Belina Budinit i është akorduar Çmimi “At Zef Pllumi” në Publicistikë për librin e saj të fundit “Ndikuesit/Influencers”, botim i UET Press.
Libri është ndërtuar si analizë kritike e gjuhës së gazetarëve përballë politikanëve në Shqipërinë e pas viteve ’90, ndërsa bëhen edhe krahasime me gazetarët dhe politikanët e viteve ’30 dhe gjatë regjimit diktatorial.
Prof. As. Dr. Belina Budini është aktualisht Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale në UET dhe ky është libri i saj i tretë në fushën e mediave dhe të komunikimit. Megjithëse libri ka konstrukt sudimor-shkencor, Budini shprehet se këtë vlerësim për anën publicistike të librit e sheh si konfirmim të vlerave estetike dhe stilit të të shkruarit, pasi sipas saj të menduarit shkencor nuk ka pse shihet si i papajtueshëm me gjuhën publicistike.
Në fjalën e saj gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Qendrën Kulturore të qytetit të Lezhës, Budini theksoi se në mënyrë intuitive ndjen se ka zbatuar porosinë e At Zef Pllumit “Rrno për me tregue” si metodë rrëfimtare për librin, duke qenë se libri bazohet pikërisht në rrëfimet profesionale të gazetarëve për rolet e tyre përballë politikanëve në media.
Libri “Ndikuesit” zbërthen gjuhën mbizotëruese për gazetarët dhe mediat në Shqipëri, në të folmet e vetë gazetarëve, ku bie në sy një ligjërim uniformizues për sa u përket roleve që gazetarët konceptojnë se luajnë përballë politikanëve në Shqipëri. Po kështu, ligjërimi i dorëzimit përballë pushtetit politik është dominues, sikurse rezulton nga kërkimet për librin “Ndikuesit”.
Sipas Budinit, imponimi i pushtetit politik edhe mbi vetë mediat në forma nga më të ndryshmet dhe gjithnjë e më të sofistikuara, duket se pengon ushtrimin real ose faktik të pushtetit nga ana e mediave, pavarësisht një farë hapësire lirie apo dialogu publik, që ekziston në Shqipëri.
Po kështu, sipas Budinit, mbeten të paartikuluara nga ana e gazetarëve të intervistuar, një sërë rolesh të reja, edhe pse pranohet se kanë hyrë në mjedisin e media-politikës dhe shfaqen si role me ndikim. Të tilla role janë ai i këshilltarit, ekspertit të PR-it, shkruesit të fjalimeve politike, apo role të tjera si ai i polemistit, editorialistit, gazetarit intelektual, gazetarit-ekspert, pamfletistit, gazetarit-pundit ose të brendshëm në politikë.
“Edhe pse ka nga të intervistuarit që janë parë ose janë aktualisht në rolet e mësipërme, pak prej tyre iu referohen atyre si role identifikuese për ta. Janë të rralla gjithashtu referencat në lidhje me rolet më të fundit që lidhen me zhvillimet e mediave të reja dhe portaleve, si gazetari-tabloid, karikaturisti, bloger-i apo gazetari-multimedial. Disa nga të intervistuarit pranojnë se disa nga rolet e reja mund të bëhen “shpëtimtare” për “mjedisin e infektuar të mediave tradicionale”, por nuk duket se preferojnë të identifikohen me këto role. Po kështu i paartikuluar mbetet roli i gazetarit të kulturës, të kritikut letrar, të artit apo filmit. Në një perspektivë ku politika vë veten në qendër të medias, kanë mbetur jashtë për fat të keq mjaft figura të mendjes, fjalës dhe kreacionit, që nuk përfshihen në lojën e pushtetit të ditës”, shprehet Budini.
Së fundi, duke iu referuar simbolikës së Çmimit që mban emrin e At Zef Pllumit, autorja pohon se ka pasur fatin ta takojë dhe intervistojë në dhjetor të 2005-ës, duke e publikuar intervistën në gegnisht për forcën e saj shprehëse dhe të mendimit kritik. Është një intervistë në të cilën Padër Zefi shpreh indinjatën e tij të thellë me realitetet e ditës, ndërsa pohon se “këtij populli edhe me i shtie opangën në gojë nuk bërtet”, referuar mosreagimit publik ndaj politikës dhe pushtetit.
“Po referoj së fundi një pjesë nga fjala e Padër Zefit në pranimin e Çmimit Penda e Artë që iu akordua në vitin 2006, kur u shpreh se vlerësimi më i madh që mund t’i bëhet një libri është kur juria pranon edhe mendimin ndryshe, edhe mendimin e kundërt, duke e bërë demokracinë të vlefshme. Unë kam të njëjtën ndjesi në marrjen e këtij Çmimi, që mendimi kritik është vlerësuar. Faleminderit për këtë anëtarëve të jurisë”/BW.