Poezi nga Basri Çapriqi
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të hyjë ajri nga rruga
flaka t’i dalë
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ta përpish frymën
të dalë erë e keqe e trupit
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
të thyhet vizioni në sy ta spastrosh shpirtin
nga hapësirë e mbyllur
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
ushton zë epik i poetëve nxitojnë fëmijët të ikin
nga terri nga tingujt e mprehur
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
zbresin bishat nga malet
shkelin mollët në gratë e vdekura
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
shi bie pak ujë sidomos pak ujë
në buzë të plasur vëre
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
çlirohu nga epshet nga faji
përfalu me të vdekurit tuaj sidomos
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
me qentë ta bësh gjumin me insektet
me shpirtrat e territ me zërat e largët
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
kufomat janë bashkudhëtarët tuaj të sinqertë shih
ata s’të vrasin s’të zënë kalimin frymën
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
para se të niseni në atë udhëtim të fundit
me nga një ombrellë të çeliktë shi i kuq pikë
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
thyeje pasqyrën katrore me fytyrën tënde në kënd të dhomës
e nisu
Dritaren lëre hapur dritaren lëre
se ti je i vdekur në ushtrinë që marshon nga qielli
mbylle derën mbylle
mos të dalin bishat dhe njerëzit
ObserverKult
Lexo edhe: