Bardhyl Reso: Nëse Nasho Jorgaqi do ishte informator i Sigurimit, mua do më kishte spiunuar të parin!

nasho jorgaqi

Bardhyl Reso ka folur në emisionin “Shqip” të Rudina Xhungës për ndarjen nga jeta dhe akuzat që janë bërë nga Agron Tufa për Nasho Jorgaqin, se ka qenë spiun i Sigurimit.

Sa i përket profesor Nasho Jorgaqit, do doja të ndaleshim edhe në një lloj homazhi për të. Ju në njëfarë mënyre jeni edhe miku i tij, edhe pse me bindje komplet të ndryshme. Ai ishte i majtë dhe vdiq i majtë. Ju jeni i djathtë dhe keni qenë gjithmonë? Apo në atë kohë nuk kishte të djathtë?

Unë kam qenë i djathtë në kuptimin që nuk pajtohesha me regjimin. Atëhere nuk kishim krijuar grupe politike, por bindjet e mia nuk përputheshin me ato që ndodhnin në atë regjim.


Unë kam qenë mbi 50 vjet shok me Nashon, me bindje absolutisht të kundërta.

Debatonim, pasi ai mbronte ato pikëpamjet e tij jo të majta, por vlerësonte punën që bëhej. Në disa fusha, ai kishte të drejtë dhe nuk mund ta kundërshtoja.

Për arsimin, për kulturën ka patur një hov cilësor në Shqipëri. Nga një vend që predominonte analfabetizmi për 20-30 vjet, në një vend me njerëz të edukuar në kuptimin e shkollimit. Me njerëz që filluan të shkolloheshin, të studionin në shkolla të larta si brenda dhe jashtë vendit. U bëmë një vend me universitete, e në mënyrë të veçantë me institute studimore dhe projektuese.

Habia më e madhe ishte se të gjitha këto u shkatërruan. Tani nuk gjej një mënyrë si të justifikoj këto veprime. Nga ato më banalet që mund të jenë bërë në Shqipëri. Diskutonim shpesh herë dhe unë përdorja argumentat e mia për ta kundërshtuar. I thoja jam dakord me këto, normalisht jo në mënyrë të hapur, pasi as nuk diskutohej, ishin disa parime të thëna.

Kjo është diktatura e proletariatit, diktatura e shumicës mbi pakicën. Prandaj unë nuk mund të bëja debat e të thoja se do dal e do të them se këtu mungon liria e fjalës. Ishte çmenduri ta bëje këtë gjë atëhere, sepse do të përfundoje në burg.

Vetëm në ato fillimet të atyre lëvizjeve ishin një grup i deputetëve dhe disa intelektualë që thanë disa të vërteta. Pastaj të gjithë i thonin nëpër skutat e shtëpisë, midis miqsh dhe shokësh dhe nuk flitej më. Shumë nga veprimet që ka bërë regjimi, ishin të gabuara.

Unë dhe profesor Nasho kishim hyrje dalje edhe në familjet tona.

Ajo që më bënte përshtypje sa herë shkoja te shtëpia e tij për të biseduar, ndodhte që ose do ta gjeja atje Ismail Kadarenë, ose do të vinte vetëm pak kohë pasi ne ishim bashkuar.

Sigurisht kur vinte Ismaili, rrinte kryesisht me Nashon. Ishte ajo periudha kur ai kishte ato shqetësimet që filluan ta kritikojnë. Jo rinia e Lushnjes, dhe gjëra që stiseshin atëhere për romanin “Dimër i Madh”, që bëri shumë bujë në atë kohë. Ajo që dua të theksoj është se Ismaili ka qenë shok me Nashon, që prej kohës kur ai u kthye nga Bashkimi Sovjetik, dhe shokë të pandarë.

Ndodhte ndonjëherë, që pasi përcillte Kadarenë, kur kthehej më gjente mua dhe të shoqen e tij që hidhnim ndonjë fjalë për sistemin dhe na thoshte të ndërronim temë. Unë në atë shtëpi kam folur pa ndrojtje, për kohën sigurisht. Dhe problemi nuk ishte nëse e shanim apo jo Enver Hoxhën, por fakti që ne e shprehnim pakënaqësi për atë që ne ndjenim për atë regjim.

Kur doli lajmi që Nasho Jorgaqi, ishte informator i Sigurimit të Shtetit, me thënë të drejtën në ato kohë, mua nuk më erdhi mirë që doli kjo gjë, sepse thashë me siguri do të fillojnë ta keqpërdorin këtë gjë, sepse po të ishte Nasho informator, mua të parin do më kishte spiunuar atje te organet e Sigurimit të Shtetit./gazetatema

ObserverKult

Lexo edhe:

AGRON TUFA: NASHO JORGAQI, SPIUNI MË JETËGJATË I SIGURIMIT TË SHTETIT