Bashkia e Durrësit ka miratuar së fundmi vendimin për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” aktorit të mirënjohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, Mirush Kabashi (pas vdekjes).
Këtë e ka bërë me dije kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako përmes një postim në rrjetet sociale.
Ceremonia e dorëzimit të titullit familjarëve të artistit të ndjerë do të zhvillohet në Teatrin “Aleksandër Moisiu” sot (17 prill), duke filluar nga ora 17.00.
Ceremonia do të zhvillohet në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë kësaj ceremonie do të shfaqet edhe intervista e fundit e aktorit të madh Mirush Kabashi, një rrëfim për jetën në skenën e Teatrit dhe jo vetëm.
“Mjeshtri i Madh i Punës” dhe “Nderi i Kombit”, Mirush Kabashi, ishte një nga artistët më të shquar dhe të talentuar të skenës dhe ekranit me interpretime të roleve të shumta që e radhitën atë në plejadën e artistëve më të mëdhenj kombëtarë. Po kështu ai ishte një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri si dhe aktivist i shumë kauzave sociale, zë i fortë i çështjes kombëtare.
Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në artin dhe kulturën e kombit shqiptar”, ka shkruar Sako në postimin e saj në Facebook.
Përveç një artist shumë i dashur për të gjithë, ai ishte edhe një qytetar i nderuar me vlera të mëdha njerëzore, personalitet i shquar i Durrësit dhe i gjithë vendit.
“Figura të tilla i japin vlerë të madhe qytetit tonë dhe të gjithë kombit shqiptar dhe ata do të nderohen dhe respektohen maksimalisht pasi kontributi i tyre është i jashtëzakonshëm”, ka thënë Sako.
I ndjeri Kabashi ndërroi jetë më 5 dhjetor të 2023 në moshën 75-vjeçare.
Ai ka lindur më 17 prill 1948 në Shkodër, por u rrit në Durrës. Origjina e tij ishte nga Gjakova. Kabashi është cilësuar si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë në Shqipëri.
Ai ka dhënë një kontribut të madh në filmografinë shqiptare ndërsa numërohen rreth 100 role në teatër dhe filma.
Ndryshe, Kabashi është vlerësuar me këta tituj “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.
ObserverKult
Lexo edhe:
FJALËT PREKËSE TË AGIM DOÇIT: MIRUSH KABASHI KA EMOCIONUAR 83 SHTETE TË EVROPËS
Poeti i njohur, Agim Doçi ka folur për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi. Ai ka treguar për “Pas Mesnate”, se kanë qenë miq shumë të mirë bashkë dhe do të mbetet në memorien e tij si “Nderi i Kombit”.
Doçi theksoi se Kabashi ka qenë i pari pas komandantit të diktaturës që përmes rolit të Sokratit ka ngritur në këmbë të gjithë Pallatin e Kongreseve. Ai shtoi se Kabashi ka ngritur edhe sallat e 83 shteteve në të gjithë Evropën.
“Mirushi ndërroi jetë si ‘Nderi i Kombit’ dhe i tillë do të mbetet në kujtesën time, por në zemrat tona, unë do të përmend intepretimin e përsosur e Mirushit në veprën e Dhimitër Paskos ose Mitrush Kutelit.
Atë porosi nga arkivat e ka nxjerrë Mirushi. Kjo me porosi të skenaristit së ngjarjes më të madhe kombëtare në vitin ’98, ‘Kosova djep lirie’, të cilën ai e recitoi.
Me Mirushin miqësia ka qenë e madhe sepse ishte mirënjohës. Dihet që mirënjohja është një lloj bime që nuk mbin në çdo lloj are. Këtë Mirushi e kishte të tijën.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
FJALËT PREKËSE TË VAJZËS SË MIRUSH KABASHIT: E DONTE SHUMË JETËN
“E donte shumë jetën. Deri në fund e deshti shumë!” Kështu do e kujtojë vajza e tij aktorin e njohur Mirush Kabashi.
Në një intervistë për Report Tv, Mendi Kabashi tregon përkushtimin e të atit për skenën e shenjtë dhe publikun.
“Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë. Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë. Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të intepretonte me parimet e vlerat e tij. Një njeri që do na mungojë të gjithëve. Na ka lënë pasuri të madhe”
Si ishte Mirush Kabashi si baba?
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult