Nga Ben Blushi
Isha në shfaqjen e variantit të restauruar të filmit “Koncert në Vitin 1936” që u shfaq në Kinostudio. Ky film, të cilit iu kthyen ngjyrat me anë të një teknologjie të avancuar në Indi, është krijuar nga babai im Kiço Blushi duke ndjekur motivet e novelës “Nëpër Baltërat e Myzeqesë” të gjyshit tim Dhimitër Shuteriqi.
Filmi tregon se si Shqipëria e viteve ’30, kërkon me vështirësi të largohet nga një traditë e gjatë otomane që për 500 vjet mbolli kaq shumë injorancë, izolim, dembelizëm, shëmti dhe prapambetje dhe la pothuajse krejt burrat e Shqipërisë pa zanat, gjithë fëmijët pa shkollë dhe gratë e mbuluara me perde nga koka deri në këmbë.
Megjithëse duket sikur konflikti është mes zogistëve provincialë që i përfaqëson nënprefekti dhe përparimatërve qytetarë që i përfaqësojnë artistet, në fakt filmi, ka një fabulë tjetër që autorët e kanë fshehur pas detajeve të vogla për ta zbuluar me kujdes të madh.
Filmi duket si antizogist, por në të vërtetë është antiotoman.
Ferexhetë që lëvizin, fjalët turke që përdorin personazhet dhe vetë ndarja në dy kampe të personazheve, e theksojnë dallimin mes një Shqipërie Europiane dhe një Shqipërie Turke.
Kjo ndarje bëhet edhe më e dukshme mes dy njerëzve më me pushtet të qytetit, Nënprefektit dhe Kryetarit të Bashkisë.
Megjithëse të dy janë zogistë, pra monarkistë, ata kanë pikëpamje të ndryshme për drejtimin që duhet të marrë Shqipëria. Kryetari i Bashkisë thotë se Mbreti po punon që shqiptarët të bëhen si “turqit e sotshëm” duke nënkuptuar se Turqia është drejtimi që duhet të marrë vendi, ndërsa nënprefekti flet për Paris, Vjenë dhe Oksident.
Kryetari i Bashkisë u kërkon artistëve të këndojnë këngën e Qerimesë ose tallava, siç do thuhej në gjuhën e ditës, ndërsa Nënprefekti këndon një këngë italiane, Triste Domenica, duke pohuar se Italia është aleati i madh i Shqipërisë.
Ky është filmi, në thelb. Një debat kulturor dhe pastaj politik mes Lindjes dhe Perëndimit në Shqipëri. Palët e kundërta rreshtohen përballë njëra tjetrës në një koncert. Ata që shohin nga Lindja duan ta pengojnë Koncertin. Ata që shohin nga Perëndimi e lejojnë Koncertin.
Përplasja mes properëndimorë dhe proturqve shqiptarë, pothuajse e bllokon mbajtjen e një Koncerti të paimagjinueshëm të dy zonjave te zbuluara që këndojnë këngë dashurie për burrat e Lushnjes, por në fund, për shkak të hileve të vogla që Nënprefekti i bën parisë turkoshake të qytetit, Koncerti arrin të mbahet.
Pasi e shkel me qëllim premtimin që i ka bërë bejlerëve, Nënprefekti diplomat dhe njëkohësisht vanitoz e simpatik, i paguan një taksë besnikërie parisë lokale duke arrestuar një komunist në embrion, cka i garanton atij besimin e qeverisë dhe aleancën me bejlerët e poshtëruar.
Nënprefekti është dirigjenti i vërtetë i Koncertit. Ai vendos të mbajë anën e Perëndimit duke i bërë favore të vogla Lindjes me qëllim që Koncerti të mbahet, siç edhe u mbajt.
Sa herë e shoh këtë film mendoj se “Koncert në Vitin 1936” është Shqipëria siç ka qenë dhe siç është. Shqipëria është një betejë e pambaruar mes Lindjes dhe Perëndimit.
Shumë nga personazhet që ka krijuar babai dhe gjyshi im i gjej edhe sot nëpër rrugët e Shqipërisë.
Një pjesë prej tyre i njoh ose i kam njohur dhe mund t’i tregoj me gisht.
Ja nënprefekti, ja kryetari, ja beu, ja xhandari, ja berberi, ja guxhinjeri, ja qoftexhiu, ja delenxhiu, ja qelepirxhiu, ja sehirxhiu, ja dallaveraxhiu, ja kafexhiu, ja boxexhiu, ja hoxha, ja sharahoxha, ja bajga, ja sharabajga, ja sharësi, ja marrësi, ja lypësi, ja hypësi, ja rrufjani, ja shejtani, ja stani, kazani dhe satani.
Të gjithë janë gjallë sikur kanë dalë nga rekuizitat e pluhurosura të Koncertit. Tani që ky film u freskua me bojëra të cilësisë së lartë indiane, është edhe më kollaj të dallosh cilin dhe secilin.
Këtë po mendoja edhe këto ditë kur për kënaqësinë time dhe kundër askujt, shkrova një tekst me titullin “Çfarë është Zoti” që e postova në faqen time në facebook, për të ndarë me njerëz që duan të lexojnë edhe kur nuk janë dakort me mua, bindjen se Zoti nuk është Krijues, por është Krijuar.
Me qindra e mijëra xhandarë fetarë, berberë që jetojnë për të prerë koka dhe jo flokë, idiotë që mendojnë se lufta me komunistët vazhdon, maskarenj që vjedhin shapka nëpër xhami, njerëz që vjedhin kryqe dhe i shesin për skrap, vullnetarë të dhunës dhe shpifësa me livando, fabulistë që jetojnë duke recituar syre nëpër synetllëqe intelektuale, karadyzenë që bëjnë dyzen nëpër seminare ku mësohet si të sillesh në varrim, jeniçerë që përdorin thikën për të ndarë hënën në dy pjesë, kasapë që shesin pulën për shqiponjë, jorganxhinj të përparimit që mbushin jastëqet e mendimit me hardhuca të fishkura, rraqexhinj që mbledhin citate nga profetët për të shkruarfletërrufe, duhanxhinj që mundohen të bëjnë re me tym, derdimenë që mbajnë poshtë rrogozit ku falen akrepa të helmuar, të gjithë këta u sulën në Koncertin tim për Zotin dhe aty morën karriget, thyen xhamat, corrën faqet, mallkuan, kërcënuan, vazhduan, plaçkitën, kakaritën dhe trokitën derisa shkitën dhe ronitën.
Njëlloj si te “Koncert në Vitin 1936”, këta njerëz marrin më shumë kënaqësi nga prishja e Koncertit sesa nga vetë Koncerti.
Po të pyesja dy krijuesit e Koncertit, babain dhe gjyshin tim, ata do më thonin se nuk ka Koncert pa njerëz që duan ta prishin.
Dhe kanë të drejtë.
Zhurma e tyre është muzikë për mua.
Prandaj Koncerti vazhdon, do thoshte gjyshi im.
O Zot akoma ka Koncert, do thoshin ata.
Lavdi Zotit Koncerti nuk mbaron, do thoshte babai im.
*Titulli i origjinalit: “Në koncertin e babait dhe të gjyshit tim”
ObserverKult
Lexo edhe: