Bahri Beci: Vjetërsia e dialekteve, dëshmi e autoktonisë së shqiptarëve

Struktura dialektore e shqipes, në fokusin e botimeve më të fundit me autor akademikun Bahri Beci, vjen përmes një sërë analizash kritike të pikëpamjeve të deritanishme dhe me një tablo të qartë të formimit historik të saj.

Nëse studiuesi në librin “Struktura dialektore e shqipes” parashtron ndër të tjera një ndarje të re të strukturës dialektore të shqipes, në botimin e ri “Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes” ai e sjell atë si dëshmi konkrete të vendbanimit të hershëm të shqiptarëve në territoret e tyre të sotme në Ballkan. Në intervistën për “Panoramën”, profesor Beci sjell gjithashtu në vëmendje hulumtimet e shpesh edhe kundërshtitë e studiuesve vendas dhe të huaj sa i përket vjetërsisë së formimit të dy dialekteve të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes. Studime këto që janë trajtuar nga akademiku së bashku me historinë e zonave dhe rajoneve dialektore, duke arritur në konkluzionin se “dy dialektet e shqipes janë formuar në territoret e tyre të sotme në mesjetën e hershme (shek. VI-VIII)”. Beci rrëzon kështu përmes librit të tij të fundit pretendimet e studiuesve të huaj, që siç thotë akademiku, “zhvendosin djepin e hershëm të shqiptarëve në viset qendrore e lindore të Ballkanit”. Po ashtu ai thekson se ky konkluzion bën të mundur hapjen e një perspektive të re në shqyrtimin e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike.

Vitin e kaluar ju keni botuar librin “Struktura dialektore e shqipes”, kurse këtë vit librin “Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Çfarë keni trajtuar në këta dy libra?

Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes është një nga fushat më pak të studiuara të gjuhësisë shqiptare. Kjo për arsye të mungesës deri vonë të studimeve sistematike për të folmet e shqipes, për shkak të dokumentimit të vonë të saj, po edhe për shkak të vështirësive që paraqet në vetvete ky studim. Lidhur me historinë e strukturës dialektore të shqipes, E. Çabej ka shkruar se “kur është bërë ndarja dialektore e shqipes, nuk mund ta ndjekim historikisht” (Çabej 1976: 98).

Megjithatë ai pranonte se “në parim mund të shtrohet patjetër pyetja e gjenezës dhe e moshës së këtyre dialekteve, si edhe e bazave historike të ndarjes e degëzimit të tyre më tej” (Çabej 1977). Në librin e parë kushtuar strukturës dialektore të shqipes, duke u nisur nga të dhënat dialektore të grumbulluara sidomos ne periudhën pas vitit 1944 për të folmet e shqipes, po edhe në të dhënat e parashtruar në “Atlasin dialektologjik të gjuhës shqipe”, kemi analizuar në mënyrë kritike pikëpamjet e derisotme për strukturën dialektore të shqipes dhe kemi parashtruar një ndarje të re të strukturës dialektore të shqipes në dy “krahina dialektore” ose dialekte të shqipes, në dy zona dialektore dhe në katër rajone dialektore.

Në këtë libër të ri për historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes jemi përpjekur të shpjegojmë kohën dhe shkaqet e formimit të krahinave, zonave dhe rajoneve dialektore të shqipes. Në pjesën e parë të librit parashtrohen pikëpamjet e studiuesve të derisotëm për problemet që lidhen direkt a indirekt me historinë e strukturës dialektore të shqipes, kurse në pjesën e dytë pikëpamjet e mia për historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes. Libri mbyllet me nënkapitullin “Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes – dëshmi e vendbanimit të hershëm të shqiptarëve në territoret e tyre të sotme në Ballkan” Fillimisht përcaktohet historia e dy krahinave dialektore a dialekteve të shqipes, pra historia e “krahinës dialektore të Veriut” ose gegërishtes dhe historia e “krahinës dialektore të Jugut” ose e toskërishtes.

Pas tyre trajtohet historia e zonave dhe rajoneve dialektore, ashtu siç janë konceptuar ato nga unë në librin “Struktura dialektore e shqipes” të botuar prej meje më 2016-ën. Kam vënë në dukje që kjo problematikë është trajtuar nga shumë studiues (V. Polak, A. V. Desnickajas, J. Gjinari etj.), po edhe nga ne në librat “Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre” (2002), “Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike” (2002).

A ka pasur studime për këtë problem para këtij botimi dhe në qoftë se po, cilat prej tyre do të veçonit?

