Flasim përhanshëm me Bardhyl London
Nga: Xhemazije Rizvani
“U linda në Përmet në një qytet të vogël dhe të bukur më 1948. Nëna dhe babai deri sa vdiqën nuk e zgjidhën dot a kisha lindur para, apo pas orës 12. Kështu që dhe sot, nuk e di a kam lindur më 24, apo 25 dhjetor. Pasi punova 10 vjet në Përmet erdha në Lidhjen e Shkrimtarëve, në gazetën “Drita”. Më vonë isha kryeredaktor i saj dhe në vitet 1992 deri në 1988 kryetar i Lidhjes se Shkrimtarëve. Në vitet 2001 deri ne 2005 kam qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Jetoj në Tiranë me medimin që një ditë të kthehem përsëri në Përmet”.
Bardhyl Londo, kush jeni ju?
Unë jam veç vetja. Nuk do doja të ngjaja me askend tjetër.
Cila është ajo rrugë e Tiranës që ju bën më tepër njeri?
Ajo rrugë nuk ekziston më. U prenë të gjithë blirët dhe pemët e tjera dhe u ndërtuan pallate shumëkatëshe. Megjithatë, në rast se do të zgjidhja një rrugë, do të ishte ajo që më çon në shtëpi.
Cila fjalë e qetëson gruan që pret?
Vetëm prania ime në shtëpi, sidomos pas udhëtimeve të gjata.
Cila rrugë të çon në Itakën tuaj?
Të gjitha rrugët. Ështe e vetmja rrugë, që nuk e harroj dhe nuk e ngatërroj kurrë.
Ç’mendoni për demokracinë?
Është sistemi më i mirë me gjithë të metat që ka.
Ç’meriton ky popull?
Meriton gjithçka të mirë, po kurrsesi fatin në të cilin e katandisi historia e kaluar dhe e sotme.
A ndihet me fat një poet në Shqipëri?
Fati është personal, siç e ka njeri nuk e ka tjetri. Në Shqipëri, poetët nuk jane ndier përgjithësisht me fat.
Përse trishtohet më shpesh poeti?
Për gjithçka. Rrallë ka poetë të gëzuar. Kur je i gëzuar nuk shkruan dot, ose do shkruash vjersha të dobëta euforike.
Përse e ka të madhe vetminë Tirana?
Sepse ka humbur lidhja e njeriut me njeriun. Humanizmit ia ka zënë vendin egoizmi.
Ku mbaron populli, ku fillon turma?
Është pyetja më e vështirë për t’u përgjigjur. Do të kisha dashur të kishte vetëm popull, po më duket se ka më shumë turmë.
Për çfarë ëndërroni më shumë?
Pothuajse nuk ëndërroj fare. E pranoj jetën ashtu si të më vijë.
Cili poet do kishit dashur të jeni, nëse nuk do ishe Bardhyl Londo?
Askush tjetër, sepse nuk mund të jem. Më mjafton vetja.
A ndihet gruaja fatlume pranë poetit?
Nuk mund t’ju përgjigjem, sepse gruaja ime ka pesë vjet që nuk jeton më.
A jeni i kënaqur nga rruga e jetës? A keni mbërritur ku keni dashur?
Nuk besoj se ka njeri në botë të jetë i kënaqur me atë që ka arritur. Njeriu synon gjithmonë për hapësira dhe lartësi të reja.
Përse do t’ju mbajë mend lexuesi?
Për këtë duhet pyetur lexuesi. Por shijet e lexuesve jane aq të ndryshme sa të tilla do të jenë dhe përgjigjet e tyre.
Ç’është poezia për ju?
Asnjëherë nuk kam mundur ta shpegoj. Vjen në mënyrë të pashpjegueshme, prandaj dhe është e pashpjegueshme.
Për çka pendoheni në jetë?
Do të bëheshin shumë po t’i numëroja.
Kush e mban harenë tuaj gjallë?
Në përgjithësi jam tip i trishtuar dhe meditativ.
Për çka jeni vonë?
Për të jetuar siç kam ëndërruar.
Për çka është akoma herët?
Për të vdekur./ ObserverKult