“Ballafaqimi me të harruarën” nëpërmjet fotografive

Fotografitë e ekspozuara dokumentojnë rrëfimet e të mbijetuarve që vazhdojnë të bartin peshën e të jetuarit pa më të dashurit e tyre, të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Secila prej tyre ka në fokus një të mbijetuar dhe nëpërmjet rrëfimit, kujtimeve e lidhjeve emocionale të secilit portretizohet edhe personi i pagjetur.

Me qëllim dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut dhe inkurajimin e shprehjes së duhur të përkujtimit dhe respektit për të pagjeturit në Kosovë, Dardan Hoti, Rozafa Kelmendi dhe Fitim Selimi hapën ekspozitën “Ballafaqimi me të harruarën”.

Fotografitë e ndara në tri pjesë shpërfaqin ndjenjat e të mbijetuarve. Në fytyrë lexohet kujtimi për të pagjeturit, duart simbolizojnë mungesën, ndërsa këmbët përpjekjen për orvatjen në kërkim të drejtësisë për të pagjeturit.

Kjo ekspozitë u realizua si përpjekje për të dokumentuar një të kaluar të dhimbshme.

Ekspozita “Ballafaqimi me të harruarën”, do të jetë e hapur deri të shtunën e 29 shkurtit në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.