Bauman: A nuk qe vallë moderniteti një proces “lëngëzimi”’ qysh prej fillimit?

Nga Zygmunt Bauman

‘’Fluiditeti’’ është cilësi e lëngjeve dhe e gazeve. Ajo që i dallon të dy këta nga trupat e ngurtë, siç na vë në dijeni në mënyrë autoritare Enciklopedia Britanike, është se ata, ‘’kur janë në gjendje prehjeje, nuk mund të përballojnë forcat tangjente e prerëse, prandaj, kur mbi ta ushtrohen forca të tilla, i nënshtrohen një ndryshimi të vazhdueshëm në formë.’’

Ky ndryshim i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm i vendndodhjes së njërës pjesë të lëndës në lidhje me një pjesë tjetër, kur vendoset nën veprimin e një force prerëse, formon rrjedhjen, e cila është një cilësi karakteristike e fluideve. Në të kundërt me këtë, forcat prerëse në brendësi të një trupi të ngurtë, të mbajtur në një pozicion të përdredhur apo të përkulur, ruhen: trupi i ngurtë nuk rrjedh dhe mund të kthehet sërish në formën e tij të mëparshme.

Lëngjet, një lloj i fluideve, i detyrohen për këto cilësi dalluese faktit se ‘’molekulat e tyre ruhen në një grupim të rregullt, të përhapur përreth shumë pak diametrash molekularë”: ndërsa ‘larmia e gjerë e sjelljes që paraqesin trupat e ngurtë është rezultat i drejtëpërdrejtë i llojit të lidhjes që mban të bashkuara atomet e tyre, si dhe i përbërjeve strukturore të këtyre atomeve”. ‘


’Lidhja’’, nga ana e vet, është një term që shënjon njëtrajtshmërinë e trupave të ngurtë- qëndresën që ata i bëjnë ‘’ndarjes së atomeve’’. Këtë pohon, pra, Enciklopedia Britanike, lidhur me atë që mund të lexohet pothuajse si një përpjekje për ta përdorur ‘’fluiditetin’’ si metaforën parësore për fazën e tanishme të epokës moderne.

 Për ta thënë në një gjuhë më të thjeshtë: të gjitha këto cilësi karakteristike të fluideve dëshmojnë se lëngjet, ndryshe nga trupat e ngurtë, nuk mund ta ruajnë lehtësisht formën e tyre. Fluidet, si me thënë as nuk përfshijnë hapësirë as nuk ngërthejnë kohë.

Teksa trupat e ngurtë kanë përmasa hapësinore të përcaktuara qartësisht, por e neutralizojnë goditjen e kohës – dhe kështu ia zvogëlojnë domethënien – (duke përballuar me sukses rrjedhën e saj ose duke e bërë të papërfillshme), fluidet nuk ruajnë dot asnjë trajtë të tyre për një kohë të konsiderueshme, ata janë përherë të gatshëm (dhe të prirë) ta ndryshojnë: dhe kështu, është rrjedha e kohës ajo që ka rëndësi për ta më shumë sesa hapësira që atyre u ndodh të zënë: fundja, atë hapësirë ata e zënë vetëm për ‘’një çast’’.

Në një farë kuptimi, trupat e ngurtë e anulojnë kohën: kurse për lëngjet, ndodh e kundërta: më së shumti, është koha ajo që ka rëndësi. Në përshkrimin e trupave të ngurtë, dikush mund të mos e përmendë kohën, por, të mos e marrësh parasysh kohën, gjatë përshkrimit të lëngjeve, do të ishte një gabim i rëndë. Përshkrimet e lëngjeve janë të gjitha fotografi – çasti: ndaj ato kanë nevojë gjithnjë për datën në ndonjë cep të fotografisë.


   Fluidet udhëtojnë lehtësisht. Ato ‘’rrjedhin’’, ‘’derdhen’’, ‘’shterin’’, ‘’pllaquriten’’, ‘’shtihen sipër’’, ‘’shkasin poshtë’’, ‘’kullojnë’’, ‘’përmbytin’’ ‘’spërkasin’’, ‘’pikojnë’’, ‘’depërtojnë’’, ‘’çurgojnë’’, ndryshe nga trupat e ngurtë, ato nuk ndalen kollaj – ato u bien rrotull penegsave, tretin ca të tjera dhe depërtojnë e qullin, në rrugën e tyre, disa të tjera akoma. Nga takimi me trupat e ngurtë fluidet dalin të paprekur, ndërsa ata, të parët, nëse mbeten akoma të ngurtë, ndryshojnë-lagen ose squllen.

Lëzishmëria e jashtëzakonshme e fluideve është ajo që i lidh ato me idenë e ‘’lehtësisë’’. Ka lëngje të cilët, centimetër kub për centimetër kub, janë më të rëndë se disa prej trupave të ngurtë, por, megjithëkëtë, ne priremi t’i mendojmë si më të lehtë apo me më pak ‘’peshë’’ se çdo gjë gjë tjetër solide. Ne i lidhim nocionet e ‘’lehtësisë’’ apo ‘’mungesën e peshës’’ me lëvizshmërinë dhe paqëndrueshmërinë: për shembull, ne e dimë prej përvojës sonë se sa më pak të ngarkuar të udhëtojnë, aq më lehtë e më shpejt lëvizim.

Këto janë arsyet për ta kundruar ‘’fluiditetin’’ ose ‘’gjendjen e lëngët’’ si metafora të përshtatshme kur përpiqemi të rrokim natyrën e së tashmes, e cila, në shumë aspekte, është një fazë fare e re në historinë e modernitetit.

Unë jam përnjëherësh i gatshëm të pranoj se një këndvështrim i tillë mund ta bëjë të stepet pak cilido që e njeh mirë ‘’ligjërimin mbi modernitetin’’ dhe për të cilin është familjare terminologjia e përgjithshme, e përdorur për të rrëfyer historinë moderne. A nuk qe vallë moderniteti një proces ‘’lëngëzimi’’ qysh prej fillimit?

A nuk ishte ‘’shkrirja e trupave të ngurtë’’ argëtimi kryesor i modernitetit dhe arritja më e bujshme e tij gjatë gjithë kësaj kohe? Me fjalë të tjera, a nuk paskësh qenë moderniteti ‘’fluid’’ qysh kur u mbrujt?
   

*Fragment i shkëputur nga libri ‘’Moderniteti i lëngët’’ i autorit Zygmunt Bauman

ObserverKult

Lexo edhe:

SALMAN RUSHDIE: BORGES HAPI CA DYER MAGJIKE NË MENDJEN TIME