Nga Bardhyl Zaimi
E kapi valixhen e stërmbushur me tesha dhe po e nxirrte në korridor. Ashtu gjysëm në ajër valixhja ngjante me një lepur mali që gjahtarët pasi i vrisnin ua mbushnin barkun me kashtë.
Edhe jeta e tij kishte qenë e ngjashme si e një gjahtari në pritë. Gjatë kohë kishte shpresuar se do t’i buzëqesh fati dhe më në fund do të kthehej në shtëpi pa skamjen që i vërehej ndër sytë tashmë të shterrur.
Por kjo pritje tashmë ishte shndërruar në një padurim që i lexohej në lëvizjet nevrike.
Skamja për shkak të së cilës ndodhej në këtë qytet të përhumbur në qosh të botës dukej si një gjendje parajse.
Shkretëtira që kishte brenda tash po bashkohej me shkretëtirën përpara dhe pluhur me pluhur mbulonin çdo vegjetim brenda shpirtit të tij.
E hapi me drojë derën e hyrjes së asaj shtëpie ku banonte tash shtatë vjet dhe e ndjeu se si një re rërë e shtrëngoi për fyti. Djersët i kullonin fytyrës dhe ngjanin me toptha të kripur që dilnin nga brendia e tij thellësisht e lënduar.
Me një shami që e kishte të vetmën gjë nga vendi prej nga vinte fshiu fytyrën që tashmë i ngjante një hënë të zbehur përtej resh.
Një valixhe, një njeri me një shkretëtirë të pafundme përbrenda qëndronin përpara një stuhie rëre që vinte nga shkretëtira përtej.
Vetëm një fat skajshmërisht i keq mund t’ i bashkonte këto dy shkretëtira që ruanin brenda vetes arrati dhe pikëllim!
ObserverKult
Lexo edhe:
BARDHYL ZAIMI: NUK KA ASNJË KOHË PA MASKA…
Gjëma akoma nuk kishte përfunduar. Një trishtim vërehej në fytyrat e njerëzve. Gjithçka dukej e mbështjellë me një tis pasigurie. Në banesë ishte ngjitur me nje mjegull konfuzioni që i lëvizte si një re e dendiur, e ujshme dhe krejtësisht e paparashikueshme. E hodhi shikimin gjithandej dhe pa disa maska me të cilat mbrohej nga gjëma.
Secili mbante gjurmët e një dite, secila barte shenjat e një shpirti brenda një kohe. Disa dukeshin të zhubravitura keq dhe reflektonin nervozë.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult