Begzad Baliu: Nga arkivat e albanologjisë – trashëgimia arbëreshe


Nga: Begzad Baliu

Më 26 nëntor të vitit 1954, drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Elhami Nimani, ua dërgonte një letër arbëreshëve të Zarës: leksikografit e enciklopedistit Dr. Kruno Kërstić, shkrimtarit të shquar Josip Rela dhe studiuesit Budimir Petrović, me të cilën nxiteshin që të punojnë në identifikimin, mbledhjen dhe regjistrimin e trashëgimisë gojore të arbëreshëve të Zarës, që do të shërbenin si bazë e “një studjim deskriptiv systematik njëheras edhe i fjalorit, por mâsë forti i gramatikës s’këtij nëndialekti të gegënishtës”.

“Ne mendojmë, – thuhet në letrën, të cilën sipas diskursit të gjuhës së saj, nuk është vështirë të konstatohet se është shkruar nga linguisti Selman Riza, – se shqyrtimi përfundimtar, tâanësuer dhe i hollësishëm mund të kryhet soll prej pjesëtarëvet të vetë kësaj kolonije, siç âsht rasa pikërisht me ju të tre”. (…)

“Konkretisht na proponojmë që shoku Budimir të marrë përsipër barren kryesore rreth gjurmimit të landës së duhun; por me kusht që, në fazën e mâtejme të systemimit dhe interpretimit të kësaj lânde, me shokun Budimir të bashkëpunojnë shokët Relja dhe Krstić; kështu që ndjenja gjuhësore nevojisht pak a shumë e lëkundshëme te çdonjâni prej jush, të qëndrueshëmohet /stabilizohet/ nëpër kritikën dhe kontrollin prej anës së dy tjerëvet”.

Pa dashur të merremi këtu më gjerësisht me udhëzimet e letrës, dua të theksoj se prej dokumenteve të Arkivit të Institutit Albanologjik dhe arkivave private të albanologëve në Prishtinë, si dhe prej botimeve, kryesisht të revistës letrare “Jeta e Re”, deri në fund të viteve ’60, dhe të përditshmes “Rilindja” më tej, studiuesit arbëreshë, shkrimtarët dhe publicistët e atjeshëm, kanë bashkëpunuar me shumë sukses, me institucione dhe individë, pavarësisht mbylljes së shpejt të Institutit.

Për kureshtjen fillestare, këtu po e sjell një dorëshkrim të studiuesit Budimir Petrović, origjinali i të cilit gjendet në arkivin tonë personal.

(Nga një studim në proces)

ObserverKult


Lexo edhe:

BEGZAD BALIU: STUDIMET ALBANOLOGJIKE NË KROACI