Ben Blushi: Bisedë për fotografinë me Burim Myftiun

Nga Ben Blushi

Me qindra shkrepje më kanë dalë të prishura, të shfokusuara apo pa dritën e duhur, për shkak të teknikës së tij që unë ende nuk e zotëroj mirë. Megjithëse nuk është faji i tij, por i imi, kam vendosur ta ndërroj këtë aparat të dashur pasi të kem kaluar më shumë se 50 mijë shkrepje.

Me rastin e panairit të Prishtinës ku gjendet dhe libri 41 Sekrete, po botoj një bisedë për fotografinë si dhe një foto të mikut tim fotografit të njohur kosovar Burim Myftiu, pjesë e 41 Sekreteve.

Burim Myftiu është një fotograf nga Kosova. Më ftoi të takoheshim në kalanë e Prezës, ku ai nuk kishte qenë asnjëherë.

Sa u takuam, të dy nxorëm aparatet fotografike si dy kauboj që i prezantojnë njëri-tjetrit armët dhe i vendosin në tavolinë. Për çdo rast.

Burimi kishte një Sony të vogël, që ngjan me një makinë rroje, kurse unë Nikon tim të përdorur, që ngjan si një mitraloz që deri më sot nuk ka kërcënuar asnjeri, përveç meje.

Me qindra shkrepje më kanë dalë të prishura, të shfokusuara apo pa dritën e duhur, për shkak të teknikës së tij që unë ende nuk e zotëroj mirë.

Megjithëse nuk është faji i tij, por i imi, kam vendosur ta ndërroj këtë aparat të dashur pasi të kem kaluar më shumë se 50 mijë shkrepje.

Një bisedë për aparatet, teknikën e tyre dhe fotografitë doja të bëja edhe me Burim Myftiun. Shkova në Prezë në mesditë, në kohën kur dielli sapo kishte kaluar në perëndim, në mënyrë që të dy të fotografonim më mirë avionët mbi Rinas në lindje, përfshi edhe njëri-tjetrin.

Pasi bëmë disa foto të njerëzve që ndiqnin avionët që uleshin dhe ngriheshin si insekte në smogun e Tiranës dhe u morëm pak me një lypës që pinte cigare të përdorura, filluam të bisedonim.

Kur ke nisur të fotografosh, e pyeta.

Kam gati 30 vjet, tha Burimi.

Çfarë je në profesion?

Kam studiuar për letërsi dhe gjuhë angleze dhe kam përkthyer për ushtrinë amerikane në Kosovë.

Po fotografinë si e ke mësuar?

Thjesht pasion, por kam bërë disa kurse dhe kam punuar shumë vjet si fotograf.

Ku ke punuar si fotograf?

Në Turqi, në Bodrum fotografoja evente, kisha dhe një dyqan arti atje, pastaj kam shitur ca kohë edhe rroba, tha Burimi.

Si janë fotografët në Turqi?

Turqit kanë një nga fotografët më të mëdhenj të botës, që e quanin Syri i Stambollit, sepse ai ka fotografuar gjithë jetën vetëm këtë qytet.

Kush është ky?

Ara Gyler, një fotograf me origjinë armene, ka vdekur, por unë pata rastin ta takoj disa herë.

Çfarë të tha Ara Gyler?

Kur e takova, ishte i lodhur nga njerëzit dhe mua më quajti arrogant.

Po pse, ça pati Ara me ty?

Unë isha me një aparat të vogël, me të cilin është fotografuar fshehtësisht, për herë të parë Meka nga një fotograf perëndimor dhe Ara këtë e quajti një fyerje për fotografinë. Je arrogant Arnaut, më tha.

Nuk e kam dëgjuar kurrë Ara Gyler, thashë unë.

Derisa qe gjallë, ai shiste një fotografi 5 mijë euro, tha Burimi, ka fotografuar Salvador Dalinë dhe Pikason, ka punuar edhe me Gjon Milin.

Çfarë thoshte për Gjon Milin?

Ara thoshte që Gjon Mili ishte një njeri shumë i pasjellshëm, që e shante vazhdimisht kur punonin dhe kam përshtypjen se Ara me Gjonin ishin zënë gjatë punës për Life Magazine.

Po ti, a ke bërë ndonjë ekspozitë Burim?

Kam bërë dy ekspozita, por unë punoj shumë gjatë për një temë, ndoshta edhe dhjetë vjet, tha Burimi.

Paske durim Burim, unë nuk duroj dot kaq gjatë, bëra një ekspozitë për dhjetë orë në Ukrainë, i thashë.

