Tmerret e komunizmit: Ia shkulën kokën dhe luanin futboll me të…

Në një banesë tradicionale tiranase dha frymën e fundit pionerja e arsimit kombëtar shqiptar për femra, Sevasti Qiriazi Dako, shkroi Niko Kotherja. 

Jeta e saj 70-vjeçare kaloi peripeci të panumërta, të ndryshme. Rrezikoi jetën dhe familjen për shkollën shqipe si dhe për çështjen kombëtare.

Prej vitit 1941 do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj. Atë vit Sevasti përjetoi vdekjen e bashkëshortit, patriotit të shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamze.

Pas dy vitesh, me 1943, krejt familja u internua në Zemun, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje. Të rraskapitur, Sevasti me motrën e saj Parashqevi, dy djemtë Gjergj dhe Skender dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945.

Aty iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamzë nuk ishte më e tyre. Përdhosja që filloi të mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë që kishin uzurpuar godinat e tyre kishin thyer varrin e xhamtë të Kristo Dakos. Ia kishin shkulur kokën atij dhe me të kishin luajtur futboll…!

Banuan në kotecin e pulave

Mësueseve të para të shqipes iu la si “favor” që nëse donin mund të banonin ne kotecin e pulave të shtëpise së tyre.
Pasi e lyen me gërqele të bardhë, për pak kohë veteranet jetuan aty derisa u dëbuan. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë te ish-kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj.

Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit. Ai ishte kirurgu i akuzuar për spiunazh. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën.

Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt.
Si “armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra Parashqevia, nuset e dy djemve, ish-kuzhinierja Tafaj dhe dy varrëmihës.


ObserverKult

LEXO EDHE:

E tmerrshme: Së pari e vranë, pastaj filluan të vallëzonin rreth kufomës…