Belsh, nisin gërmimet arkeologjike në termën e periudhës romake

belsh

Pranë fshatit Rrasë të bashkisë Belsh ka nisur puna për gërmimin arkeologjik të strukturave të zbuluara të një terme të periudhës romake.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur, se pas njohjes me terrenin dhe në bashkëpunim me bashkinë Belsh, janë angazhuar të vazhdojnë procesin e gërmimit. Gërmimet ndihmojnë për të zbuluar më tej “Termën Romake” dhe për të marrë çdo informacion të paidentifikuar më parë, për këtë zonë.

“Puna ka nisur me procesin e pastrimit dhe piketimit të hapësirës ku do të kryhet gërmimi arkeologjik. Kjo realizohet në bashkëpunim me studentët e UT, Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, si dhe Departamentin e Trashëgimisë Kulturore dhe Arkeologjisë”, shprehet IKTK në një postim në rrjetet sociale.

Sipas IKTK, ky zbulim i veçantë do të jetë një vlerë e shtuar për zonën e Belshit, duke sjellë njohuri më të thelluara të shtresave të historisë. Gjithashtu kjo da të pasuroj zonën me një vendbanim të ri arkeologjik.

Vetëm 3 km larg qytetit të Belshit, në fshatin Rrasë, ky vendbanim në të cilin, përveç rrënojave të një ndërtese romake, termë e shekullit të dytë, ka dhe prani të eshtrave të lashta. Këto eshtra faktojnë se në këtë zonë ka pasur jetesë dhe qytetërim të hershëm.

Terma e shekullit të dytë, është një vendpushim e banim i karvaneve të kohës dhe të tilla deri më tani, në Shqipëri janë identifikuar në Butrint dhe Dyrrah, Durrësin e sotëm. /ata.gov.al

ObserverKult

Lexo edhe:

IA SHOHIN HAIRIN THATËSIRËS, ZBULOHET QYTETI 3400-VJEÇAR