Basha tregon regjisorin më “të vështirë shqiptar”: Peripecitë që kalova për të gjetur pajtonin e Ismail Qemalit

Piktori i filmit, Arben Basha ka folur me emra. I ftuar në “Pas Mesnate” ka treguar regjisorin më të vështirë me të cilin ka punuar.

Ndërsa kur bëhet fjalë për ata që ka pasur më shumë përzemër, Basha u vendos në dilemë.

Ndër të tjera, ai përmendi edhe Viktor Gjikën, me të cilin ka punuar te ‘Nëntori i dytë’, ku nuk nguroi të zbulonte peripecitë që kishte kaluar për të gjetur pajtonin e Ismail Qemalit.

“Regjisori më i vështirë për të komunikuar ka qenë Fehmi Oshafi, në filmin e parë “Thirrja”. Ishte një natyrë që kishte idenë që në çdo xhirim bëheshin 10-15 prova.

Do të thotë krijonte një lloj nervozizmi, madje edhe aktorët shpeshherë, mendoje tani të përsërisësh një batutë 15 herë në prova dhe 15 herë në xhirim është e vështirë dhe zgjidhte atë të parën, sepse ajo ishte më me emocion.

E kam vështirë të zgjedh se kë kam pasur fort përzemër. Unë kam komunikuar shumë, me Anagnostin, edhe me Kristaq Mitron, Ibrahim Muçon.

I kisha edhe si shokë se i kam pasur edhe në një moshë, me Pirro Milkanin.

Me Viktor Gjikën kam punuar ‘Nëntorin e dytë’, film që kam bashkëpunuar aq mirë, sa shpeshherë Viktori para xhirimit më thoshte: ‘Beni është mirë për ty?’.

Në kuptimin që a është realizuar çdo gjë. Bashkëpunimi për shembull me Viktorin ka qenë shumë i madh, sepse në skenar nuk flitej për atë pajtonin, paçka se Ismail Qemali nuk ka shkuar historikisht nga Durrësi në Vlorë me pajton, por ka shkuar me kal.

Unë duke parë atmosferën e kohës insistova te regjisori që t’i vendoste mbi karrocë. Kjo pasi që ajo do të jetë si lajtmotiv, ajo ecja e rrotave që po vinte pavarësia, një lajtmotiv që do t’i shërbente filmit. Dhe regjisori sigurisht që e pranoi.

Mu desh një muaj e ca të bëja pajtonin se ku do ta gjeja, kam shkuar në Shkodër duke kërkuar nëpër njerëz që kishin pajtona të vjetër, që ishin copëzuar dhe e kishin bërë për gardh aty.

Edhe me një specialist arriti të bëhej një karrocë, por ajo i dha një vlerë shumë të madhe filmit”, u shpreh Basha./abcnews.al

ObserverKult


Foto ilustrim

Lexo edhe:

BASHA: FILMAT E VJETËR SHQIPTARË PËLQEHEN ENDE SHUMË…

Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, piktori i filmave, Arben Basha ka treguar se shumë nga filmat shqiptarë të xhiruar shumë vite më parë, shikohen ende sot.

Ai ka përmendur disa nga më të pëlqyerit nga “Përrallë nga e kaluara” deri te “Vdekja e kalit”.

“Një pjesë e filmave sot ka njerëz që i shohin sërish. Ka shokë të mitë që më thonë sot: ‘Ua sa filmi bukur’. Për shembull, “Përrallë nga e kaluara” unë e shoh me ëndje edhe sot.

“Nëntori i dytë”, që gati-gati është bërë edhe si film-dokumentar. Ky film tregon historinë dhe e ilustron. Ka filma të ndryshëm, “Vdekja e kalit”, është film shumë i lezetshëm, shumë i këndshëm”, u shpreh Basha.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult