“Beaux Arts”: Ish-vila e diktatorit Enver Hoxha shndërrohet në rezidencë artistësh

Ish-vila e diktatorit Enver Hoxha do të shndërrohet në një rezidencë artistësh, shkruan Florelle Guillaume në një artikull të botuar në revistën franceze “Beaux Arts”.

Ky është projekti i ri i fondacionit “Art Explora”, i cili nuk pushon së habituri me nismat e tij origjinale në favor të krijimit dhe demokratizimit kulturor.

“Vila 31”, e vendosur në zemër të kryeqytetit të Tiranës, është shtëpia e dikurshme e ish-kryeministrit shqiptar Enver Hoxha, që sundoi vendin për katër dekada të shënuara nga shtypja e përgjakshme dhe izolimi, por edhe nga dhuna e madhe ndaj artistëve.

“Që nga vdekja e diktatorit në vitin 1985, ky vend historik kishte mbetur një vilë fantazmë e ngrirë në kohë, me dekorin e saj të stilit hollivudian të viteve 1970”, sipas drejtorit të përgjithshëm të “Art Explora”, Bruno Julliard.

Tunelet e fshehura, dritat e zbehta neoni, mobiljet prej kadifeje, pishina e pashfrytëzuar dhe bunkerët e fshehtë kontribuojnë në atmosferën e çuditshme dhe të modës së vjetër të kësaj vile, sa të frikshme aq edhe të admiruar nga banorët.

Në kërkim të një “fati të ri” prej disa vitesh, kryeministri aktual i Shqipërisë Edi Rama, vetë artist, i shkolluar në Ecole des Beaux-Arts në Paris në vitet 1980, nuk kishte se si të mos e vlerësonte projektin kulturor të Frédéric Jousset, atë të shndërrimit të një meke të intolerancës në një parajsë krijimi për artistë nga e gjithë bota. Një përbuzje e bukur ndaj historisë!

Rinovimi i “Vilës 31” do t’i besohet kompanisë arkitekturore NeM, e cila realizoi transformimin spektakolar të “Bursës së Tregtisë” në Paris.

“Qëllim është që as të mos bëhet një muze i diktaturës dhe as të shkelet trashëgimia e saj historike”, tha Bruno Julliard.

Pjesërisht e hapur vjeshtën e ardhshme, rezidenca prej 4000 metrash katrorë me tetë studio rezidenciale do të mirëpresë që nga dhjetori një valë të parë artistësh dhe krijuesish ndërkombëtarë dhe nga Ballkani.

“Objektivi është zhvillimi i një programi afatgjatë të kërkimit dhe eksperimentimit artistik, i hapur ndaj botës, por edhe duke nxjerrë në pah dinamizmin e jashtëzakonshëm artistik të Ballkanit”, tha Blanche de Lestrange, drejtoresha artistike e “Art Explora”.

“Vila 31” do të jetë e hapur për publikun përmes seminareve, shfaqjeve të filmave dhe festivaleve./ATA

ObserverKult


Lexo edhe:

“THE NEW YORK TIMES” SHKRUAN PËR EKSPOZITËN E PETRIT HALILAJT: NJË ARTIST NGA KOSOVA MERR FLUTURIMIN