Bajram Karabolli: Kam jetuar me heronjtë e librave, jo të punës socialiste

bajram karabolli:
Bajram Karabolli


“Pedro Paramo” një nga librat monumental të letërsisë hispanike ka vetëm pak që ka ardhur në gjuhën shqipe nën përkthimin e Bajram Karabollit. Rulfo është vetëm një; në oqeanin e madh të kësaj letërsie që prej kohësh kanë nisur të flasin në shqip; nën shqipërimin e Karabollit. Me atë tërheqjen që ta jep natyrshëm përkthimi, Bajram Karabolli njësohet lehtë me autorët e librave që ka përkthyer. Përkthyesi është zëri i autorit në gjuhën që e ka sjellë. Më poshtë ai bëhet pjesë e rubrikës “librat e zemrës” e suplementit Leteratura.

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

– “Ema Bovarí” (Gustave Flaubert), “Aana Karenina” (Leon Tolstoi), “Martin Iden” (Xhek London), “Mbi heronjtë dhe varret” (Ernesto Sabato), “El Aleph” (Borges), “Saga e Forsajtëve” (Xhon Gollsuorth), “Pedro Paramo” (Huan Rulfo), “Festa e cjapit” (Mario Vargas Losa), “Detektivët e egër” (Roberto Bolanjo), “Aura” (Carlos Fuentes), “Pallati i ëndrrave” (Kadare), “Lumi i vdekur” Jakov Xoxe), “Gurit të varrit ia rrëfej” (Agron Tufa), “Biri i botës” (Demir Gjergji), etj.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

– “Pedro Paramo” i Juan Rulfo-s

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

– “Lulet e mollës” ” (Xhon Gollsuorth), “Njëzet e katër orë nga jeta e një gruaje” (Stefan Cvajg) “Fati i njeriut” (Mihail Shollohov), “Erdha vetëm për të folur në telefon” (Gabriel G. Markes), ”Para ligjit” (Kafka), “Mrekullia e fshehtë” (Borges) ,“I vdekuri dhe stuhia” (Ervin Nezha), “Shamiverdha” (Thanas Medi), etj.

– Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

– Lexoj shumë: Romanin, tregimin, poezinë, esenë, etj. Pak kam lexuar: drama, komedi dhe, sidomos, libra biografikë.

– Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

– Ndoshta, “Napoleon de Marengó a Waterló” (General Baron de Marbot) dhe koleksion i gazetës “Dielli” (1916 – 1924).

– Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

– Martin Iden i romanit “Martin Iden” (Xhek London).

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?

– Mbase është e veçantë që unë nuk e kam nisur leximin me libra për fëmijë, pasi më mungonin, por me: “Hanko Halla” (Ali Asllani), “Bagëti e bujqësia” dhe “Qerbelaja” (Naim Frashëri), “Baba Tomorri” (Çajupi), etj. Këto ishin librat që kishte im atë. Leximin e librave për moshën e kam nisur pas klasës së katërt fillore, ndërsa në pallatin qiellor të letërsisë kam hyrë në vitet e gjimnazit, ku kam përpirë, pothuaj, gjithë letërsinë e përkthyer dhe atë tonën.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

– Po. Sa herë që regjimi komunist ndalonte libra. Fjala vjen, romanin e Dhimitër Xhuvanit “Tuneli”, unë nuk e kisha lexuar dhe e kërkova, pasi qe ndaluar, gjë që ishte me shumë rrezik. Por, telash i madh ishin edhe shumë libra të tjera të ndaluara që i mbaja fshehur.

– Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky që jeni sot, cili do të ishte ai?

– Në atë kohë terrori, unë isha arratisur nga realiteti vrastar dhe isha strehuar në realitetin e letërsisë artistike. Kësisoj, ky realitet imagjinar ka ndikuar fuqishëm në formimin e karakterit dhe personalitetit tim. Unë jetoja me heronjtë e librave artistikë dhe jo me heronjtë e punës socialiste. Janë të shumtë personazhet e librave, të cilët kanë lënë gjurmë të fuqishme në jetën time. Po përmend disa: Martin Iden, Ema Bovari, Ana Karenina, Gregor Melehovi, etj.

Nga librat që keni lexuar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?

– “Pedro Paramo” (Juan Rulfo), “Mbi heronjtë dhe varret” (Ernesto Sabato), “Festa e cjapit” (Mario Vargas Losa), po edhe të tjerë.

Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

-“Ferma e kafshëve” (George Orwell).

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

– Agron Tufa, Flutura Açka dhe Agim Baçi.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë? A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

– Ka vite që e kam kohën shumë të kursyer dhe, para se t’i futem leximit të një libri, informohem mirë për vlerat e tij. kështu që nuk e lë në mes.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

– Siç thashë edhe më lart, pak interes kam për librat biografikë, të cilët po pushtojnë vitrinat e librarive. Nuk kam menduar kurrë të shkruaj ndonjë autobiografi.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

– Dikur, edhe i kthehesha ndonjë libri për herë të dytë si për shembull: “Ema Bovari” (G. Flaubert), “Doni i qetë” (M. Shollohov), “Lulet e mollës” (Xh. Gollsuorth), apo ndonjë tjetër. Kam kohë që mund të rilexoj ndonjë faqe apo fragment të librave më të pëlqyer, por jo tërë librin. Kjo, thjesht për kursim kohe.

– Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

– Janë shumë. Aq shumë, sa, vërtet, ndihem keq t’i përmend.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

– Duke përkthyer autorë të huaj, unë përherë jam duke lexuar. Kur e përzgjedh vetë autorin dhe librin që do të përkthej, e lexoj si i babëzitur. Ndërsa librat e porositura nga botuesi janë ndryshe. Ka nga ato që më tërheqin, por ka nga ato me të cilat nis përkthimin, pa i lexuar./Gazeta Liberale

LEXO EDHE: BAJRAM KARABOLLI: I SHAJTUAR NGA PANDEMIA