Kryeministri Edi Rama, deklaroi se ideja është që në shtator të jetë gati kantieri për ndërtimin e teatrit të ri.
Në një intervistë televizive, Rama shpjegoi se “ne e kemi projekt-idenë që do të thotë, që kjo projekt-ide do të disponohet nga bashkia Tiranë dhe është kjo bashki ajo që do të punojë me arkitektin dhe në këto muaj do të detajojë të gjithë projektin”.
Rama tha se “ajo godinë është menduar të shembej jo nga demokratët, as nga socialistët si fillim, por nga vetë komunistët. Shumë vite më parë i është premtuar disa herë komunitetit që do të ndërtohej një teatër i ri, por që nuk u bë kurrë dhe madje, është fakt i njohur nga komuniteti që i ndjeri aktori i madh Naim Frashëri, pësoi një të ftohur shumë të fortë që i mori dhe jetën, si rezultat i punës në atë lloj zgafelle, ku në dimër është frigorifer dhe në verë është sauna”.
Ndërkohë, tha ai, në kohën kur PD erdhi në qeveri është e vërtetë që PD e kishte një plan për ta shembur teatrin dhe për të ndërtuar aty qendër tregtare, sepse filloi procesin e ndërtimit të një teatri të ri, në mënyrën më absurde tek Piramida.
“Ashtu sikundër është e vërtetë që ka një dokument të disa personaliteteve në fushën e trashëgimisë kulturore, në vitin 2007, që i referohej qeverisës së kohës, me të gjithë arsyen pse kjo godinë nuk është monument kulture dhe nuk mund të jetë monument kulture”, – tha Kryeministri.
“Teatri kombëtar monument kulture ka qenë vetëm në mendjen e atyre që e propagandojnë si monument kulture. Por ajo godinë nuk ka qenë kurrë një godinë monument kulture e regjistruar, sepse ai vizatim i projektit që qarkullon, që kur e sheh të krijon një emocion të caktuar, nuk ka pasur dhe nuk ka lidhje fare me godinën që ne kemi trashëguar”, – tha Rama.
Faktikisht, vijoi ai, godina e trashëguar ishte një katastrofë. “Kështu që e vetmja gjë që ndodhi në atë kohë, në dijeninë time, u fillua te Piramida. U investuan disa miliona euro, por nuk u ndërtua kurrë teatri, nuk di se ç’ndodhi me ato miliona euro. Di që brenda vunë disa struktura shkalle dhe u shqepën të gjitha pllakat e mermerit jashtë dhe brenda nga ata që kishim marrë përsipër të ndërtonin teatrin nga qeveria e kohës dhe Piramida mbeti e zhveshur, dhe teatri nuk u ndërtua kurrë”, – tha Rama.