Unë e pashë ekspozitën tënde për Ukrainën, tha Burimi.

Si t’u duk, e pyeta.

Shumë e mirë, tha Burimi, ishe në vendin e duhur, në kohën e duhur, por unë do kisha ekspozuar më pak fotografi, ndoshta 30 mjaftonin.

Kam qejf kur njerëzit rrinë gjatë në një vend, thashë unë, 30 fotografi shihen për 5 minuta.

Kishe një fotografi që më ka mbetur në mendje, tha Burimi.

Kush ishte ajo, e pyeta.

Ishte një mur me dy fotografi burrash, që dukej sikur ishin futur në një si kornizë.

Ajo është fotografia e një berberhane të shkatërruar në Irpin, thashë unë, buzë rrugës ishte një si instalacion druri dhe në mur dy fotografi. Unë u përpoqa t’i kompozoja dhe ajo foto ka njëfarë gjeometrie.

Edhe unë jam duke punuar me një projekt fotografish mbi fotografi, tha Burimi.

Ç’domethënë fotografi mbi fotografi, i thashë.

Projekti im quhet “Të Zhdukurit”, tha Burimi. Në Kosovë, çdo vit familjet e të vrarëve të pagjetur shkojnë te muret e parlamentit dhe vendosin fotografitë e familjarëve të tyre.

Më vonë, nga dielli dhe nga shiu, nga era apo ngricat, fotografitë e të zhdukurve tjetërsohen, zbehen, palosen, ndryshken apo grisen.

Atëherë unë i fotografoj dhe i zmadhoj, që t’u duken shenjat e kohës në fytyrë.

Do bësh ekspozitë me ‘Të Zhdukurit e Kosovës’, e pyeta.

Do përpiqem, tha Burimi, ky projekt bashkë me dervishët e Kosovës po më merr dhjetë vite punë.

Dervishët janë shumë të vështirë, thashë unë, nuk pranojnë të fotografohen.

Unë jam bërë mik me ta, tha Burimi, shkoj çdo vit kur kanë ceremonitë e tyre dhe fotografoj se si kalojnë në trans.

Ke fotografuar dervishë që shpojnë hundët dhe faqet me thika, e pyeta.

Sa të duash, tha Burimi, kur ata shtrihen në tokë në gjendje gjysmë halucinante, unë shtrihem me ta, kur ata kërcejnë, unë kërcej bashkë me ta dhe kur dal që aty, zakonisht i humb 4 deri në 5 kile.

Pra, ti pothuajse kalon në trans njëlloj si dervishët kur i fotografon, e pyeta.

Pothuajse, tha Burimi.

Çfarë mendon për fotografët e Shqipërisë?

Nuk kanë imagjinatë, fotografia nuk është personi që ti fotografon, por sfondi i tij.

E kam kuptuar, thashë unë, fotografia është një detaj.

Çfarë sheh pas meje, pyeti Burimi.

Pas teje është një makinë, i thashë.

A vlen si detaj, pyeti Burimi.

Nuk vlen, thashë unë, fotografi burrash me makinë gjen me mijëra në ditë, por kjo nuk është fotografi.

Po çfarë do ishte një fotografi në këtë rast, pyeti Burimi.

Nëse pas teje do ishte një avion që del nga flokët e tu si ferrë, kjo do ishte fotografi, i thashë.

Tamam, tha Burimi.

Sa fotografi që vlejnë mendon se ke, e pyeta.

Nëse një njeri arrin të ketë dhjetë fotografi të mira gjatë jetës, kjo mjafton, tha Burimi.

Unë dua të bëj një ekspozitë për Afrikën, i thashë.

Pse për Afrikën?

Janë shumë ekspresive portretet e afrikanëve, sidomos në zonat ku njerëzit jetojnë ende në fise, si Masai Mara në Kenia ose Ormo Valley në Etiopi, thashë unë.

Bukur do ishte, tha Burimi, por ki parasysh se këtë e kanë bërë mijëra vetë para teje dhe nuk është diçka unike.

Gjithçka që shohim, dikush para teje e ka parë, thashë unë, përfshi edhe avionët që ngrihen e ulen pas kurrizit tënd, kjo përsëritet një qind herë në ditë.

Unë dua të bëj diçka që nuk e ka bërë askush në botë, tha Burimi.

Çfarë mund të jetë diçka që nuk e ka bërë askush para teje, e pyeta.

Të Zhdukurit e Kosovës do jetë një projekt unik, tha Burimi, unë dua të bëj gjëra që lidhen me shqiptarët, sepse popujt e tjerë kanë fotografët e tyre dhe ne nuk i konkurrojmë dot.

Unë fotografoj për kënaqësi, i thashë. Kur shkruaj ndjehem i vetmuar, kurse kur fotografoj jam me njerëz, me historitë dhe emocionet e tyre.

Mua më shtohen rrahjet e zemrës gjatë fotografimit, tha Burimi.

Kush quhet fotograf i mirë, e pyeta.

Fotograf i mirë është ai që di të fshehë fotografitë e këqija, tha Burimi.

Unë duhet të kem me mijëra foto të këqija, i thashë.

Mos fshi asnjë prej tyre, tha Burimi, kur t’u kthehesh pas shumë viteve do të të pëlqejnë.

Unë nuk kam bërë asnjë kurs dhe në fillim nuk dija të përdorja aparatin, akoma nuk e di çfarë është kjo ISO, që më torturon sa herë fotografoj në muzg apo në një vend pa dritë.

Mos e vrit mendjen, tha Burimi, kur pashë fotografitë e Henri Cartier Bresson, mendova se edhe ai nuk dinte ta përdorte kamerën e vet, pastaj kur lexova më shumë, ai thoshte nuk më intereson drita apo fokusi, por vetëm ajo që quhet decizive moment, momenti vendimtar mes disa objekteve ose njerëzve.

Kam parë një nga fotot e tua, që më ka pëlqyer shumë, i thashë.

Cilën, pyeti Burimi.

Një kalë mbi një lapidar lufte, thashë unë.

Po, tha Burimi, e kam bërë në Qafën e Muzinës.

Po si e gjete kalin mbi lapidar, e pyeta. Me siguri ti i ke thënë dikujt ta vendoste aty për ty, që ta fotografoje.

Pak a shumë po, tha Burimi, sepse kali nuk kishte pse të hipte në atë vend.

A quhet hipja e kalit mbi shkallët e lapidarit një decisive moment, e pyeta.

Në foto duket sikur është decisive moment, sepse askush nuk e di që kalin aty e hipa unë, tha Burimi.

Pikërisht, i thashë, ky nuk është një decisive moment, sepse një kalë nuk hipën asnjëherë mbi lapidar, pasi kjo nuk është e natyrshme për kalin.

Edhe fotografë të tjerë e bëjnë këtë, tha Burimi.

E di, thashë unë, Steve Mcurry kishte hipur një njeri duke lexuar libër mbi elefant.

Fake, tha Burimi.

Natyrisht, i thashë, si fotografia që unë të bëra ty bashkë me lypësin.

Ma trego pak, tha Burimi.

Ke disa shkrepje, njëra që ai të sheh ty dhe ti më sheh mua më pëlqen, thashë unë.

Të lutem, mos e boto këtë, tha Burimi.

Pse jo?

Sepse nga mënyra se si unë të shoh ty, kuptohet që fotoja është fake, pra jo natyrale.

E ku ndryshon kjo nga hipja e lapidarit në kalë, thashë unë, ti i the kalit të ngjitet në lapidar, unë të thashë ty të afrohesh me një lypës që të dukeni sikur putheni.

E vërtetë, tha Burimi, ne fotografët duhet të sajojmë gjëra që njerëzve t’u duken si të vërteta.

Unë nuk jam fotograf, i thashë.

Po çfarë mendon se je, pyeti Burimi.

Jam një kurioz që shëtit me një kamera dhe fikson lëvizjet e njerëzve të tjerë.

Ti ke sy të shkathët, mund të bëhesh edhe fotograf, tha Burimi.

Do kisha shumë qejf, por unë nuk e njoh gjuhën e kuajve dhe nganjëherë as të njerëzve, prandaj këta nuk më binden. / ObserverKult


Lexo edhe:

BEN BLUSHI ZBULON BISEDËN ME VAJZËN QË SHISTE LULE TE VARREZAT

Nga Ben Blushi

Rruga më çoi te varrezat e Durrësit. Në hyrje ishte një vajzë duke lexuar.
Çfarë libri lexon, e pyeta.
Mbaron me ne, tha vajza.
Për çfarë flet ky libër?
Flet për një dashuri të vjetër dhe një dashuri të re, tha vajza.
Si quhesh, i thashë.
Xhoana.
Çfarë bën këtu?
Po shes lule.
Nga je?
Nga Dibra, tha Xhoana.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult