Bashkëshortit të saj ia shkulën kokën nga varri dhe me të luajtën futboll, i biri bëri vetëvrasje në qeli të burgut…

Në një banesë tradicionale tiranase dha frymën e fundit pionerja e arsimit kombëtar shqiptar për femra, Sevasti Qiriazi Dako, shkroi Niko Kotherja. 

Jeta e saj 70-vjeçare kaloi peripeci të panumërta, të ndryshme. Duke rrezikuar jetën dhe familjen për shkollën shqipe si dhe për çështjen kombëtare.

Prej vitit 1941 do të fillonin fatkeqësitë në familjen e saj. Atë vit vdiq bashkëshorti, patrioti i shquar Kristo Dako. I balsamosur nga i biri, Gjergji, trupi i Dakos u vendos në varrezën familjare në Kamze.

Pas dy vitesh, me 1943, krejt familja u internua në Zemun, ku mrekullia bëri që të mos shuhej kjo familje. Të rraskapitur, Sevastia me motrën e saj Parashqevi, dy djemtë Gjergj dhe Skender dhe dy nuset e tyre me fëmijët, kthehen në Tiranën e vitit 1945.

Iu ishte sekuestruar gjithçka. Shtëpia dhe shkolla në Kamzë nuk ishte më e tyre. Përdhosja që filloi të mposhtte mësuesen veterane ishte makabre. Studentët e Kursit të Partisë që kishin uzurpuar godinat e tyre kishin thyer varrin e xhamte të Kristo Dakos. I kishin shkulur koken atij dhe me të kishin luajtur futboll…!

Banuan në kotecin e pulave

Mësueseve të para të shqipes iu la si favor që nëse dëshironin të banonin ne kotecin e pulave të shtëpise së tyre. Pasi e lyen me gërqele të bardhë, si zemra e tyre, për pak kohë veteranet jetuan aty derisa u dëbuan edhe prej atje. Të mbetura rrugëve, ato gjetën mbështetje dhe strehë në ish-kuzhinierja e “Institutit Kyrias”, Rukije Tafaj.

Helmi i fundit që mori nga kjo jetë ishte varja në qeli e të birit, Gjergjit. Kirurgut që ishte akuzuar për spiunazh dhe gjendej i burgosur. Sevastia nuk mundi as të tërhiqte trupin e të birit pasi atë e shkatërroi traktori që punoi tokën.

Në gjendje të vajtueshme, Sevasti Qiriazi Dako mbylli sytë në shtëpinë e Rukije Tafajt. Si “armike” u përcoll për në banesën e fundit vetëm nga katër gra Parashqevia, nuset e dy djemve, ish-kuzhinierja Tafaj dhe dy varrëmihës.
Ishte viti 1949. 30 gusht./konica.al

LEXO EDHE: E tmerrshme: Së pari e vranë, pastaj filluan të vallëzonin rreth kufomës…