Studiuesja Alda Bardhyli, e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24”, duke folur për librin më të fundit të Ismail Kadaresë, që është një dialog me të, u shpreh se në këtë botim, shkrimtari i madh rrëfen të pathëna nga jeta e tij.
Bardhyli thekson se Shqipëria mbetet pjesë e pashmangshme e veprave të Kadaresë, kurse shton se shkrimtari ynë i njohur ka emancipuar shoqërinë shqiptare gjatë diktaturës.
“Ky libër (“Kadare: Dialog me Alda Bardhylin-Koha për rrëfim”) është shumë i mirë dhe është bisedë shumë interesante. Kadare u josh që në fëmijëri nga Shekspiri. Kadare ndalet tek pushteti i letërsisë. Kadare më ka thënë se donte të bëhej një shkrimtar i madh. Shqipëria është pjesë e pashmangshme e Kadaresë.
Veprat e tij kanë emancipuar shoqërinë gjatë diktaturës. Ismail Kadare zhvesh nga mjegulla edhe raportin e tij me regjimin diktatorial. Në libër tregon historinë e dashurisë me një shoqe kursi, një dashuri shumë e bukur, që e ka kujtuar shpesh, e tregon edhe tek “Mjegullat e Tiranës””, tha Bardhyli.
Duke folur për raportin mes Kadaresë dhe Hoxhës, Bardhyli nënvizoi se ka qenë një marrëdhënie shumë komplekse. Ajo shton se shkrimtari ia arriti të dalë nga diktatura, falë letërsisë së tij të madhe.
“Diktatura është e pashmangshme në këtë libër. Raporti mes tyre ka qenë kompleks. Diktaturat kanë pasur përplasje me shkrimtarët. Shumë shkrimtarë të njohur në atë kohë ishin edhe miq. Enver Hoxha donte t’i jepte një shuplakë shkrimtarëve të vjetër. Librat e Kadaresë janë ndaluar, Pashallarët e kuq thuajse u zhduk.
Ka qenë gjithmonë në vëmendjen e pushtetit. Mendoj se ka qenë aftësia e tij e madhe për t’ia dalë. Falë veprës së Kadaresë, kultura shqiptare ka marrë hov. Kadare vuri në dukje europianizimin e shqiptarëve. Vepra e Kadaresë ka qenë politike. Ismail Kadare shprehet se njohja me Helenën ishte një fat i madh për të”, deklaroi Bardhyli./BalkanWeb