Po, ka pasur. Do të veçoja këtu studimin e E. Çabejt “Për historinë e strukturës dialektore të shqipes” të botuar më 1967-ën, po edhe studimet e J. Gjinarit dhe A. V. Denickajas.

Më shumë përpjekje janë bërë për përcaktimin e vjetërsisë së formimit të dy dialekteve të shqipes, gegërishtes dhe toskërishtes. Shumica e studiuesve shqiptarë dhe të huaj kanë mbrojtur pikëpamjen se dy dialektet e shqipes janë të reja.

Në dallim prej tyre, shumë studiues rumunë, që janë marrë me studimin e marrëdhënieve të shqipes me rumanishten, e kanë marrë si të mirëqenë vjetërsinë e tyre, madje ata për shkak të ngjashmërive ndërmjet shqipes dhe rumanishtes, si edhe të toskërishtes me dialektet rumune, shkonin deri atje që e zhvendosnin vendin e formimit të shqipes në përgjithësi dhe të toskërishtes në veçanti në zonën e Karpateve. Dhe janë autorë me shumë reputacion ndërkombëtar.

Duhet të veçojmë këtu themeluesin e albanologjisë J. G. Hahn, që është vetmi nga albanologët që ka pranuar që më 1854-ën vjetërsinë e ndarjes së shqipes në dy dialekte. Pra, J. G. Hahn është i pari që ndarjen dialektore të shqipes në gegërishte dhe toskërishte e çonte në rrethanat e kohës antike, po pa e argumentuar atë me të dhëna konkrete nga gjuha shqipe.

Në dallim prej tij, Gustav Meyer-i mendonte se ky dallim është më i vonë. Edhe N. Jokli mendonte se nuk është vështirë të vërtetohet risia relative e ndarjes dialektore. Edhe të tjerë dijetarë, si J. Rrota, G. Petrotta, C. Tagliavini, La Piana ishin të mendimit se dy dialektet kryesore kanë qenë më afër dhe se vetëm në këta shekujt e fundit u larguan nga njëri-tjetri.

Edhe V. Polak formimin e dy dialekteve të shqipes e vendoste në shekullin e gjashtëmbëdhjetë dhe shtatëmbëdhjetë. Sipas J. Gjinarit, ndarja dialektore e gjuhës shqipe mori formën që ka sot aty nga fundi i shekullit XVIII dhe fillimi i shekullit XIX. Në këtë kohë erdhën e u dalluan dy ndarje të mëdha krahi-nore, Toskëria në Jug dhe Gegëria në Veri.

A kanë pasur argumente këta studiues dhe në qoftë se po, cilat kanë qenë ato?

E vërteta është se, me ndonjë përjashtim, studimet për historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes kanë qenë të pamjaftueshme dhe nuk janë nisur nga një bazë teorike e përcaktuar qartë. Argumentet e sjella për të vërtetuar risinë e formimit të dy dialekteve të shqipes nuk kanë qenë as të mjaftueshme, as bindëse. Ato kanë tingëlluar më shumë si hamendësime se sa si prova që vërtetonin se dy dialektet e shqipes ishin të reja.

Po ju nga jeni nisur dhe çfarë rruge keni ndjekur për të shpjeguar historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes dhe në mënyrë të veçantë vjetërsinë e dy dialekteve të saj, kur dihet që nuk ka të dhëna të drejtpërdrejta për këtë problem dhe kur dihet që gjuha shqipe dokumentet e shkruara i ka relativisht të reja?

Sipas meje, rruga për të shpjeguar historinë e formimit të strukturës dialektore të shqipes është: 1. Përcaktimi i vjetërsisë së dukurive dialektore të shqipes përmes të dhënave të historisë së formimit të tyre (dhe këtu kontributet e historianëve të gjuhës shqipe janë të mëdha dhe shkencërisht të mbështetura). 2. Vënia përballë e të dhënave gjuhësore për strukturën dialektore të shqipes me të dhënat për historinë e popullit shqiptar gjatë shekujve. Kjo ka përbërë edhe thelbin e metodës së ndjekur nga ne për të shpjeguar rrugën dhe shkaqet e formimit të strukturës dialektore të shqipes. Zbatimi i kësaj metode më ka dhënë mundësi të hapim një rrugë të re drejt zgjidhjes së këtij problemi të komplikuar me interes shkencor e kombëtar.

Cili është përfundimi në të cilin keni arritur ju në përcaktimin e historisë së formimit të strukturës dialektore të shqipes, në përgjithësi dhe të dy dialekteve në veçanti?

Analiza që i bëhet në këtë libër kohës dhe rrugës së formimit të tipareve dalluese të dy dialekteve të shqipes ku do të veçoja mungesën e kundërvënies sipas hundorësisë në toskërishte; praninë e zanores qendrore /ë/; rotacizmin e /n/ në /r/ dhe zëvendësimin e paskajores me lidhoren, vërteton që tiparet dalluese të “krahinës dialektore të Jugut” ose të toskërishtes janë relativisht të vjetra, janë inovacione të toskërishtes të zhvilluara para ndikimit të gjuhëve sllave në shqipe. Kështu që duhet pranuar që dy dialektet e shqipes janë formuar në territoret e tyre të sotme në mesjetën e hershme (shek. VI-VIII) ose në antikitetin e vonë (shek. IV-V) para ardhjes së sllavëve.

Çfarë rëndësie ka, sipas jush, ky përfundim?

Me vjetërsinë dhe shtrirjen që paraqesin, këto tipare nuk mund të kenë lindur e të jenë konsoliduar si të tilla në një territor tjetër e pastaj të jenë bartur së bashku me popullin në territorin e sotëm, siç mendojnë shumica e gjuhëtarëve rumunë.

Kështu që duhet pranua që dy krahinat dialektore të shqipes “krahina dialektore e Veriut”, ose gegërishtja, dhe “krahina dialektore e Jugut”, ose toskërishtja, janë formuar në territoret e tyre të sotme, çka flet në mënyrë të padiskutueshme edhe për vjetërsinë e pranisë së shqiptarëve në këto territore të paktën që nga koha antike.

Kështu që nuk qëndrojnë pikëpamjet e shumë studiuesve të huaj, të cilët e zhvendosin djepin e hershëm të shqiptarëve në viset qendrore e lindore të Ballkanit, ose e ngushtojnë vendin e formimit të popullit tonë në Shqipërinë e Veriut ose në një territor të vogël siç është krahina e Matit.

Provohet, pra, ajo që ka shkruar Eqerem Çabej se “vendbanimi i sotëm i shqiptarëve nuk është një trevë ekspansioni, po një trevë restrikcioni, përfundim i një ngushtimi të paprerë gjatë historisë shqiptare”. Kështu që duhet pranuar që popullsia parashqiptare (ilire) në periudhën përpara dyndjeve sllave shtrihej, përveçse në viset në breg të Adriatikut (në Shqipërinë e sotme dhe në Çamëri), edhe në Kosovë, edhe në Serbinë Jugore, si edhe në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme.

Në këtë kontekst rindërtimi i historisë së formimit të strukturës dialektore të shqipes ka qenë, jo vetëm i vështirë, po edhe me përgjegjësi të veçantë. Në përfundim të librit kemi shënuar që “përpjekja jonë, edhe pse kurajoze, besojmë se është e përligjur, qoftë edhe me synimin për t’i ofruar opinionit shkencor një qasje të re ndaj një problemi me interes jo vetëm gjuhësor, po edhe kombëtar.

Pa insistuar që gjithçka është paraqitur në këtë libër është e padiskutueshme ose e formës përfundimtare, mendojmë se është një fillim i ri në një drejtim që shpresojmë se e meriton të ecet më tej në të ardhmen. Gjithsesi, synimet tona në këtë libër për të arritur në përfundime shkencore, nuk mund të vlerësohen si përfundimtare, po si një përpjekje për të krijuar kushtet për një përqasje të re ndaj kësaj problematike me interes për dialektologjinë historike të shqipes, po edhe për historinë e gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar në përgjithësi. Në qoftë se kam arritur diçka në këtë drejtim, ky do të ishte një lehtësim për mua ”.

Ky libër përveçse i jep një zgjidhje të re problemit të vjetërsisë së formimit të strukturës dialektore të shqipes në përgjithësi dhe të dy dialekteve të shqipes në veçanti, hap një perspektivë të re në shqyrtimin e marrëdhënieve të shqipes me gjuhët ballkanike dhe në mënyrë të veçantë në përcaktimin dhe argumentimin më mirë të rolit të shqipes në bashkësinë gjuhësore ballkanike. Krijohen kushtet për një rivështrim të problematikës së raporteve të gjuhës shqip dhe dialekteve të saj me gjuhët e tjera ballkanike./Panorama