Në Kalanë e Tiranës u hap ekspozita me titull “Bëje ose Vdis”, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Ukshin Hotit.
Ekspozita përmban fotografi dhe dokumente të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës ku janë pasqyruar fotografi familjare, fotografi nga arsimi që ka kryer, shkrime gazetash dhe revistash, letra të Ukshin Hotit nga burgu si dhe vlerësimet e intelektualëve dhe personaliteteve të rëndësishme për veprimtarinë e tij, etj.
Në këtë ekspozitë të pranishëm ishin Administratorja e Kalasë së Tiranës, Klodiana Toptani, Kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, të afërm dhe i biri i Ukshin Hotit.
Në fjalën e tij Zyberaj vlerësoi shumë figurën e Ukshin Hotit dhe tha se personaliteti i tij është shumë dimensional.
“Ka qenë publicist, pedagog, drejtues i Institucioneve më të larta, themeluesi i Ministrisë për Punët e Jashtme të Kosovës në vitet ’70 dhe më pas ka qenë dhe i burgosur politik disa herë. Ekspozita mban titullin ‘Bëje ose Vdis’, titull ky i marrë nga një punim i Uklshin Hotit i vitit 1992 me këtë titull”- tha Zyberaj, transmeton ‘rtklive’.
Ndërkaq drejtori i Arkivave, Ardit Bido tha se figura e Ukshin Hotit është një figurë madhore bashkëkohore shqiptare.
“Figura e Ukshin Hotit duhet njohur më shumë nga rëndësia e tij pasi profilin e tij intelektual dhe politik e krijoi duke ruajtur të njëjtat standarde të ideologjisë shqiptare”- tha Bido.
Kjo ekspozitë do të qëndroj hapur në Kalanë e Tiranës deri në datën 18 korrik.