Bajram Sefaj: Një prilli!

bajram sefaj kuturu

Nga Bajram Sefaj


April li-li…, i lojës, i argëtimit imagjinar, pa mbarim.
Ditë me emër e mbiemër.
Nuk është e mundur.
Ditë-datë, si për shembull, ditës së shtatëmbëdhjetë të muajit maj, t’i ngjitet emri Ditë Shiu! Ose një dite-datë tjetër, Ditë Breshri. Ditë Bore…, bie fjala! Ditë Pazari. Ditë Feste. Ditëlindje. Ditë Vdekjeje…, ani bën, disi. Por ditë rrenash, kjo nuk bën assesi! Nuk kalon. No pasaran! Është e paimagjinueshme, absolutisht e papërfytyrueshme, që një dite, ciladoqoftë ajo në kalendar, t’i ngjitet emër i caktuar. Ashtu sikurse nuk është e mundur, të caktohet ditë as datë, kur do të bjerë shi, a dëborë. Borë, shi e breshër, mund të bien çdo ditë ose të mos bien hiç. Pa orar e kalendar!

Nga, si e qysh, dita e parë e muajit prill, mori emrin Ditë e Rrenave?!?
Sikur ditëve të tjera të motmotit nuk rren njeri! Po të ishte ashtu, do të ishte një gjë e mirë, e mrekullueshme. Ditë e shenjtë. Festë gjithënjerëzore!

Njerëzit rrejnë, mjerisht, para dhe pas një prillit. Për çdo ditë, pandërprerë e gjithmonë. Rrejnë në jetë. Në krijimtari. Në art. Edhe më keq, rrejnë kur bëjnë shkencë. Në çdo fushë tjetër. Sidomos në politikë dhe diplomaci! (Shtim: për diplomacinë thuhet se është i vetmi profesion pa etikë. Aty rrena ka legjitimitet të garantuar).

Më logjike do të ishte sikur dita e një prillit të shpallej Ditë pa rrenë. Ditë Vërtetësie! Ditë e shënuar, kur do të ishte më e bekuara e të gjithave! Ditë gjatë se cilës nuk do të këputet asnjë rrenë! Dita e një prillit të quhej Ditë mahish, gazmoresh, qesëndish…

(Episod: Ndreu hoqi dorë nga meditimi rreth kësaj teme të vjetruar. Kodi i saj, qoftë edhe gazmor, humoristik dhe argëtues, është zhbërë dhe shuar krejt. Është mekur humori, sot! Ishte i sigurt se çfarëdo që të shkruante sot, do ta shpallte të humbur, të pavlefshme!

Paradoks dhe ironi, kjo ditë i sillte sihariq. I biri nuk kishte qenë në kurrfarë kontrolli, siç shkruante. Kishte qenë në ekzaminim, në sprovë zemre djaloshare. Me një bukuroshe alpine, të bardhë si qumështi, në dhomën e hotelit të bukur dhe luksoz, mbi liqenin e hijshëm të bjeshkës!).

“Fragment i shkëputur nga romani “Terra nullius”, ShB Rozafa, Prishtinë -2009

ObserverKult


Lexo edhe:

BAJRAM SEFAJ: NJË BISEDË E RASTËSISHME ME LEZE QENËN