.al