Bashkëshortja kujton Teodor Kekon: Kam 19 vjet që jetoj me kujtimet për ty

Më fal!
Gjithnjë e më shumë bindem se njeriu jetoka dhe e mbushka shpirtin me kujtime. Kam plot 19 vjet që vazhdoj të jetoj, në fakt mbijetoj, me kujtimet e atyre viteve të jetesës intensive me ty.

Nga Xhuli Shkurti Keko

Por ngaherë në ditët e fundgushtit , në këto 19 vjet, përballoj dicka më të fortë, ndjenja e humbjes më është më prezente se cdo ditë të vitit.
Në çdo 20 gusht filloj e përgatis veten për takimin e datës 22 e pas çdo takimi kthehem në shtëpi më e zhgënjyer se kurrë sepse prapë, megjithëse flas e flas, asnjë përgjigje nuk marr prej teje, asnjë buzëqeshje, asnjë përqafim.
Shpesh e ngushëlloj veten duke menduar se mbase ti merr kohe të mendohesh, mbase gjërat rrjedhin më ngadalë në atë botën ku ti tashmë jeton, mbase sa të mbërrijnë atje fjalët e mia e sa të kthehen mbrapsh përgjigjet e tua duhet ca kohë. Kushedi mbase ti pret rastin që përgjigjet t’i dërgosh sa herë unë e fëmijët kemi më shumë nevojë, në atë mënyrën që vetëm ti vazhdon të dish ta bësh aq mirë, me mbështetjen që na jep pikërisht në momentin e duhur.
Të tregova dje për fëmijët që tashmë janë katër. Për Teon, të cilit i folëm aq shumë për ty gjatë qëndrimit në Tiranë (po shkon katër vjeç e duket sikur kupton gjithshka). Të tregova edhe për jetën time në Tiranë, për librin që po shkruaj e kam ndërmend ta botoj vitin e ardhshëm. Të tregova që i mbijetova covid-it, pse-në ti e di – ende nuk mendoj se duhet t’i le vetëm fëmijët. Sigurisht qava, t’u ankova se jam e rrethuar me plot njerëz e prapë ndihem vetëm për sa kohë fëmijët janë larg e ti s’je.
Megjithatë zemrën e kam plot ta dish, nuk janë veç fëmijët që ma mbushin por janë dhe kujtimet e pafund që kam me ty. S’ta thashë dot dje sepse ishte si gjithnjë takim i vështirë, më fal! Por sot u ngrita me mendimin që duhet ta bëja, e ndaj po të shkruaj e ndaj të premtoj që në takimin e ardhshëm do jem më e kujdesshme.
Unë e di që ti do buzëqeshesh kur të më lexosh, ky është një premtim që nuk do ta mbaj dot kurrë!

ObserverKult