Muzika që dëgjohet në hollin e Teatrit është tregues se në sallën e ushtrimeve të Baletit Kombëtar të Kosovës ka nisur puna.
Balerinët u janë rikthyer ushtrimeve pas gati tre muajsh. Por tash janë të detyruar që shkaku i pandemisë të qëndrojnë në distancë. Të ndarë në grupe nga tetë veta, ata duhet t’i bëjnë përgatitjet fizike. Mbajtja e distancës është e detyrueshme. Kjo, një situatë e pazakontë për ata. Nuk lejohen as pikat duo.
Solisti Sinan Kajtazi thotë se nuk e di se si do të mund të mbanin prova e të përgatisnin shfaqje duke luajtur në distancë.
Sipas tij, ushtrimet e përditshme janë baza e baletit dhe duhet të punojnë qoftë edhe në distancë, transmeton ‘koha.net’.
Solisti Fatmir Smani, i cili ka udhëhequr ushtrimet për një grup, thotë se asnjëherë nuk i ka shkuar mendja se do të punonin në distancë.
Përderisa ende nuk dihet se kur do të mund të nisnin provat për ndonjë shfaqje të re, balerinët do të vazhdojnë me ushtrime. Në sallë nuk janë parë masa mbrojtëse. E dezinfektimi kanë kërkuar që të jetë i përditshëm.
Hapat e tyre në distancë janë një lloj intro e shfaqjeve që ende nuk dihet se si do të duken me rrethanat e krijuara nga koronavirusi.
Për dallim nga Baleti, në ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, mesditën e së mërkurës, nuk janë parë duke bërë ushtrime.
Paraprakisht, menaxhmenti e Shoqata Sindikale e institucionit janë ankuar se ende nuk e kanë të qartë se si të veprojnë. Sipas tyre, mbledhja e ushtrimet në sallë janë të rrezikshme për specifikat e punës që bëjnë.
Solisti Besnik Grajçevci thotë se kanë valltarë e instrumentistë të regjioneve të ndryshme e nuk janë të pajisur me masa mbrojtëse. Kanë kërkuar edhe testim të anëtarëve të Ansamblit.
Kërkesat e Shoqatës sindikale në Ministrinë e Kulturës i ka drejtuar edhe drejtori i përgjithshëm i “Shotës”, Shefqet Gjocaj. Gjocaj ka kërkuar që midis të tjerash edhe një ekspert mjekësor t’iu japë sqarime punonjësve se si t’i mbajnë ushtrimet.
Ministria e Kulturës i ka kërkuar atij dhe të gjithë udhëheqësve të tjerë institucionalë që punonjësit të dalin në punë.